Home KRYESORE Selami rrëfen çfarë i thanë në Departamentin e Shtetit për Vettingun

Selami rrëfen çfarë i thanë në Departamentin e Shtetit për Vettingun

Eduard Selami ka hedhur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të ri të PD-së. Duke komentuar situatën brenda në selinë blu, pas rezultatit të zgjedhjeve, ai thotë se një ndër faktorët që kanë ndikuar për humbjen e thellë të demokratëve, është edhe pozicionimi që PD bëri kundër Vettingut dhe reformës në Drejtësi.

Nga studio e emisionit “Top Story”, Selami rrëfeu edhe momentin kur ai doli publikisht kundër këtij qëndrimi të PD-së, në një intervistë që ai vetë dha në atë kohë për Zërin e Amerikës.

Selami tha se ishte përplasja e PD-së me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA-në për Vettingun, që solli edhe qëndrimin e tij publik. Madje ai thekson se ishin pikërisht amerikanët që ngritën këtë këmbanë alarmi duke i kërkuar atij një qëndrim për këtë situatë.

Sipas Selamit, qëndrimi i PD për Vettingun, nuk është ai i demokratëve, por një prodhim i vetë Bashës.

“Kur ne filluam u përplasëm me Perëndimin dhe SHBA për reformën në drejtësi, besoj ka ndikuar. Dhe kur ka përplasje të tilla, fillon të humbësh besimin e qytetarëve. Basha me mungesën e eksperiencës së tij, nxorri Ramën, dhe socialistët nuk e kanë pasur këtë luks, të jenë më afër Perëndimit. Dhe ishin amerikanët që e ngritën këtë këmbanë alarmi që më detyroi mua të dal publikisht kundër këtij qëndrimi të PD. Ishte një përplasje fatkeqësisht me Perëndimin. Dhe nuk është ky një model që unë afroj. Ai ishte një prodhim i Bashës, kur vendos interesin tënd përpara atë të vendit. “ tha Selami

Sa i përket çadrës së opozitës që për tre muaj qëndroi në bulevard, Selami e cilëson atë formë proteste një marrëzi që solli edhe përplasjen me Europën.

“Doli çadra në mes që ishte një marrëzi. Aq sa edhe Europa doli kundër. Apo edhe bojkoti i zgjedhjeve. Po unë dola kundër. “ tha ai

Selami ka treguar edhe momentin e krisjes së raporteve të tij me kryetarin Basha.

“Thyerja e fortë, që ia kam thënë zotit Basha, ndodhi në zgjedhjet lokale unë isha caktuar në njësinë nr. 2. Ne vendosëm që të bënim primare dhe zgjodhëm 27 kandidatë për këshilla bashkiakë. Kryesia do merrte vetëm 9 për këshilltarë. E di sa u morën nga këto emra? Zero. Këtë e mora si sfidë personale nga zoti Basha.” tregon ai.

Share: