Home KRYESORE Topi: PD është kthyer në një moçal me mikrobe, FRD e djathta...

Topi: PD është kthyer në një moçal me mikrobe, FRD e djathta e vërtetë…!

Fryma e Re Demokratike ka çelur fushatën elektorale në qytetin e Durrësit, ku ka prezantuar kandidatin për deputet të këtij Qarku, Sali Shehun.

Në fjalën e tij para mbështetësve, kryetari i FRD, Bamir Topi ka kërkuar votat për FRD-në e duke e cilësuar këtë forcë si e djathta e vërtetë në skenën politike shqiptare.

Topi ishte i ashpër edhe në akuzat ndaj Partisë Demokratike të cilën e quajti moçal me baktere, ndërsa i bëri të djathtëve që ta braktisin atë dhe të votojnë Frymën e Re Demokratike.

“A ka forcë politike më dinjitoze, më e qartë, më e artikuluar, me terma që kanë të bëjnë me shtetin, drejtësinë, sesa FRD?

Ju bëj thirrje të gjithë të djathtëve, që janë me sedër, nuk jemi për të mbetur aty viktima të interesave të familjeve mafioze.

Ne jemi qytetarë të lirë dhe iu bëj thirrje të braktisin atë moçal ku siç thotë një shkrimtar i madh, “ai është një ambient ku rriten dhe shumëzohen mikrobet, që shpërthejnë epideminë”.

Ta braktisin dhe të vijnë të FRD dhe të jenë të sigurt që do përfaqësohen në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, u shpreh Topi.

Kreu i FRD sulmoi dhe Lulzim Bashën të cilin e quajti trashëgimtar dhe mbrojtës i interesave të familje së Berishës.

“Pjesa tjetër e politikës, e asaj të vjetër, janë ajo politikë koncesionare që nga koha e Sali Berishës dhe deri tani.

Edhe ky i riu, është i ri në moshë, por njeriu duhet të provojë situata të vështira, rezultoi ndryshe, rezultoi gabim ne, por jo gabim atij që e zgjodhi, pasi e zgjodhi që të jetë trashëgimtar besnik dhe mbrojtës i flaktë i interesave të familjes.

Ai është njeri i familjes, jo biologjikisht, por me interesat politike është njeri i familjes. Duke qenë i tillë, njësoj si paraardhësi i tij ka nxjerrë në treg dhe ka shitur interesat e të djathtës. Sot është më shumë se kurrë nevoja që e djathta të përfaqësohet”, tha Topi.

Share: