Home KRYESORE DORA E NGROHTË…

DORA E NGROHTË…

Nga Agim Xhafka

Sapo mbrëmja zbret në USA a në Tiranë,një nga nipërit e mbesat vjen rrëshqanthi tek unë,vendos kokën tek prehri dhe më sheh në sy.

-Ta ndërroj kanalin?- pyes.
-Jo,jo,vazhdo,shih çfarë të duash!

E sërish me sytë hapur drejt meje e tavanit. Mbase janë të lodhur e duan gjumë,mbase hulumtojnë portretin e gjyshit,mbase…

Nuk hamendësoj gjatë se më vjen kjo situatë kur isha vetë i vogël,bile jo dhe aq i vogël. Deri në gjimnaz. Afrohesha tek minderi ku rrinte nëna dhe shtrihesha pranë saj. Ma merrte kokën dhe e vendoste në prehër. Herë shihte televizorin,herë mua. I ngulja sytë dhe kapja përqëndrimin e saj. Nga fytyra kuptoja në ishte dramatik a komik filmi në atë çast. Pastaj shihja tavanin dhe ndjeja dorën e saj tek më fërkonin flokët. Tavani i bardhë më kthehej në një ekran të madh e dora e nënës ,sa herë rrëshqiste mbi ballin tim,si telekomandë që ndërronte stacionet. Qëndrimi pranë saj si shfaqja e filmit të jetës sime. Ja,dilja në kujtime i vogël në një govatë kur më lante mes kuzhinës. Babai që më spërkaste nga pas e nëna që bërtiste lere djalin se u ftoh.

Pastaj,ndërronin vitet. Isha pas një feste me nxënësit e dalluar. Sa erdha në shtëpi me fletë lavdërimi në dorë e nëna më mori përdore e shkuam derë më derë tek të gjithë gjitonët. U mburrej me djalin gjeni e shkuar gjeniut. Më tej kur më mësoi vallzimin,dy andej një këndej,kur më rregullonte pantallonat e babait dhe shkurtonte mëngët e xhaketave të tij. Deri sa vinte një çast kur më kapi me cigare e më tha që të blija e mos lypja nëpër shokë. Çdo mëngjes linte ca qindarka për mua. Zemrën do jepte,por ishim të varfër,nuk mundej më.

Mbaj mend atë ekran të madh dhe dorën e ngrohtë të nënës,si ilaç. Sa herë më përmendnin kamomilin më vinte ndër mend përkëdhelja e mamasë sime,ledhatimi i ballit si mjalti bio i Llogarasë.

Gëzohem kur nipër e mbesa shtrihen pranë meje si kotele të vogla. Edhe ata shohin në tavan filmin e jetës së tyre. Kanë pak sekuenca se janë të vegjël,por do u rritet minutazhi e nëpër ekranin e madh do u kujtohen episodet e jetës. Sigurisht ato më të bukurat dhe më të gëzueshmet. Njësoj si unë dikur nanuriten nga përkëdheljet. Se jeta mbahet mend nga gjestet e dashurisë,nga ëmbëlsia që transmetojmë mes vedi.

Ja pse nëna është kampione,mban vendin e parë se është pusi i eleksirit njerëzor. Dora e saj si kremi në plazh kundër diellit,si melhemi pas një dhimbjeje,si trokitja e gotës në një gëzim a gosti. Sa dua të më ledhatojë kush ballin,të më ngatërrojë flokët. Qenka dëshirë hyjnore,s’ka të bëjë me moshën. Dashuri duan të gjithë,qysh nga lindja e deri në perëndim të qepallave,kur nis errësira e pafund…

Share: