Home KRYESORE Shteti, shëndeti mendor dhe shoqëria

Shteti, shëndeti mendor dhe shoqëria

Nga JETA TOÇILA

Ai është një burrë rreth të dyzet-ave, ose ndoshta dhe më i ri. Rrobat i ka të grisura dhe druaj se nuk i ka ndërruar ose larë që prej ditës që trupi i tij i mban. Në dorë mban një torbë, e rreckosur dhe ajo, të cilën nuk e di me çfarë e ka të mbushur. Ka më tepër se një orë që qëndron ulur në stolin e lulishtes së lagjes time, rrethuar me disa qenë dhe nuk ka folur me askënd dhe askush nuk i është afruar miqësisht për të shkëmbyer ndonjë fjalë. E kam parë edhe herë të tjera rrugëve të Tiranës. Ai komunikon vetëm me qentë duke lehur me kokën lart, më fort se ta, e duke qeshur pas çdo lehjeje.

Askush nuk ia di emrin këtij endacaku kryeqytetas, e njohin të gjithë si “njeriu-qen”, për shkak se ai leh në të shumtën e kohës. Qentë e lagjes e mirëpresin, nuk kam vënë re ta sulmojnë, siç bëjnë njerëzit me të shpeshherë kur ai u shkel në territor. Ka njerëz që tallen me endacakun e ngratë, ka që shprehin dhembshuri, i japin ndonjë ushqim ose i falin ndonjë rrobë, por gjithsesi e mbajnë larg, ka të tjerë që sillen me indiferencë, ndërkohë me një sy mbajnë situatën nën kontroll në rast se endacaku u afrohet befas. Ka të rinj që e gjuajnë dhe përzënë me forcë, ashtu siç bëjnë edhe me qentë e rrugës. Endacaku dyshoj të jetë vetëm një endacak, apo person në situatë rruge, siç mund të thuhet zyrtarisht statusi i tij. Unë dyshoj fort për gjendjen e tij mendore, e cila mund të përbëjë rrezik për shëndetin e tij dhe jetën e të tjerëve. Por dyshimi im nuk më legjitimon si një person për të referuar problemin tek institucionet përgjegjëse, përveçse të tërheq publikisht vëmëndjen në këtë çështje. Të parët që mund të kërkojnë ndihmë dhe që njihen prej ligjit për shëndetin mendor, janë familjarët e personit që vuan.

Por në kushtet kur endacaku mund të jetë jetim, ose mund të ketë të afërm që e kanë braktisur prej turpit ose pamundësisë, ose padijes për t’u kujdesur për shëndetin mendor, duke e lënë jetën e tij në duart e fatit apo Zotit, ligji ka parashikuar institucionet shtetërore (organet e qeverisjes vendore, institucionet e ministrisë së çështjeve sociale dhe të shëndetësisë) dhe organizatat jofitimprurëse, të jenë mbështetësit e këtyre personave. (Ligji nr 44/2012 “Për shëndetin mendor”, neni 16, pika 2 thotë se “Familjet, që kanë persona me çrregullime të shëndetit mendor, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe organizatat jofitimprurëse që merren me kujdesin, trajtimin dhe rehabilitimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, kujdesen dhe mbështesin këta persona për integrimin e tyre në familje, komunitet dhe shoqëri”.)
Bukur, pra kemi një ligj që i mbron personat me probleme të shëndetit mendor, përmes ndihmës nga institucionet e parashikuara. Por si mund të marrë kujdesin personi me probleme mendore, në kushtet kur është endacak, pa familje, pa shtëpi, pa ndihmë ekonomike, pa kurrfarë gjëje….??

Hapa faqen zyrtare të shërbimit social shtetëror për të gjetur ndonjë vendim të mundshëm në mbështetje të personave me probleme mendore. Janë parashikuar për t’u përfshirë në këto institucione të përkujdesjes vetëm fëmijë, gra, të moshuar. Nuk përfshihen personat madhorë me probleme të shëndetit mendor.
U interesova pranë Bashkisë së Tiranës dhe mësova se përveç qendrave ekzistuese sociale, po ndërtohet një qendër gjigande, e cila do të ofrojë ushqim e strehim, këshillim psiko-social për personat në situatë rruge, por nuk do të mund të sigurojë diagnostikim apo trajtim të çrregullimeve mendore. Me të drejtë, kjo e fundit, por ligji thotë se “Organet e pushtetit vendor, brenda kompetencave të tyre, në bashkëpunim me strukturat shëndetësore, marrin të gjitha masat për të mbështetur personat me çrregullime të shëndetit mendor dhe familjet e tyre”.

Meqënëse bashkia e paska bërë pjesën e saj të mbështetjes, më lindi nevoja të gjej pjesën e strukturava shëndetësore. Në parim unë e di se Ministria e Shëndetësisë është autoriteti përgjegjës për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor, por në morinë e organeve e strukturave të pafundme inefiçente, më duhej të gjeja strukturën përgjegjëse që duhet t’i adresohet problemi për personin konkret që ju kam treguar në krye të herës. Atëherë iu ktheva sërish ligjit dhe gjeta Rregulloren e Shërbimeve të Shëndetit Mendor si një kërkesë e Ligjit Nr. 44/2012 “Për Shëndetin Mendor”. Në kreun 2 të kësaj rregulloreje flitej për një rrjet të mirëorganizuar të shërbimeve të shëndetit mendor, me një buxhet të alokuar nga Ministria e Shëndetësisë nga 2013 deri në vitin 2022 konkretisht, për

1) shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor,

2) shërbimet ambulatore të specializuara,

3) shërbimet e shëndetit mendor me bazë komunitare,

4) shërbimet e shëndetit mendor me shtretër dhe

5) shërbimet mjekësore të posaçme. Nuk po i përmend një nga një funksionet e tyre, se do thoni: “është kaq e bukur për të qenë e vërtetë”, por dua të theksoj se Shërbimi i Kujdesit Shëndetësor Parësor, është struktura përgjegjëse, e cila ka detyrimin e zbulimit, referimit dhe ndjekjes së pacientëve me çrregullime të shëndetit mendor.

E shprehur shkurt, profesionistët e këtij shërbimi referojnë rastin në shërbimet e tjera mendore. Kur rasti është i rëndë dhe janë shterur mundësitë e trajtimit me bazë shëndetësore në komunitet, dërgohet në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër, ose shtëpitë e mbështetura në përputhje me parimet e alternativës sa më pak kufizuese-thuhet në ligj. Si rregull rastet e rënda qëndrojnë deri në 6 muaj terapie intensive dhe rivlerësohen cdo muaj. Po pse nuk janë nëpër këto shtëpi gjithë këta persona që unë shoh rrugëve të qytetit? Ju do thoni sepse nuk janë të sëmurë në gjendje të rëndë.

Vallë janë diagnostikuar nga ndonjë ekip? Apo mos ndoshta nuk ka aq shtretër dhe buxhet që ti përballojë? Fakt është që burri me qentë e tij endet nëpër Tiranë, bashkë me të tjerë të përafërt me të. Sic është edhe fakti se kur je njeri pa njeri, në vendin tonë je si një fantazëm. Gjithashtu fakt është që shteti ynë, i varfër në mentalitet dhe buxhet, duket se nuk ka gjetur motiv për trajtimin e personave prej të cilëve nuk marrin gjë në këmbim, madje as një votë. Prandaj jepen udhëzime për ndjekjen e politikave të mos-spitalizimit të tyre, por integrimit dhe rehabilitimit në komunitet.

Teorikisht ndodh kështu, po praktikisht, çfarë bëhet për integrimin e tyre? A mos vallë u rrinë infermierë nga pas duke i ndjekur t’u japin ilaçet e vaktit?? Apo punonjësit social i kapin përdore dhe i shoqërojnë rrugëve të tyre imagjinare?? Apo policët i shoqërojnë në shtëpitë që nuk ekzistojnë apo qendrat sociale që duket se nuk mjaftojnë?? Jo…nuk ndodh asnjë prej këtyre skenarëve. Thjesht zhvillohet heshturazi verbëria kinse si nga ana e shtetit ashtu edhe e shoqërisë ndaj pranisë së qindra endacakëve me probleme të shëndetit mendor, lulishteve, stacionëve, bareve, dyerve të institucioneve, shkollave, hoteleve,..etj.

Drita e syve u vjen parciale, kur këta njerëz mund t’u duhen si statistika ose zëra projektesh, ose si gogolë për të trembur fëmijët kur nuk hanë, ose kur ndodhin ngjarje të rënda që trondisin opinionin publik, me autorë personat me probleme mendore.

Share: