Më 2013 kryeministri Rama tha se do të ndjekë një risi në përfaqësimin politik, – papajtueshmërinë midis mandatit të deputetit dhe të ministrit. Pjesa më e madhe e ministrave, përfshirë edhe ministrat e LSI aleate, dhanë dorëheqje nga mandati parlamentar për tia kaluar atë emrit pasues në listën shumë-emërore.
Skandalet që lidhen me de-kriminalizimin në rastin e Lezhës dhe praktika e papajtueshmërisë së mandateve çuan në konsumimin e listës proporcionale të PS dhe kalimin e mandatit të saj të fundit tek LSI. Siç duket, më 2017 kryeministri Rama nuk do të ndjekë të njëjtën praktikë. Ai nuk ka folur publikisht për vijimin e praktikës së ndarjes së mandateve, megjithëse në statusin e PS është theksuar me forcë standardi i papajtueshmërisë së dy mandateve në nivele politike dhe drejtuese në PS. Duke iu referuar emrave të kabinetit të ri qeveritar dhe praktikës së vitit 2013 për papajtueshmëri midis mandatave ministra – deputetë, atëherë rezulton se do të duhet të kemi 12 deputetë të rinj.
Tabela e Institutit të Studimeve Politike dhe projektit monitorues të parlamentit www.deputetim.al paraqet ndryshimet që do të duhej të ndodhnin. Në qarkun Berat mandati do ti kalonte emrit pasues, Konomi. Në Gjirokastër, për shkak të detyrimit për kuotë gjinore, mandati do ti kalonte një femre kandidate, Artemis Dralo, e angazhuar në Universitetin e këtij qyteti.
Në Lezhë mandati do ti kalonte zonjës Jaku, drejtuese lokale e PS, kurse në Shkodër do të duhej të kemi dy emra të rinj, përfshirë biznesmenin Luli, i cili rezultoi fitues në Pukë, por në vend jofitues në listën proporcionale. Ne Korce vjen Ardit Petrika ne vend te ish zvkryeministrit Peleshi.
Në Tiranë do të siguronin mandate juristi Braho, ish figurë e rëndësishme e LSI, kreu i FRESH Hyska, ish ministrja Harito, një emër nga stafi i ish ministrit Tahiri si dhe juristja Hobdari. Në Vlorë mandati i ministrit Gjiknuri do ti kalonte emrit të parë grua të listës së mbetur, konkretisht Eloma Hodaj (Kurti), shefe kabineti e kryetarit të bashkisë Vlorë. Pesë qarqet e tjera, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier e Kukës nuk kanë ministër. A do të mbahet premtimi i vitit 2013 për ndarje mandatesh minister – deputet?
A do të kemi një sjellje të re më “pragmatiste” nga kryeministri për të qenë i sigurtë se emrat pasues të listës nuk do jenë problematikë për të, siç është rasti i zotit Braho, de facto i LSI dhe de juro në listën e PS?
Deri tani ende nuk ka vendim, por sipas praktikës së deritanishme, vendimet politike në PS dhe në politikën shqiptare nuk kanë ndonjë standard institucional, nuk bazohen në statute apo rregulla etike, por varen kryesisht nga projekti personal i kryetarit, nga interesat ditore dhe nga nevoja që lidhen me rrethana rast pas rasti. (ISP – Instituti i Studimeve Politike)