Home KRYESORE Kërcënohet me jetë gazetari, prokurori e këshillon të kërkojë dëmshpërblim!

Kërcënohet me jetë gazetari, prokurori e këshillon të kërkojë dëmshpërblim!

Rasti i një gazetari të kërcënuar me jetë është bërë publik sot në gazetën Koha Jonë. Sipas shkrimit, kërcënimet e gazetarit janë bërë fillimisht nga rrjetet sociale më pas me telefonata të vazhdueshme gjatë muajit gusht.

“Një gazetar i një media shqiptare i drejtohet Policisë së Shtetit për disa kërcënime me anë të Facebook-ut nga iks person emigrant, të paktën siç e verifikoi edhe Policia e Shtetit. Policia në kohë rekord bëri verifikimet dhe dosjen e kallzimit penal ia drejtoi për hetime të mëtejshme organit të prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë në Tiranë.

Personi që kërcënonte me jetë, pra për eliminim fizik të gazetarit, por edhe të familjes së tij, ishte një emër që nuk dihet saktësisht nëse është personi që ka emrin dhe foton e tij në facebook. Kërcënimet kishin të bënin për qëndrimet e gazetarit dhe shkrimet e tij. Pra kërcënim për shkak të detyrës, pasi gazetari nuk e njeh personin që kërcënonte. Më pas “anonimi” i facebook filloi të merrte në telefon gazetarin që kishte bërë kallzimin penal dhe ta kërcënonte. Natyrisht kërcënuesi nuk shfaqej me numrin e tij në telefonin e gazetarit, pasi identifikimi do të ishte më i shpejtë, por me teknologjinë e sotme, vinte thirrja, por nuk dilte numri i kërcënuesit” shkruan Koha Jonë.

Policia e Shtetit me metodat e saj arriti të gjente se vendqëndrimi i telefonuesit shqiptarë ishte në Selanik, Greqi. Gazeta nuk e bën me dije emrin e gazetarit të kërcënuar po shkruan se prokuroria “kishte mundësinë ligjore që të kërkojë nga kompanitë mobile në Shqipëri për të interceptuar thirrjen e numrit të telefonit të gazetarit, pra se nga ka ardhur thirrja hyrëse në Shqipëri. Kompanitë e telefonisë celulare e kanë për detyrë ligjore të kthejnë përgjigje”.

Por prokurori ka vendosur të mbyllë çështjen pa u zbuluar autori i kërcënimeve. Pa i kërkuar kompanive celulare të identifikojnë numrin nga i cili vijnë kërcënimet, Erjon Imeraj ka mbyllur dosjen, megjithëse policia e shtetit i ka referuar se nga të dhënat, kërcënimet vijnë nga Greqia, bile ka dhënë edhe emrin e një personi që ka familjen në Shkodër.

“Kërcënimi në fjalë mund të jetë nga një idiot nga ato që ka plot në facebook, mund të jetë serioz, siç mund të jetë edhe lojë e ndonjë anonimi. Por kallzimi është real, padia e firmosur, Policia e Shtetit me përgjegjsi thekson se mund të jetë person me rrezikshmëri, aq më shumë se jep edhe disa hollësi në dosjen që ka dërguar në prokurori. Por prokurori i Tiranës, nisur nga përtesa ose edhe nga mungesa e profesionalizmit i ka rënë shkurt: Ka vendosur mosfillimin e procedimit penal të kallzimit nr.6154 të vitit 2017!

Bile po të lexosh argumentin e tij çuditësh se si ka prokurorë të tillë. Ai thotë se ndodhemi para faktëve të “fyerjes” dhe si konkuzion paditësi (gazetari) ti drejtohet gjykatës për të kërkuar “dëmshpërblimin”!” shkruan gazeta Koha Jonë./Lapsi.al

Share: