Home KRYESORE Komuniteti himarjot nuk lejon mbledhjen e Keshillit Bashkiak per planin urbanistik (dokumente)

Komuniteti himarjot nuk lejon mbledhjen e Keshillit Bashkiak per planin urbanistik (dokumente)

Komuniteti Himarjot nuk ka lejuar realizimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të ditës së sotme në Himarë, ku raportohet qe ne krye te tyre ishin Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave, Historisë dhe kulturës Himarë dhe kreu i PBDNJ-së, Fredi Beleri te cilët kishin kërkuar me shkrese zyrtare te ishin pjese te mbledhjes se Keshilit Bashkiak për tu dëgjuar edhe interesi i tyre.

Sipas Nikollaq Neranxit i cili ju përgjigj pyetjeve te Perqasje.com, Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” si përfaqësuese e komunitetit dhe në mbrojtje të interesave dhe të drejtave pronësore të banorëve të Himarës ka qenë pjesëmarrëse në mbledhjen e mbajtur jashtë radhe të Këshillit të Bashkisë Himarë të datës 25.08.2017.

“Fillimisht, prezenca në mbledhje e përfaqësuesve të Shoqatës dhe të banorëve të Himarës u pengua nga forcat e policisë bashkiake megjithëse Shoqata kishte paraqitur zyrtarisht kërkesë për pjesëmarrje dhe për të drejtën e fjalës.

Mbledhja e Këshillit të Bashkisë Himarë kishte në rend të ditës miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor i cili prek të drejtat themelore të qytetarëve të mbrojtura me ligj, siç është dhe e drejta e pronës, e gëzimit dhe posedimt të qetë të saj. Në këto kushte, banorët e Himarës paraqitën publikisht kundërshtimet e tyre për miratimin e Planit të propozuar.

Për këtë arsye, Shoqata ka depozituar kërkesë drejtuar Këshillit të Bashkisë Himarë për refuzimin e miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe kthimin e tij për rishqyrtim autoritetit propozues duke pasqyruar kundërshtimet, vërejtjet e propozimet e banorëve të Himarës.”  –  tha biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi për Perqasje.com

Duket se Kjo situate ka bere qe mbledhja e Këshillit Bashkiak te mos realizohet sic ishte parashikuar dhe raportohet nga Mediat te kete patur incident para zhvillimit të mbledhjes së këshillit, ku edhe pse policia bashkiake ka ndërhyrë për të mbajtur nën kontroll njerëzit, ka qenë pothuajse e pamundur realizimi i mbledhjes.

Sipas raportimit te gazetarit te Report TV, Armando Xhelili, përfshirja e biznesmenit te njohur Neranxi në këtë incident ka ardhur pasi edhe ai vet si dhe të afërm të tij zotërojnë disa nga pronat të cilat preken nga plani rregullues dhe se ata dhe familjet e tjera si ata nuk janë konsultuar siç e do ligji dhe standardet europiane te te drejtave te individit.

Mësohet se mbas incidentit nuk është diskutuar asnjë nga pikat e parashikuara të mbledhjes. Komuniteti Himarjot, ose pjesa kryesore e tij, ka me shume se një vit qe proteston dhe kërkon qe ata te konsultohen ne veten e pare dhe se, me pare shteti duhet tu japë atyre certifikatat e pronesise pastaj ti konsideroje si pronare te ligjshëm me te drejtën e patjetërsueshme te pronarit.

Biznememeni i njohur himarjot Nikollaq Neranxi nje dite me pare i beri thirrje kryeministri shqiptar Eadi Rama te mos lejoje gllabberimit e pronave te jugut dhe te nderhyje qe te mos ndodhin incidente.

Duket se një ndërhyrje te duhur politike nga Tirana, janë duke pritur si Komuniteti Himarjot ashtu edhe Opinioni Publik i cili sigurisht shqetësohet nga zhvillime te tilla.

Perqasje.com boton te gjitha shkresat e vena ne dispozicion te saj…

Drejtuar:                      Këshillit Bashkiak të Bashkisë Himarë

                                    Spile, Himarë

Drejtuar:                      Kryetarit të Bashkisë Himarë

                                    Spile, Himarë

 

Nga:                            Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës”

                                    Kryetar i Bordit Drejtues Z. Nikollaq Neranxi

                                    Spile, Himarë

Lënda:                        Kërkesë për shprehjen e qëndrimit mbi kundërshtimet, vërejtjet dhe propozimet e banorëve të Himarës mbi Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë.

Të nderuar Zotërinj,

Shoqata “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” me seli në Spile, Himarë është një organizatë jo qeveritare dhe jo fitimprurëse, e cila ka për objekt dhe qëllim të saj ndërmarrjen e nismave në funksion të interesit më të lartë shoqëror, në mbrojtje të shtëpive dhe pronave të Himariotëve, si dhe në ruajtjen e historisë dhe kulturës së qytetit të Himarës në mënyrë që të lërë të pandryshuar natyrën e bregdetit.

Aktualisht, Bashkia Himarë është në fazën përfundimtare të miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor i cili ndikon drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit dhe prek të drejtat dhe interesat e ligjshëm të çdo banori të Himarës. Megjithëse qytetarët e Himarës kanë shfaqur publikisht (fakt i njohur botërisht) kundërshtimet e tyre kundrejt Planit të Përgjithshëm Vendor të propozuar, autoriteti përgjegjës nuk i ka marrë aspak në konisderatë këto vërejtje.

Në këto kushte, me qëllim zbatimin e drejtë të procedurës së kërkuar në ligj, kërkojmë të shpreheni në lidhje me kundërshtimet, vërejtjet e propozimet e banorëve të Himarës, në mënyrë të detajuar mbi pasqyrimet e këtyre kundërshtimeve në rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe qëndrimin e mbajtur nga autoriteti planifikues mbi arsyet e pranimit a mospranimit të këtyre vërejtjeve.

Theksojmë se këshillimi publik dhe reflektimi i qëndrimeve të banorëve të zonës në dokumentin e planifikimit janë të parashikuara nga ligji nr.107/2014 si një hallkë e rëndësishme e procedurës së miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor. Ndodhur në këto kushte, paraqitet e nevojshme që përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli i Bashkisë Himarë të rishqyrtohet dokumenti i planifikimit nga autoriteti propozues dhe të jepen qartë qëndrimet mbi kundërshtimet e banorëve të Himarës.

Kjo kërkesë e Shoqatës “Për mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të palëve të interesuara dhe komunitetit gjen mbështetje në nenin 19 të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe në nenet 24 e 25 të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e institucionit tuaj,

Ju falenderojmë paraprakisht!

Me respekt,

  1. Nikollaq Neranxi

 

Shoqata “PËR MBROJTJEN E SHTËPIVE, PRONAVE, HISTORISË DHE KULTURËS SË HIMARËS”

 

AUTORIZIM PERFAQËSIMI

Tiranë, më 24.08.2017

Shoqata “Për Mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” (në vijim referuar si “Shoqata”), person juridik i së drejtës shqiptare, themeluar më 13.07.2016, me adresë në “Spile, Himarë, përballë Bashkisë së qytetit”, përfaqësuar nga Kryetari i Bordit Drejtues të saj, Z. Nikollaq Neranxi, madhor me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, autorizon Av. Gilda Lika, me Nr. 8839 License të Dhomës së Avokatisë Tiranë, të cilës i jep të drejta dhe kompetenca të plota për të përfaqësuar Shoqatën në përpara organeve administrative shtetërore, me objekt përmbushjen e qëllimit të Shoqatës “Për Mbrojtjen e shtëpive, pronave, historisë dhe kulturës së Himarës” sipas Statutit të saj.

Ajo ka të drejtë të ngre, të formulojë, të redaktojë pretendime, apo kundërpretendime për çdo lloj arsye dhe shkaku ligjor, të nënshkruajë dhe të depozitojë ankime paraprake, peticione, akt-përgjigje, korrespondenca, çdo lloj padie, apo kundërpadie, të disponojë lirisht mbi objektin dhe/ose bazën ligjore të padisë, të nënshkruajë çdo lloj dokumentacioni, të paraqitet në çdo takim me përfaqësues të personave fizik a juridik, ose institucioneve shtetërore, të negociojë çështje sipas gjykimit të tyre të arsyeshëm në interesat e Shoqatës, të arrijë marrëveshje për zgjidhjen e çështjes me pajtim, të paraqesë prova, të thërrasë dëshmitarë, të kryejë të gjitha veprimet e domosdoshme gjyqësore dhe jashtëgjyqësore ashtu sikurse e parashikon ligji dhe në bazë të ligjit, dhe të përfaqësojë dhe të veprojë në emër dhe për llogari të porositësit përpara çdo autoriteti administrativ dhe/ose gjyqësor të Republikës së Shqipërisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, dhe në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, të nënshkruajë kërkesë për lëshimin e Urdhërit të Ekzekutimit, kërkesë për vënien në ekzekutimit të Urdhërit të Ekzekutimit, të kontaktojë me përmbarues gjyqësorë shtetëror ose privat.

Ajo ka të drejtë të përfaqësojë Shoqatën dhe të veprojë në emër dhe për llogari të saj me të drejta dhe kompetenca të plota, sikur të ishte vetë prezent përpara çdo përfaqësuesi të personave fizik a juridik, përpara çdo organi administrativ lokal, ose qendror, person juridik shtetëror, ose jo shtetëror, të paraqiten përpara noterit publik me qëllim noterizimin e dokumentave të nevojshme për zhvillimin e proçesit administrativ, gjyqësor, etj. Ajo ka të drejtë të përfaqësojë Shoqatën përpara çdo autoriteti administrativ që do të jetë e nevojshme me qëllim përmbushjen e objektit të këtij autorizimi.

Përfaqësuesja ka të drejtë të kryejë çdo lloj veprimi tjetër që nuk është i shprehur në këtë autorizim por që është në interes të Shoqatës. Të gjitha veprimet e saj unë i konsideroj të drejta dhe të mirëqena sikur të ishin kryer vetë prej meje dhe për to Shoqata mban përgjegjësi përpara të tretëve.

AUTORIZUES                                                                                           

 

Shoqata “PËR MBROJTJEN E SHTËPIVE, PRONAVE, HISTORISË DHE KULTURËS SË HIMARËS”

Përfaqësuar nga Kryetari i Bordit Drejtues

   

  1. Nikollaq Neranxi
Share: