Home KRYESORE Turizmi në Shqipëri, fjalë boshe e gurë në trastë! Nga dr. Enriko...

Turizmi në Shqipëri, fjalë boshe e gurë në trastë! Nga dr. Enriko Ceko

Prej vitesh turizmi ëstë konsideruar si një prioritet i qeverive në Shqipëri. Aq shumë është thënë, folur, shkruar e marrë vendime e dhënë urdhëra për turizmin shqiptar, saqë po të ishin bërë të paktën vetëm 5% e të të tërë këtyre deklaratave madhështore, kush do ishte si ne. Do hanim me lugë floriri e do kishim bërë hair e prokopi për vehten e për dhjetë breza. Po si qendron e vërteta në lidhje me turizmin në Shqipëri?

E vërteta është se turizmi është një veprimtari e lënë në mëshirë të fatit dhe mund të listojmë se.

  1. Turizmi në Shqipëri është një sektor që operon i veçuar nga sektorët e tjerë të ekonomisë, që edhe ata janë fare të pazhvilluar dhe pa asnjë strategji aktive zhvillimi (sepse strategji janë shkruar sa të duash, po asnjë prej tyre nuk është vënë në zbatim).
  2. Të tëra ligjet, vendimet, urdhëresat e rregulloret që kanë dalë ose nuk janë zbatuar edhe pse kanë qenë të mira, ose janë të pazbatueshme sepse janë të këqija.
  3. Pothuajse të tërë ata që kanë drejtuar sektorin e turizmit në Shqipëri kanë dështuar, sepse janë vënë në krye të sektorit nga ana e partive duke mos qenë specialistë, ose edhe pse kanë qenë specialistë kanë qenë të detyruar të zbatojnë urdhërat e eprorëve të paaftë, urdhëra që kanë rezultuar ose të papërshtatshëm, ose të pazbatueshëm.
  4. Operatorët turistikë nuk shikojnë përtej hundës së biznesit të tyre dhe, edhe disa organizime në formë shoqatash kanë rezultuar pa fuqi dhe të paafta të ndryshojnë gjendjen në atë nivel që kërkohet.
  5. Shqiptarët si komb as që e kanë idenë e rëndësisë së zhvillimit të sektorit të turizmit dhe nuk e kanë kuptuar ende se zhvillimi i turizmit fillon nga edukimi i fëmijëve me vendin, gjeografinë, historinë, kulturën, traditat, pikat e rëndësishme turistike të vendit, traditat e gatimit, etj.
  6. Gjendja e keqe ekonomike, të ardhurat e ulëta, rritja e ulët ekonomike, mungesa e ideve të zhvillimit, etj, frenojnë zhvillimin e këtij sektori.

Nëse vazhdojmë me pika të tjera, mund të identifikojmë shumë të tilla, por këto janë ndër më kryesoret.

Shqiptarët ende mendojnë se turizmi mund të bëhet vetëm në stinën e verës dhe vetëm në bregdet në VelipojëShën GjinDurrësVlorëSarandë, etj. Këto qytete vërtet që ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotele dhe restorante, duke tërhequr vitet e fundit edhe vëmendjen e turistëve të huaj, por cilësia e shërbimeve në këto investime le shumë për të dëshëruar. Kur bëhet fjalë për cilësinë e shërbimit bëhet fjalë për veshjen e atyre që shërbejnë në këto investime, sistemet e sigurisë në këto investime, menutë, pajisjen e dhomave me të tëra pajisjet e nevojshme që turisti ta ndjejë vehten sa më rehatshëm, ofrimin e lehtësive të tjera pranë këtyre investimeve si farmaci, qendra shëndetsore, qendra kulturore dhe artistike, etj, etj.

Në veri të vendit është hapur projekti i 40 haneve me mbështetjen financiare të projektit të GIZ-it. Një projekt mjaft interesant, që kërkon edhe më shumë ide për t’u mbështetur e zhvilluar. Për shembull, krahas vizitës në këto hane, mund të vizitohen disa ferma që janë specifike për produktet dhe shërbimet që ofrojnë, apo mund të vizitohen kompani të vogla e të mesme që prodhojnë produkte të veçanta. Interesante do ishte vizita në ndonjë poçeri, ku shikohet edhe si prodhohen poçet prej balte (për të cilat në Shqipëri ka shumë përvojë dhe traditë që nga lashtësia), por turistët edhe mund të bëjnë blerje, që janë të rëndësishme për kompanitë që futen në listën e bërjes së vizitave të mundëshme dhe ndihmojnë edhe në ekonominë e zonës ku janë këto kompani.

Është fakt se mjaft banorë të jugut kanë hapur shtëpitë e tyre dhe po i shfrytëzojnë për qëllime turistike, por për këto iniciativa mungon ndihmesa me kredi në mënyrë që në këto shtëpi të zgjerohet veprimtaria dhe të krijohen më shumë kushte për turistët vendas dhe të huaj, sepse tërheqja që ata kanë për shkak të klimës she mikpritjes janë shumë pak për të patur një nxitje të klientëve.

Turizmi malor? As mos e thuaj dy herë. Në Shqipëri ka disa pika ku dëbora nuk mungon pothuajse asnjë ditë të vitit. E ku ka më bukur se një ditë të shkosh në plazh buzë detit dhe ditën tjetër në një mal me borë? Po ditën e tretë anës një lumi. Po ditën e katërt në një kala apo në një muze etnografik? Po kujt ja thua? Duket sheshit se ata që merren me turizmin në Shqipëri as që e kanë idenë se ne shqiptarëve na ka rënë llotaria e madhe në dorë, por nuk e kemi kuptuar ende.

Në vend ka shumë pika turistike që prej kohësh janë shfrytëzuar për mundësinë e kurimit të sëmundjeve të ndryshme për shkak të karakteristikave shumë të veçanta të ajrit, klimës, tokës, bimësisë që ka atje. Po këto veçanti të këtyre zonave njihen vetëm nga baniorët përreth dhe nga ata që kanë hall shëndetsor. Në vende të tjera të botës për këto pika turistike shëndetsore bëhen beteja të mëdha promocionale dhe marketingu edhe pse nuk janë në nivelin e karakteristikave e cilësive që ofrojnë pikat turistike shëndetsore të Shqipërisë.

Po turizmi speleologjik (organizimi i vizitave turistike në shpella me karaktetiatika të veçanta)? Sa histori të famshme ka për shpellat e Shqipërisë? Me dhjetra. Cili turist i huaj nuk do të donte që një nga ditët e qendrimit në Shqipëri të kishte mundësinë e një vizite në një a disa shpella ku brenda tyre të dëgjojë nga goja e një shoqëruesi historinë e fiseve, piratëve, kaçakëve, kapedanëve, që jetonin në shpellë për këtë apo atë arsye? Po sikur në shpella të kishte edhe disa nga mjetet kryesore të jetesës së tyre?

Mjaft vende e kanë shfrytëzuar me shumë sukses dhënien e titujve kalorsiakë të përkohëshëm dhe të patrashëgueshëm për kështjellat, duke nxjerrë përfitime të mëdha nga kjo ide biznesi dhe duke shtuar ndjeshëm numrin e vizitorëve në këto objekte mjaft të rëndësishme të historisë, traditës e kulturës.

Çështje të tilla mund të listojmë sa të duash, por e rëndësishme është se turizmi mund të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punësim, nxitje të bizneseve përreth, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë, por kjo kërkon vizion dhe mendësi biznesi e jo mendësi korruptive e kriminale.

Ne shqiptarët na ka bekuar Perëndia sepse na ka falur një vend që edhe pse është i vogël, i ka të tëra mundësitë për t’u kthyer në një qendër shumë të rëndësishme turistike mjaft tërheqëse për turistët në rajon, por ne na duhet të zhvillojmë trutë e kokës se ato mesa duket i kemi mangut, sepse vetëm me tru në kokë ne mund të zhvillojmë një turizmin gjithëvjetor, por kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka koordinim midis politikave zyrtare, shtetërore edhe ideve e pikëpamjeve të sektorit privat.

Konkretisht mungon standardizimi dhe  klasifikimi i shërbimeve turistike, ka një informalitet të pandalshëm në këtë sektor, kombinuar me hiperkorrupsionin e punonjësve të administratës publike që lidhen me këtë sektor, si në pushhetin qendror, ashtu dhe në atë vendor. Pothuajse asnjë subjekt turistik nuk është i çertifikuar me standardet e cilësisë ISO dhe asnjë restorant e hotel nuk është i çertifikuar me standardin ushqimor ISO 22000 dhe standardin HACCP. Gjithashtu asnjë hotel e restorant nuk aplikon rregullat e manaxhimit të mbetjeve dhe eliminimin e tyre sipas legjislacionit vendas dhe evropian. Pothuajse 80% e hoteleve nuk kanë programe kompiuterike për manaxhimin e dhomave të hoteleve dhe ende i mbajnë bilancet me letër e laps, dule lënë shkas për informalitet dhe duke mos dhënë asnjë mundësi për kontroll financiar nga ana e administratës publike. Një nga arsyet kryesore për pezullimin dhe më tej mbylljen e biznesit është dokumentacioni ekonomik dhe financiar në formë elektronike, që asnjë subjekt turistik juk e ka. Atëhere ku janë punonjësit e administratës tatimore? Ç’bëjnë këta apo ngrohen në diell në këto hotele e restorante? Mbyllja e aktivitetit bën që vitin tjetër ky biznesmeni i famshëm ti verë gisthin kokës dhe të mbajë vetëm një bilanc të rregullt dhe të mbajë dokumenta financiare në formë elektronike. Pastaj kalohet në kërkesat e tjera ligjore si për shembull te standardi ushqimor, standardi i dhomës së hotelit, standardet e pastërtosë dhe higjienës, procedurat e pastrimit, procedurat e sigurisë në objekt, etj, për të cilat as që bëhet fjalë në ndonjë subjekt privat turistik në Shqipëri. Dhe, nëse nuk i kanë këto standarde përsëri mbyllet biznesi, disa herë, deri në plotësimin e kushteve dhe standardeve, e këshu në vazhdimësi deri sa operatorët turistikë shqiptarë të arrijnë të kuptojnë se ç’farë do të thotë ekonomi tregu, kapitalizëm dhe konkurrencë e ndershme.

Po problemet me ujin e pijshëm, që mungon në bregdet, kur Shqipëria është vendi u dytë në Evropë për prurje të ujit për frymë? Po mangësitë në energji elektrike, si në furnizimin 24 orë tërë ditët e javës ashtu dhe në cilësinë e energjisë elektrike (ka të dhëna se edhe voltazhi nuk është në rregull por parametrat e tjerë të energjisë elektrike janë të mangët dhe nuk arrihet që të plotësohen kërkesat e pajisjeve elektrike dhe elektronike me energji cilësore, duke shkaktuar difekte të këtyre pajisjeve)? Po mungesa e telefonisë fikse me kabina dhe mosmbulimi i tërë territorit të vendit me valë për telefoninë mobile? Po rrugët midis ndërtesave në fshatra turistike dhe qytete (pa folur këtu për rrugët nacionale)? Po kanalizimet e ujrave të zeza që plasin atje ku janë bërë investimet e reja dhe mungojnë në shumicën e fshatrave turistike e qyteteve turistike në vend? Po insektet, parazitët, qentë e gomerët? Po ata gjelat që këndojnë që pa u gdhirë, që të shkosh të zesh çadrën me peshqir apo me kanotjere se ta zenë të tjerët? Eh sa shumë kafshë. Po shumë ama. Shumë fare. Kafshë turistike.

Nuk mund të rri pa shkruar se sa herë që vjen sezoni i turizmit veror, fqinjët tanë nuk lenë gur pa lëvizur e artikull pa shkruar e media ndërkombëtare pa kontaktuar vetëm e vetëm për të thënë se në Shqipëri turizmi është në nivele të mjerueshme dhe kam përshtypjen time personale se edhe disa ngjarje të pazakonta jo të mira në qytetet bregdetare shqiptare në sezonin e verës janë të organizuara me ndërhyrjen e agjenturave të vendeve fqinje.

Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizimit ka edhe media, por fatkeqsisht, në Shqipëri vërehet një mospërfshirje e mediave dhe mangësi serioze konceptuale në marrëdhëniet që mund të krijohen midis mediave dhe operatorëve turistikë. Vetëm një televizion profesionist ka ndërmarrë një iniciativë për promovimin e turizmit në vend, dhe këtë e përballon me shpenzimet e veta, pa asnjë ndihmë e mbështetje nga shteti dhe operatorët turistikë dhe hotelierë. Shumë pak shkrime në gazeta e revista për turizmin në Shqipëri, qoftë për mirë apo qoftë edhe kritika. Shumë pak emisione audiovizive. Asnjë revistë e specializuar për turizmin, pa përmendur këtu ndonjë fletushkë paçavure linjash avioni. Asnjë material në CD për bukuritë natyrore, historinë, kulturën tonë. Asgjë. Asgjë. Asgjë. Kur, vende që as që mund të krahasohen me Shqipërinë për historinë, kulturën, traditat, veshjet, muzikën popullore, etj, investojnë miliona euro e dollarë për këto çështje.

Duket sheshit se ka mangësi të mëdha dhe serioze në marketingut, promovimin, forcimin e kapaciteteve turistike dhe manaxheriale si dhe në manaxhimin e destinacioneve turistike e lehtësimin e procedurave për turistët e huaj.

Një rol shumë të rëndësishëm mund dhe duhet të luajë Agjencia Kombëtare e Turizmit, e cila është për t’u theksuar se asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e vërtetë të kërkuar dhe profesionist, pasi, sipas mendimit tim personal, ajo është drejtuar nga persona të paaftë, ka një personel të paaftë dhe të patrainuar dhe nuk ka inciativë për veprim por pret vetëm urdhëra nga shefat e mëdhenj në qeveri.

Në zyrën e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit mund të gjesh ndonjë kalendar të pa vlerë të disa veprimtarive kulturore dhe artistike, që mund të zhvilllohen, por nuk ka një kalendar të vërtetë cilësor të këtyre veprimtarive që zhvillohen në shkallë vendi përgjatë vitit dhe, paralelisht me këtë, në asnjë qendër qyteti nuk ka të publikuar asnjë material promovues për veprimtaritë mujore kulturore dhe artistike që mund të zhvillohen në këtë apo atë bashki apo qytet dhe për këtë as edhe vetë kryetarët e bashkive me personel me dhjetra e qindra persona, as që e kanë idenë se si mund të bëhet kjo.

Gjithashtu, në zyrat e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit mund të gjesh ndonjë katalog me fotografi nga kështjellat kryesore në vend, por nuk ka asnjë material promovues për këto pika shumë të rëndësishme historike, kulturore, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit dhe të Evropës. Në asnjë kështjellë të Shqipërisë nuk gjen ndonjë material të shkruar për historinë e objektit, kush e ka ndërtuar, ç’farë është bërë atje, cilët kanë qenë personazhet më të rëndësishme historike që kanë jetuar apo kanë luftuar për atë kështjellë, etj si këto.

Shkurt muhabeti. Skandal skandalisht skandaloz.

Ndoshta në kokën e Kryeministrave, Ministrave të sektorit, Drejtorëve të Agjencisë së Turizmit, Drejtuesve të shoqatave të biznesit të hotelerisë dhe turizmit, Kryetarëve të bashkive, etj, ka patur dhe ka ide e pikëpamje nga të më ndriturat në historinë e zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe në planet, por e vërteta është se turizmi në Shqipëri nga një mundësi e madhe ekonomike, është një flluskë sapuni. Mesa duket ende dikush mendon se shqiptarët e hanë sapunin për djathë, por kur mëson se shumica e shqiptarëve, edhe pse me të ardhura jo të larta, preferojnë më mirë të bëjnë pushime më të shtrenjta jashtë vendit, se sa të bëjnë pushime në vendin e tyre, arrin të kuptosh se turizmi në Shqipëri as që e ka mundësinë të konkurrojë me turizmin në Turqi, Mal të Zi, Greqi, e jo më të konkurrojë me Maldivet, Afrikën e Jugut, Barcelonën, etj.

Koha për ndryshim në të tëra aspektet, duke filluar me njerëzit dhe me idetë që ata kanë në kokë.

Share: