Dje në media pati jehonë një ide e z.Edmond Spaho n/kryetar i Partisë Demokratike në lidhje me votimin e detyruar të shqiptarëve sepse zvogëlohet mundësia e blerjes së votës duke u rritur pjesëmarrja dhe këtë ligj e ka edhe Greqia.
Çdo ide e hedhur në publik nga njerëz me influencë që u vjen nga pushteti politik që gëzojnë në një Parti politike, apo nga personaliteti i tyre kthehet në temë debati sepse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në mënyrën e zgjidhjes së problemeve të shoqërisë,për rrjedhojë ndikojnë në jetët tona.
Kjo na jep të drejtën morale të reagojmë,por sigurisht brënda arsyes dhe asaj që na bashkon “e ardhmja e përbashkët” si opozitë dhe si qytetar.
Desha të them se një ide e tillë nuk sjell shije të mirë për publikun kur vjen nga një Parti e qendrës së djathtë siç është Partia Demokratike.
Së pari, mendoj se mungon argumenti politik që duhet të paraqesë një forcë politike liberale e qendrës së djathtë si PD e cila mekanizmat politikë i ngre mbi lirinë e individit duke zvogëluar egzistencën e shtetit. Në këtë rast vendosja e ligjit për të detyruar qytetarët të votojnë në zgjedhje është një masë shtërnguese që bie ndesh me filozofinë liberale.
Nga ana tjetër ushtrimi i të drejtës së votës, është një “e drejtë ” e qytetarit dhe si e tillë nuk mund të detyrohet me ligj. Sigurisht pajtohem me shqetësimin e blerjes së votës,por duhet gjetur mekanizmi për ta eleminuar.Unë kam bindjen e thellë se mospjesëmarrja në votime bëhet “pjesëmarrje” kur sigurohet realisht vota e lire për qytetarët.
Në zgjedhjet e fundit qytetarët patën intuitën ta kuptonin se ministrat teknikë nuk do të siguronin votën e lirë dhe nuk do të ndalonin dot blerjen e votës si “mall “dhe kjo u pa qartë që ndodhi,atherë qytetarët nuk u motivuan për ndryshimin.
Argumentat matematikorë për të shtuar pjesëmarrjen në votime jashtë kontekstit të logjikës politike nuk japin produkte politike.Pra mekanizmi për të arritur tek qëllimi është shumë i rëndësishëm sepse vetë ai ,prodhon efekte politike.(humbet ose shton votues).Vota e lirë nxit vullnetin për besimin politik,pra rrit pjesëmarrjen, bën çlirimin mental të qytetarëve, pra qytetarët fillojnë të vlerësojnë në mënyrë racionale realitetin e për pasojë të ardhmen dhe jo rrethanat emocionale të ngjallura nën presionin e fushatës.
Së dyti, referenca për një argument politik merret si vërtetësi ,për ta bërë argumentin të vërtetë. Në rastin e z.Spaho, referenca është Greqia si vend perëndimor,mirëpo është sipërfaqësore sepse Greqia me inisjativën e kryeminstrit Simits rreth vitit 1998 e ka shfuqizuar ligjin që detyronte qytetarët të votonin dhe të shprehnin besimin e tyre fetar i cili shënohej në pasaportë.
Ai e bëri këtë për arsye se ky ligj nuk funksiononte ,sepse morali politik i lirisë prevalon mbi ligjet në letër dhe të bëra në rrethana të caktuara ,ashtu si ligji i luftës me Shqipërinë i cili egziston,por që ka zero shanse të funksionojë ndërmjet dy vendeve që aderojnë në NATO.
Greqia sot nuk e ka një ligj të tillë dhe nuk kemi pse ta marrim shembull per të djeshmen sepse edhe ne dje kemi qenë një sistem diktatorial.
Prandaj gjykoj se një ligj i tillë do ta zhysë demokracinë e pakët që kemi sot në një vakum funksional.