Kush i vrau 4 djem të rinj në Shkodër në atë që njihet si masakra e 2 Prillit 1991? Kjo ngjarje ka mbetur pa autor dhe e veshur me mister edhe sot pas 26 vitesh. Asokohe ministër i Brendshëm ka qenë Gramoz Ruçi që sot është Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Pas emërimit të tij si kryeparlamentar, Gramoz Ruçi është akuzuar nga ish-të përndjekurit si sigurims i shtetit dhe se ka qenë i implikuar në krimet e regjimit komunist. Balkanweb ka publikuar një urdhër të brendshëm për forcat e policisë dhe të Sigurimit në lidhje me trazirat në Shkodër fill pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Sipas këtij urdhri jepet leje për të përdorur armë përgjatë protestave nga ana e policisë. Dokumenti është firmosur nga Gramoz Ruci, atëherë ministër i Brendshëm.
“Për të vepruar me forcën e shkopit nuk ka askush arsye të pyes përgjegjësin. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues mos shkojnë të armatosura”, shkruhet në urdhrin e brendshëm të 2 prillit 1991 të firmosur nga Gramoz Ruçi, atëherë ministër i Brendshëm.
Pas zgjedhjeve të Marsit 1991, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.
Për të rrëzuar regjimit dhe për të kontestuar zgjedhjet shpërthyen protestat, më e madhja dhe më e përgjakshmja ishte në Shkodër më 2 Prill ku u vranë 4 të rinj: Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka .Sot të shpallur martirë të demokracisë.
Në fotografitë më poshtë tregohen qartë e me detaje se çfarë ndodhi më 2 prill, në qytetin e Shkodrës.
*Dokumenti: Urdhëri i Rucit për tu përplasur me turmat dhe për të qenë në gadishmëri me qitës profesionisht/opinion.al
*Foto nga protesta e përgjakshme e 2 Prillit 1991
*Të vrarët e 2 Prillit