Home KRYESORE Qeveria, gjendja ekonomike e vendit dhe si duhet tl jetë të tatuarit...

Qeveria, gjendja ekonomike e vendit dhe si duhet tl jetë të tatuarit e Qeverisë Rama 2

Nga Kasem Seferi

Sistemi tatimor (legjislacioni tatimor dhe aktorët që veprojnë në emër dhe në përmbushje të kërkesave të tij) nuk duhet ta pengojë, ose ta zvogëlojë kapacitetin prodhues të ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.

Kjo aksiomë nënkupton se sistemi tatimor i një vendi, është në duart e admistratës tatimore, e cila: nuk duhet të mbledhë të ardhura me çdo mjet; por të gjejë mënyrën me të cilën të përpiqet të gjenerojë të ardhura; dhe të ketë efekt mbi barazinë e trajtimit të tatimpaguesve; për arsye se, në fund të fundit, ndikon mbi fatin politik të çdo qeverie dhe mbi nivelin e mirëqenies ekonomike.

Një dëshmi e pakundërshtueshme: në periudhën e një krize borxhi: dikush thotë se duhet një ulje e tatimeve, sepse një gjë e tillë do të rrisë fitimet e ndërmarrjeve dhe në në këtë mënyrë do të stimulohet veprimtaria ekonomike; të tjerë thonë se ajo që duhet me të vërtetë është rritja e tatimeve ekzistuese, që të stimulojë rritjen e të ardhurave tatimore, të cilat më pas stimulojnë shpenzimet e qeverisë.

Të marrë veç e veç, secili prej sugjerimeve të mësipërm, përmban disa grimca të së vërtetës, por ato janë krejt të njëanëshme, sepse nisen vetëm nga disa efekte direkte që duken, por nuk marrin parasysh efektet indirekte, për arsye se nuk mund të bëhen krahasime të madhësisë relative të efekteve dhe të kundërfekteve të ndryshme.

Prandaj, para së gjithash, studjues dhe ekspertë në zë, mendojnë se, me vlerë, do të ishte nëse do të adresoheshin çështjet që vijojnë: sistemi tatimor nuk duhet të shkojë në ato drejtime që e shtrembërojnë sjelljen e tatimpaguesve, duke shmangur ndryshimet e papritura që mund të çojnë në ristrukturimin domethënës të shitjeve me shumicë që mund të sjellë pasoja të paqëllimta.

Sistemi tatimor nevojitet të jetë më pak kompleks dhe më i qendrueshëm, me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë parashikimeve të bizneseve, duke rishikuar volumin e legjislacionit tatimor dhe ndryshimeve të tij; pra, t’i shërbejë kontekstit të konkurrencës tatimore në kuadër të integrimit rajonal dhe global; të adresohet në ato drejtime themelore që tërheqin investimin e huaj; të jetë i thjeshtë dhe homogjen me qëllim që të japë biznesit sigurinë që i nevojitet; t’i shërbejë stabilitetit afatgjatë me qëllim që bizneset të adoptojnë strategji afatgjata; të zbatojë parimin: “mendo më së pari për biznesin e vogël” në ndryshimet e legjislacionit tatimor; të ketë nivelin e duhur të transparencës dhe stabilitetit, që ta risigurojë dhe inkurajojë biznesin e vogël.

Pra, një gjë e tillë kërkon që qeveria, në mënyrë të qendrueshme, duhet të këshillohet me komunitetin e bizneseve dhe individëve tatimpagues në lidhje me çështjet tatimore, veçanërisht, në çështjet e zvogëlimit të kompleksitetit dhe barrëve të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor, sidomos në periudhën e ndikimit të krizës financiare dhe jo të bëjë gjoja se po konsultohet me komunitetin e tatimpaguesve.

Nga këndvështrimi i komunitetit të tatimpaguesve besohet se të tatuarit është një mjet ekonomik dhe social dhe, si i tillë, ai, në mënyrë të pashmangshme, duhet ndryshuar në përkatësi me natyrën dhe zhvillimin e sektorëve të biznesit dhe të ekonomisë së vendit.

Nuk ka dyshim se një sistem tatimor i qartë është mënyra më e mirë për të arritur të ardhura në përputhje me kërkesat e kohës si dhe për të çuar përpara, ose për të ruajtur rritjen ekonomike të vendit, ndërsa një sistem i paqartë (siç ka qenë deri më sot) nuk mund t’i shërbejë interesave të shumicës së popullsisë tatimpaguese.

Le të thuhet troç: njerëzit i paguajnë tatimet për dy arsye, së pari, pjesa më e madhe e dinë edhe pse e pranojnë me gjysmë zemre se pagimi i tatimeve është detyrë e çdo qytetari dhe, së dyti, ata e dinë se ligji kërkon pagimin e tatimeve dhe se evazioni tatimor është një krim për të cilin ligji parashikon ndëshkime.

Në këtë kuptim, çështjet praktike të administratës tatimore për përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor janë rrugëzgjidhjet për të forcuar secilin prej arsyeve të mësipërme; pra, sa duhet shpenzuar dhe si duhen organizuar masat shtrënguese për t’i çuar ato drejt përmbushjes së legjislacionit tatimor, si dhe për të arritur rezultatet më të mira për çdo lek të harxhuar.

I madhi Albert Ajnshtajn ka thënë se “mungesa e logjikës qëndron në të bërit gjithnjë e më shumë të njëjtën gjë.”.

A ka ndonjë mënyrë që t’i bësh të gjithë tatmpaguesit të kënaqur me tatimet, për arsye se ajo çfarë është e mirë për vendin nuk mund të jetë e mirë për investitorët – tatimpagues?!

Qeveria Rama 2 kërkon të mbledhë më shumë tatime, ndërsa investitorët – tatimpagues kërkojnë të paguajnë minimumin e tatimeve me qëllim që të maksimimizojnë pozicionet e tyre financiare.

Kjo është një zgjidhje që tërheq investitorët – tatimpagues dhe që e lejon administratën tatimore të mbledhë një shumë të drejtë tatimesh, që qendron pikërisht te thjeshtëzimi dhe te stabiliteti i sistemit tatimor, formulë e cila bazohet në zvogëlimin e kostove dhe të përpjekjeve që duhet të bëhen si nga administrata tatimore ashtu dhe nga investitorët – tatimpagues.

Për administratën tatimore një formulë e tillë funksionon për të zvogëluar kostot e vlerësimit dhe mbledhjes së tatimeve kështu që rezultati i ekuacionit “të ardhura tatimore minus kostot” të jetë pozitiv, ndërsa për investitorët – tatimpagues, formula funksionon për të minimizuar kostot shoqëruese të pagimit të tatimeve, gjë që shprehet nga ekuacioni “tatimet e paguara plus kostot e pagimit të tyre” që gjithashtu është pozitiv.

Për administratën tatimore operimi i sistemit tatimor përfshin disa lloje të kostove administrative ku ndër më të zakonshmet përfshihen: stafi dhe burimet, infrastruktura, trajnimet dhe ndërmjet të tjerave kostot për vlerësuar, mbledhur, zgjidhur kërkesat për rimbursime, peticionet dhe apelimet.

Për sektorin privat (të investitorëve – tatimpagues) kostot tatimore përfshijnë jo vetëm shumë e tatimit në vetvete, por gjithashtu të ashtuquajturat kosto të zbatimit të legjislacionit tatimor, që rezultojnë kur fillon biznesi dhe më pas, në mënyrë periodike, gjatë cilleve të jetës së biznesit.

Këto kosto zakonisht përfshijnë: (a) pagat e stafit që i përkushtohet përgatitjes së deklaratave tatimore dhe mbajtjes së informacionit tatimor gjatë vitit; (b) koston e trajnimit të rregullt të stafit të specializuar dhe (c) pagesat për ekspertët e jashtëm të tillë si ekspertët tatimorë, ekspertët kontabël/kontabilistët e miratuar për çështje të ndryshme si këshillimi dhe plotësimi i apelimeve tatimore.

Si kostot administrative ashtu dhe ato të zbatimit të legjislacionit tatimor zakonisht bëhen më të mëdha si pasojë e ndryshimeve në strukturën tatimore, gjë që do të thotë se përveç kostove të rregullta, mund të shtohen edhe kosto të tjera që korigjojnë kostot në lidhje me ndryshimet në strukturën tatimore për administratën tatimore dhe investitorët – tatimpagues sipas ekuacioneve të lartpërmendura.

Kyç për zvogëlimin e kostove të administrimit dhe kostove të zbatimit të legjislacionit tatimor është thjeshtëzimi i tërë strukturës tatimore, gjë që mund të arrihet nëpërmjet thjeshtëzimit (i) të sistemit tatimor, (ii) legjislacionit tatimor dhe (iii) zbatimit të rregullave tatimore.

Thjeshtëzimi i sistemit tatimor ose strukturës nënkupton zvogëlimin e numrit të tatimeve me anë të atyre tatimeve që janë më të thjeshta për t’u paguar dhe mbledhur; nënkupton hartimin e ligjeve të thjeshta dhe të kuptueshme si dhe zvogëlimin e shtrembërimeve (për shembull, përjashtimet dhe shfajësimet); nënkupton komunikimin në mënyrë direkte dhe efektive të rregullave tatimore për sektorin përkatës, ose sigurimin e secilit grup të tatimpaguesve me informacionin e saktë që u nevojitet atyre, as më pak dhe as më shumë.

Bërja e legjislacionit tatimor më të lehtë për ta kuptuar nënkupton një gjuhë më të thjeshtë, që shmang përdorimin e termave dhe koncepteve me kuptime të ndryshme në krahasim me kuptimin e zakonshëm të fjalëve; e rëndësishme është gjithashtu që kushtet që përmban secili ligj tatimor të jenë në harmoni për të shmangur diferencat në kuptim dhe në fushën e veprimit; një nga mënyrat që sugjerohet nga ekspertët për thjeshtëzimin e legjislacionit tatimor është organizimi i të gjithë ligjeve tatimore në një kod të vetëm.

Sipas ekspertëve, tatimpaguesit dështojnë për zbatuar legjislacionin tatimor “për arsye se ata nuk dijnë se si ta bëjnë atë, kërkon shumë përpjekje për ta bërë një gjë të tillë, ose është tejet e kushtueshme për ta bërë atë”; gjithashtu thuhet se “një ligj tatimor që është i lehtë për ta kuptuar, relativisht, mund të jetë i vështirë për ta zbatuar”.

Në terma të përgjithshëm, për administratën tatimore ka më shumë kuptim të ulë përqindjet tatimore ndërkohë që zgjeron bazat tatimore në krahasim me koston e lartë të sigurimit të nxitësve për pak tatimpagues nëpërmjet justifikimeve dhe përfitimeve të tjera me arsyen e thjeshtë: tatime më të thjeshta dhe përqindje më të ulta zvogëlojnë evazionin tatimor si dhe kostot administrative.

Edukimi i tatimpaguesve dhe thjeshtëzimi i zbatimit të rregullave tatimore janë një mjet i rëndësishëm në duart e administratës tatimore, për arsye se një përpjekje nga ana e administratës tatimore në sigurimin e informacionit të drejtë dhe të saktë për tatimpaguesit bën të mundur që ata të mos shpenzojnë kohë dhe para për të kuptuar një ligj tatimor që nuk zbatohet për ata.

Kjo përfshin thjeshtëzimin e deklaratave tatimore dhe sigurimin e udhëzimit dhe si shkëmbim për një përpjekje të tillë administrata tatimore do të kursejë kohë kur merr deklaratat tatimore të plotësuara në mënyrë të saktë, pagesa në kohë dhe në shuma të sakta, që i kursen asaj kohë dhe para për interpretimin e legjislacionit tatimor si dhe për apelimet.

Rritja e risqeve të zbulimit për tatimpaguesit sigurisht do të ndihmojë në mbledhjen e tatimeve, për arsye se në qoftë se është më e lehtë dhe më e lirë të paguash tatime se sat ë marrësh përsipër riskun e të qenit i ndëshkuar, zgjedhja është e dukshme; dhe, në qoftë se është më e lirë dhe me e lehtë të paguash tatime se sa të paguash këshilltarë tatimorë, ose ekspertë kontabël/kontabël të miratuar, zgjedhja gjithashtu është e dukshme.

Vendimi i investitorëve për të investuar në një vend varet nga shumë faktorë, një prej të cilëve është tatimi dhe pikërisht ashtu si pjesëmarrja për një palë kontribuese ku mikpritës është administrata tatimore dhe miqtë janë investitorët: në qoftë se muzika dhe ushqimi janë të mira gjatë tërë natës dhe kosto e kontributit nuk është tejet e lartë, përse të mos shkojnë sa herë i fton?

I ftoj ministrat përfshirës në këtë “domain” të më kundërshtojnë, të më sfidojnë, etj, por,natyrisht, nëpërmjet këshilltarëve eunukë, që përfaqësojnë thënien popullore: “Më thuaj me kë rri, të të them se cili je.”.

Ju pres, o vemje!!!

Kasem Seferi – ekonomist/perqasje.com

Share: