Nga Nikollaq Neranxi
Fëmijët e Shkozës nuk mund ta kuptojnë çfarë “shteti” kërkon të bëjë Rama në kurriz të jetës së tyre!
Pasi panë që u braktisën nga shteti për tu lënë në mes të katër rrugëve, banorët e Shkozës po protestojnë sot para Ambasadës Amerikane të cilës i janë drejtuar edhe me një letër: “Pasi kemi trokitur në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje, mendojmë se mundësia e vetme për ne është ndërhyrja nga ana juaj” – shkruajnë ndër të tjera banorët e Shkozës. Këta fëmijë të vegjël të cilët duhet të ishin duke bërë detyrat për nesër në shkollë, janë detyruar nga shteti i papërgjegjshëm të dalin rrugëve me parrullat “Duam strehim”.
Nuk ka asnjë vepër publike (që në fakt bëhet për tu shërbyer njerëzve), që të jetë më e shenjtë se jeta e vetë njerëzve.
Vetëm një kryeministër i papërgjegjshëm mund ta justifikojë sfilitjen dhe lotët e këtyre fëmijëve, me tezën që po bën shtet! As nuk mund t’i tallë duke iu thënë se do iu japë bonos qiraje që t’i mashtrojë sa t’i zbojë që aty. Atyre njerëzve po iu prishen shtëpitë, dhe shteti duhet t’ju sigurojë shtëpi, nuk mund t’i lërë rrugëve!
Si sipërmarrës dhe si Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtëpive, pronave dhe Historisë Himarë”, komunitet që gjithashtu po kërcënohet me dëbim nga shtëpitë e tyre (autoktone në këtë rast), ne jemi në krah të këtyre banorëve dhe i bëjmë thirrje Kryeministrit që t’u japë zgjidhje e t’ia kursejë këtij populli të sfilitur nga varfëria, drama të tilla si dëbimi nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu iu bëj thirrje të gjithëve që të mos jeni indiferentë në raste të tilla. Solidariteti tregon se jemi një shoqëri e emancipuar dhe e bën çdo qeverisje më të përgjegjshme.