Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim me përfaqësues të biznesit të vogël. Basha ka folur me shitësit në Paskuqan për futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH, propozim i bërë nga qeveria Rama dhe që do të vihet në zbatim që prej janarit të vitit 2018.
Por kjo ka hasur kundërshti nga përfaqësues të biznesit të vogël, edhe në takimin me Bashën ata kanë shprehur shqetësimet e tyre se me vendosjen e saj do të riten kostot dhe kjo do ti detyrojë ata të ngrenë çmimet.
Ata i kanë shprehur ankesa kreut të opozitës për situatën e krijuar, por ky i fundit i ka siguruar që PD nuk do të dakortësohet dhe do të luftojnë që kjo të mos ndodh.
“Biznesi i vogël me të cilën mbahen mijëra familje në zonën e Paskuqanit e quan shkatërruese futjen në skemën e TVSH-së. Rrit kostot, dhe do ti detyrojë ata të ngrenë çmimet. Edhe me çmimet aktuale, shprehen ata, mezi e mbyllin muajin. Unë i garantova se Partia Demokratike do të kundërshtojë dhe do të luftojë që kjo të mos ndodhë. I ftova të bashkohen në këtë betejë, për të mos lejuar këtë çmenduri të qeverisë që sjell falimentimin e biznesit të vogël dhe rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës për gjithë qytetarët”, shkruan Basha në faqen e tij në facebook.