Nga Nikollaq Neranxi
Përshëndetje miq! Sot isha pjesë e mbledhjes që u bë në Himarë mes Ministrave Kumbaro dhe Gjiknuri dhe banorëve që preken nga projekti i rikualifikimit urban, që në fakt është thjeshtë dhe vetëm projekti i grabitjes së pronave të himariotëve dhe i dëbimit nga trojet e tyre.
Siç e keni ndjekur edhe nga mediat, situata në Himarë sot ka qenë e papreçedentë, banoret ishin nen terror policor. Aq shumë forca policie dhe civilë të armatosur sa ç’kishte sot në Himarë, nuk i gjen as në aksione ku duhet të kapen bandat më të rrezikshme kriminale!! Në mbledhje nuk u lejua asnjë media, një gjë skandaloze kjo dhe mungesë transparence për të manipuluar më pas lajmin.
Brenda në sallë kishte civilë që nuk të lejonin të nxirrje as celularin për të regjistruar çfarë po thuhej! Ndërkohë ministrat, me arrogancën e të gjithpushtetshmit, shfaqeshin të vendosur për të vijuar shkatërrimet, edhe pse banorët nuk ishin dakord.
Në cilësinë e njërit prej banorëve që më rrezikohet shkatërrimi i shtëpisë mbi 400 vjeçare në Spile dhe si Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave dhe Historisë Himarë, unë kundërshtova propozimin e Gjiknurit që të pajisen me çertifikatë pronësie vetëm banorët e zonës që preken nga ky projekt. Unë kërkova që në fillim të pajisen me çertifikata pronësie për shtëpitë dhe tokat e trashëguara, të gjithë banorët e Himarës, pastaj të diskutohej mbi projektin.
Gjithashtu kërkova transparencë për projektin, pra çfarë do të ndërtohet në Himarë? Deri tani na kanë treguar 4 projekte të ndryshme dhe askush nuk merr përsipër të na spjegojë se çfarë do bëhet aty.
Më konkretisht, pyetjes se çfarë do ndertohet aty ku është shtëpia ime dhe e komshiut tim, asnjëri nga ministrat dhe as Kryetari Goro, nuk i dhanë përgjigje. Kjo, sigurisht sepse përgjigja dihet, duan të na largojnë ne, që të ndërtojnë vilat dhe hotelet e tyre!
Në fund u ra dakord që të krijohet një komision për regjistrimin e pronave, por përsëri shumë pyetje mbeten pa përgjigje.
Më poshtë në link do lexoni edhe një fake news të dhënë sot nga Top-Channel. Në fakt edhe këtë e kishim parashikuar, prandaj iu bëra thirrje banorëve dy ditë më parë që të ishin prezent aty. Por përfundimisht, këta pushtetarë e kanë sëmundje manipulimin.
I bëj thirrje ministrit Gjiknuri të përgënjeshtrojë fjalinë “Banorët e pritën pozitivisht planin”, sepse është turp i madh një mashtrim i tillë, sepse asnje nga ne nuk ra dakord me propozimet qe jane ne kundershtim me interesat tona.
Himariotët i bejne thirrje gjithashtu kryeministrit Rama që të heqë dorë nga plani i grabitjes dhe dëbimit të himariotëve, sepse ne nuk do ta lejojmë!