Erina Vlashi është një ato të reja shqiptare që shkoi në Amerikë për të vazhduar studimet dhe prej arritjeve të shkëlqyera sot është asistente Profesore në Universitetin e Kalifornisë në Los Angelos, një nga më prestigjiozet të SHBA në kërkimet shkencore për shërimin e kancerit.
Erina Vlashi, kjo shkencëtare shqiptaro-amerikane është një krenari kombëtare sepse të gjitha arritjet e saj i dedikohen punës të saj këmbëngulëse.
Unë Erinën e njoh që kur ishte e vogël. Kemi banuar në të njëjtin pallat në Tiranë. Ishim si një familje e madhe. Erina sapo mbaroi gjimnazin Ismail Qemali me rezultate të shkëlqyera shkoi në SHBA në një familje Amerikane për të vijuar shkollimin universitar dhe sot ajo është një shkencëtare me emër, që këtë vit u nderua me çmimin prestigjioz nga Shoqata Amerikane e Radioterapise Onkologjike (ASTRO).
Lexuesit të respektuar po i sjell këtu njoftimin që jep shtypi amerikan në shkrimin e titulluar: “Shkencëtarja në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles merr çmim prestigjoz”.
Artikulli më poshtë vijon:
“Një shkencëtare në Qendrën e Kancerit te Universiteti i Kalifornias në Los Angeles (UCLA) ka marrë një çmim prestigjoz nga Shoqata Amerikane e Radioterapisë Onkologjike (ASTRO) prej 100,000 dollarë në vit për dy vjet rresht.
Ky çmim jepet një herë në vit, vetëm nje profesori në Amerikë që është në fillimet e karrierës për kërkime shkencore për kancerin. Këto fonde kanë për qëllim të mbështesin kërkimet shkencore që përqëndrohen te radioterapia për kancerin, biologjia dhe fizika e radioterapisë së kancerit.
Profesoresha Erina Vlashi, profesoreshë asistente, në Departamentin e Radioterapisë Onkologjike në Shkollën e Mjeksisë David Geffen në UCLA do t’i përdori fondet e çmimit për të thelluar kërkimet rreth ndryshimeve që radioterapia shkakton në metabolizmin e qelizave të kancerit që mund të rezultojnë në reziztencë ndaj kësaj terapie që përdoret për të trajtuar rreth 70% të pacientëve me kancer. Këto kërkime do të hedhin dritë mbi mënyrën se si qelizat kanceroze riprogramojnë metabolizmin e tyre jo vetëm për të plotësuar kërkesat e larta metabolike qe ushqejne shumfishimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të tyre por edhe për të riprogramuar funksionin e tyre që mund të rezultojë në rezistencë kundër radioterapisë.
Jonsson Comprehensive Cancer Center (JCCC) në UCLA ka rreth 500 shkencëtarë dhe doktorë që janë të angazhuar në kërkime rreth kancerit, parandalimin, diagnostikimin, terapinë dhe kurimin.
JCCC është një nga qendrat e kancerit më të mëdha në Amerikë dhe i është dedikuar promovimit të kërkimeve shkencore dhe aplikimit të zbulimeve që rezultojnë nga këto kërkime në klinikat onkologjike me qëllimin për t’ju ofruar pacientëve të kancerit terapitë më të reja dhe më efektive.”
Këtë çmim prestigjioz e merr pikërisht shkencëtarja e re shqiptaro-amerikane Erina Vlashi e cila e ka fituar këtë çmim me punën e saj brilante në kërkimin shkencor për kurimin e kancerit.
Erina Vlashi sot jeton si shtetase Amerikane me familjen e saj në Kaliforni, ku ajo gëzon respektin dhe besimin e merituar nga stafi shkencor që e vlerësoi Erina Vlashin me çmimin prestigjioz.
Natyrisht Erina Vlashi ka provuar dhe vërtetuar se besimin e treguar ndaj saj, ajo e shpërblen me arritje të shkëlqyera si kontribut për ta mundur sëmundjen e shekullit.
Erina Vlashit i urojmë sukseset më të larta sepse arritjet e saj i takojnë gjithë shqiptarëve. / Elida Buçpapaj/VOAL