Home KRYESORE Shkarkimi i Drejtoreshës, zbulohet prapaskena…Ja çfarë i kërkoi Presidentit Meta pak javë...

Shkarkimi i Drejtoreshës, zbulohet prapaskena…Ja çfarë i kërkoi Presidentit Meta pak javë më parë

Mëngjesin e sotëm ka tërhequr vëmendjen e publikut shkarkimi nga detyra e Xhoi Jakajt,  drejtoreshë e Burgut të Grave në Tiranë. Ajo u shkarkua nga detyra pa ndonjë motivacion me bazë. Jakaj u bë e njohur kur disa muaj më parë kërkoi lirimin nga burgu të 4 grave të moshuara me sëmundje të rëndë.

Xhoi Jakaj, teksa njofton shkarkimin e saj në Fb, nuk e përmend këtë fakt, por shprehet:

“Të dashur miq. Si per ironi të fatit, më datën 10 është emërimi dhe shkarkimi im si Drejtore e burgut të grave. Sot dorëzova detyrën në formën më qytetare e të civilizuar. Qeveria aktuale nuk e pa të arsyeshme, vazhdimësinë time në këtë detyrë.

Gjatë 22 muajve ne drejtimin e atij institucioni zbatova me përpikmëri ligjin, por nuk kam reshtur as nuk do resht së foluri dje, sot, nesër e përgjithnjë, ne mbeshtetje te njerezve ne nevoje edhe nese ajo ka kosto, ne punen e jeten time ka vend ndershmeria, virtyti, dhe e verteta.”

SHTATOR 2017, JAKAJ I DREJTON LUTJE, METES, PER LIRIMIN E 4 TE BURGOSURAVE TE SEMURA RENDE

Katër gra, të cilat vuajnë dënimin e tyre në burgun “325” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, kanë nevojë të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë të lira edhe ato vite që u ka mbetur nga jeta. Drejtoresha e burgut të grave, Xhoi Jakaj kërkoi në shtator 2017, nga Presidenti i Republikës të jepet një amnisti e veçantë për katër gratë mbi moshën 65-vjeçe, të cilat janë të sëmura.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Jakaj tregon se të dënuarat H. A., 74 vjeçe; E. Ç., 62 vjeçe (është e sëmurë me kancer); K. Sh., 69 vjeçe dhe D. M., 64 vjeçe (preferojnë të mos u publikohet identiteti i plotë), për shkak të moshës së tyre dhe sëmundjeve që ato kanë, nuk mund ta përballojnë dot jetesën në dhomat e burgut.

Rasti që drejtoresha specifikon, është ai i të dënuarës 62-vjeçare. Edhe pse ajo nuk ka mbushur ende 65 vjeçe, Jakaj thotë se ajo duhet të lirohet që të diagnostikohet në kushte më të mira për sëmundjen që e dënuara ka. Vitin e kaluar, Presidenti nuk e ka aprovuar kërkesën e bërë nga drejtoresha e burgut, për shkak se Parlamenti kishte dhënë amnisti të veçantë për një të burgosur. Por, ajo nuk i humbet shpresat për të ndihmuar dhe realizuar dëshirën e madhe grave të dënuara. Jakaj shprehet se përsëri këtë vit, do të realizojë një tjetër kërkesë për dhënie amnisti të veçantë për katër zonjat e mësipërme.

Drejtuesja e burgut tregon edhe për përballjen e saj me shoqërinë civile, për kërkesën e veçantë që ajo i bën Presidentit. Ajo thotë se pyetja më e shpeshtë që i bëhet është: “Si ka mundësi që kërkon të lirohen gra që kanë bërë një krim”. Për të ka një përgjigje edhe kjo pyetje. Ajo kërkon me doemos lirimin e katër grave, pasi ato janë në një moshë të madhe dhe kanë dënim të lartë dhe, nëse ato nuk lirohen me amnisti të veçantë nuk mund të dalin asnjëherë prej burgut. Në burgun e grave që ndodhet në lagjen “Ali Demi”, ndodhen 100 të burgosura në të dyja regjimet e burgut. Sipas drejtoreshës, kushtet në këtë institucion janë tepër të vështira për t’i përballuar një e dënuar që diagnostikohet nga një sëmundje e rëndë.

Zonja Jakaj, ditët e fundit keni bërë një apel për disa të burgosura, mund të na tregoni rreth këtij rasti?

Në burgun e grave gjenden katër zonja, që janë mbi 65-vjeç. Pavarësisht veprave penale që ato kanë kryer, njëra prej tyre është për vrasje, ndërsa tre të tjera janë për vepra penale norme që ndodhin në shoqërinë transitore, postkomuniste, në shoqëri të lënduar apo me probleme. Të gjithë, dita-ditës po e kuptojmë se sa dramë ka brenda familjeve shqiptare. Pra, nuk ka ditë që ne nuk dëgjojmë që një grua u vra me sqepar, me sopat, me armë. Ndodh shpesh që mua më bëhet një pyetje, ku më thonë: Drejtoresh, pse ka kaq pak gra në burg, duke qenë se është vetëm një burg grash. Në këtë burg janë 100 gra në të dyja regjimet, paraburgim dhe burgim. Përgjigjja që unë kam dhënë ka qenë: Ose i kanë vrarë burrat dhe nuk jetojnë më, ose pranojnë dhe vazhdojnë e durojnë dhunën pafund. Nga eksperienca dhe materialet që kam mbledhur, këto të dyja janë elementet kryesore.

Pse pikërisht jeni fokusuar tek mosha e 3-të?

Kur mora detyrën si drejtoresh e burgut të grave, u fokusova shumë tek adoleshentet (mosha 18-21 vjeç) dhe tek mosha e tretë. Ishte në paraburgim kur mora unë detyrën, një zonjë e veshur me të zeza që qante vazhdimisht. Përpiqesha që sa herë futesha në regjim, t’i vija dorën mbi supe, ta ledhatoja, ta përkëdhelja, pavarësisht veprës penale, sepse një drejtor nuk duhet të gjykojë kurrë veprën penale. Unë shpesh takohem me shoqërinë civile dhe më thonë: Ua! Po ato kanë vrarë, ato kanë bërë krim. Por unë, nuk e përligj krimin, nuk e gjykoj një të burgosur për veprën penale që ka kryer sepse askush nuk e di në ç’rrethana është gjendur kur e ka kryer atë vepër penale. Drejtori duhet të ketë një lloj ekuilibri, të japë një lloj rregullsie për punonjësit, për të burgosurit. Unë për të katër gratë e moshës së tretë, para një viti bëra një kërkesë tek Presidenti i Republikës, i cili ka lënë tashmë detyrën, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ndoqa të gjithë rrugën ligjore, për faljen e dënimit të këtyre zonjave për shkak të moshës. Rezultonin se ishin mbi 65-vjeç. Nuk u akordua falja e veçantë për këto, sepse atë vit ishte bërë një falje.

A morët një përgjigje nga Presidenti lidhur me kërkesën që bëtë?

Po, kam një përgjigje nga ana e Presidentit, por ishte akorduar një falje nga Parlamenti për Burgjet dhe nuk u pa mosha e zonjave, pasi nuk ishte kriter. Atë kërkesë do ta ripërsërit përsëri këtë vit. Dy prej këtyre katër të burgosurave kanë shumë e shumë vite për të bërë. Pra, në qoftë se nuk akordohet një falje për to, ato nuk do të mund të dalin kurrë nga burgu. Njëra është 74-vjeçe dhe tjetra është 65-vjeçe dhe kanë vite shumë për të kryer dhe në bazë të viteve, nuk mund t’ia akordojë faljen. Por, ndoshta për këto zonja që janë mbi moshën 65-vjeçe mendoj se duhet të ketë një lloj amnistie të veçantë.

Kush janë këto zonja që u nevojitet liria, mund t’ia themi emrat?

Vet ato nuk e kanë me qejf të dalin me emra, por mund t’i themi inicialet e tyre. H. A., 74 vjeçe; E. Ç., 62 vjeçe (është e sëmurë me kancer); K. Sh., 69 vjeçe dhe D. M., 64 vjeçe. Për 62-vjeçaren E. Ç., unë kam bërë posaçërisht kërkesën për ta liruar, vetëm sepse është e ekzaminuar me kancer. Ka kaluar një kimio para dy-tre vitesh dhe e ka kaluar përsëri. Por, ne e kapëm në kohë, por nëse nuk do ta kapnim në kohë do të kishte pasoja. Unë futesha shpesh në dhomat e tyre dhe secila shpreh shqetësimet që me vetveten. Ne e dërguam menjëherë në spital dhe u ekzaminua që po i ripërsëritej përsëri. Ajo ka kryer një vepër penale që nuk është me rrezikshmëri dhe kjo zonjë tani është 62-vjeçe dhe nuk ka më rrezik për shoqërinë. Prandaj, pse mos të dalë dhe këtë kimio ta realizojë në shtëpinë e saj. Pasi të ekzaminohesh me kancer nuk është e lehtë. Mbi bazën e saj, më lind e drejta që dikush duhet të kërkojë. Pra, të katër këto gra nuk kanë asnjë lloj rrezikshmërie për shoqërinë, sepse veprat penale për të cilat ato janë përfshirë janë të nivelit që nuk mendoj se përbëjnë ndonjë lloj rreziku.

A mund të na tregoni rreth kushteve të tyre të jetesës në burg? I përballon mosha dhe sëmundja e tyre kushtet e burgut?

Ato qëndrojnë në një dhomë me gjashtë persona të tjerë. Momentin që fillon e realizon kimioterapinë, ajo nuk do të jetë shqetësim vetëm për vete, por do të jetë edhe për pjesëtarët e tjerë të dhomës. Por ne nuk kemi kushte, sepse ky është një burg i amortizuar dhe nuk mund të sigurojmë një dhomë. Për shkak të numrit të grave, nuk e sigurojmë dot një dhomë të veçantë vetëm për këtë zonjën që është ekzaminuar me këtë sëmundjen e rëndë. Kështu që, në të gjitha pamjet, gjendemi në vështirësi të jashtëzakonshme. Kjo vështirësi na vë të gjithëve në një lloj gjendje emocionale që sa herë hyjmë brenda e vazhdojmë punën e përditshme me regjimin, përballemi me sytë e saj që kërkojnë një lloj mëshire, një lloj mbështetje. Në fakt, këto zonja që gjenden këtu nuk duan t’i mishërosh, por u pëlqen shumë t’i ndihmosh, t’i mbështetësh, t’u thuash një fjalë të mirë, t’i krijosh lidhje me fëmijët, të mos i paragjykosh pasi e kanë shumë problem. Duke qenë se është vetëm një burg grash dhe unë jam drejtoreshë e këtij institucioni, e kam ndërtuar mbi baza shumë të shëndosha ekuilibrin mes punonjësve të Policisë, punonjësve të edukimit dhe të dënuarve të paraburgosur. Të dy palët respektojnë shumë njëri-tjetrin.

Thatë që një e dënuar është e diagnostikuar me kancer, por tre të tjerat vuajnë nga ndonjë sëmundje?

E dënuara H. A., është 74-vjeçe dhe për pak ajo do të mbushë 75-vjeçe dhe kjo vuan nga gjithçka për shkak të moshës që ajo ka. Pra është e moshuar. K. Sh., është 69 vjeçe. Nuk vuan nga ndonjë sëmundje, por unë kërkoj lirimin e saj pasi ka shumë vite dënimi. Unë po kërkoj një lloj amnistie për to. Ndërsa D. M., është 65 vjeçe dhe ka një dënim të lartë. Lidhur me kërkesën që unë kam bërë për këto gra, shumë më thonë se si ka mundësi që kërkon lirimin e një të burgosure që ka kryer krim.

Çfarë duhet të bëhet për këto gra?

Unë do t’i drejtohem fillimisht mbi baza ligjore Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo e fundit do ta përcjellë në Parlament, për një amnisti të veçantë për gratë mbi 65-vjeçe, kryesisht ato që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Pavarësisht viteve që atyre u kanë mbetur nga dënimi, zë fill për arsye shëndetësore për katër zonjat që janë në burgun e grave. Këtë gjë nuk e kërkojnë vetë ato. Gratë më thonë mua çdo ditë kërkesa, pasi sëmundja bën të vetën./Shekulli

Postimi në Facebook

“Në IEVP “Ali Demi”, Tiranë, ka tre zonja të moshuara dhe të sëmura. Për të tre zonjat, kam drejtuar kërkesë para një viti Presidentit për falje. Do e përsërisim edhe sivjet në prag të vitit të ri. Njëra prej tyre është ekzaminuar me një sëmundje të rëndë dhe unë me sektorin e juridikut i kemi bërë një kërkesë Avokatit të Popullit për ta mbështetur me ndihmë juridike. Po presim e shpresojmë… Pak më poshtë po ndaj me ju një sms mirënjohëse nga njëri prej familjarëve të të dënuarës në inbox-in e FB-ut të punës.

Mirëmbrëma zonja drejtoresh, si jeni? Desha t’ju falënderoj për përkthimin falas që i bëtë epikrizës së mamasë dhe gjithashtu desha t’ju falënderoj për menunë e ushqimit dhe shërbimit ndaj nënës time, si dhe dashurinë që ju i tregoni asaj sa herë e takoni. Faleminderit shumë për të gjitha, zoti t’ju begatojë me gjithë të mirat. Me respekt N. C….

Unë e bëj gjithçka me dëshirë dhe pa sforcime, e ndjej që kam ardhur në këtë botë të ndihmoj njerëzit e vuajtur, me probleme. Nënë Tereza ka thënë: Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por bëjmë gjera të vogla me dashuri të madhe./syri.net

Share: