Kontrata e shit-blerjes së makinës “Audi A8” nga ana e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka zbuluar të dhëna të tjera në lidhje me përdorimin e mjetit.
Dokumenti është publikuar nga “Shqiptarja.com”, ku mësohet se mjeti është blerë nga Tahiri për 21 mijë euro dhe është shitur tek Artan Habilaj, pas vetëm 9 muaj përdorimi për 980 mijë lekë të reja, që janë rreth 7 mijë euro.
Sipas kontratës së blerjes së makinës Audi A8 më 27.02.2013 shtetasi Saimir Bashkim Tahiri e ka blerë nga shtetasi Naim Loci nga Fushë Kruja për 21 mijë euro këtë automjet. Kjo makinë ishte viti i prodhimit 17.09.2008.
Ndërsa sipas kontratës së shitjes së po kësaj makine Audi A8 me targa AA 003 GB të vitit të prodhimit 2008, nga Saimir Bashkimi Tahiri tek shtetasi Artan Habilaj, del se ajo është shitur për 980 mijë lekë të reja.
Pra kjo makinë është përdorur për vetëm 9 muaj nga Tahiri dhe është shitur sa një e treta e vlerës që ai e ka blerë. Nuk dihet arsyeja që e ka shtyrë ministrin e sapo emëruar në atë periudhë që t’ia shiste makinën e tij kushërinje të largët për një vlerë mjaft të vogë nga sa e kishte blerë./opinion.al