Taksa që do të paguajnë qytetarët për banesën do të bazohet në vlerën e ndërtesës, ku vlera e saj do të mbetet e pandryshuar, por do të ndryshojë metodologjia: Kush ka shtëpi më të madhe do të paguajë më shumë dhe ai që ka shtëpi më të vogël do të paguajë më pak.
Kryeministri Rama gjatë mbledhjes së zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit u shpreh: “Kalojmë te taksa e sheshtë për ndërtesat tek një taksim që bazohet tek vlera e ndërtesës, pa rritur taksën por duke ndryshuar metodologjinë që kush ka shtëpi me vlerë më të madhe do të paguajë më shumë dhe ai që ka shtëpi më të vogël do të paguajë me pak”, u shpreh Rama.
Gjithashtu kreu i kabinetit qeveritar ka folur edhe për aksionin antiinformalitet, ku pohoi se gjatë muajit tetor xhiroja u rrit me 25 për qind të xhiros si rezultat i formalizimit, dhe sipas tij kemi një rritje me 23 të % të kuponëve të lëshuar, po si rezultat i formalizimit.
“Për formalizimin e plotë në buxhet është parashikuar edhe një financim për atë që quhet fiskalizim i plotë, ku do të kalohet në një nivel tjetër, për kontrollin e xhiros në të gjithë vendin përmes futjes së teknologjisë se re”, raporton Scan.
Taksat për ndërtesat
Ndërkohë në Kuvend ka mbërritur edhe pr.ligji për “sistemin e taksave vendore” të ndryshuar, si pjesë e paketës fiskale, ku specifikohen edhe taksat për ndërtesat.
- Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe.
- Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
- Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i planifikimit. Afati i përllogaritjes së taksës fillon nga momenti i mbarimit të afatit kohor të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
- Detyrimi për taksën mbi ndërtesat llogaritet si shumëzim i bazës së taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën.
- Taksa vendore mbi pasurinë e paluajtshme-ndërtesë llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Pagesa e taksës bëhet çdo muaj apo, për periudha më të gjata, në varësi të kategorisë së taksapaguesit, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat:
a) pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;
b) pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;
c) ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
ç) banesat sociale në pronësi të bashkive;
d) pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;
dh) ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
e) strukturat akomoduese “Hotel me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.”.
Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë:
– 0.05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;
– 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
– 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.