Home KRYESORE Shefat e shërbimeve informative, “patate e nxehtë” në duart e qeverisë shqiptare

Shefat e shërbimeve informative, “patate e nxehtë” në duart e qeverisë shqiptare

Visho Ajazi Lika, Shefi i Shërbimit Informativ Shqiptar ka dhënë dorëheqjen vetëm pak ore më parë, ndërkohë që mediat ende nuk bëjnë me dije arsyet e këtij vendimi.

Kujtojmë se 5 vitet e Visho Ajazit në drejtimin e SHISH nuk kanë shkuar pa akuza dhe kundërakuza mes palëve politike lidhur me emrin e tij. E ndërsa kreu i SHISH ka kompetencë dhe detyrë të raportojë tek Presidenti dhe Kryeministri, ai vazhdimisht është akuzuar se përtej kompetencave ka dekonspiruar informacione sekrete duke favorizuar Partinë Demokratike dhe veçanërisht ish-Kryeministrin Berisha, në kohën e të cilit edhe u emërua.

Nga ana tjetër, në vitin 2013 Lika u desh të raportonte në Komisionin e Sigurisë i cili ngriti edhe një proces hetimor pas akuzave, se SHISH kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme disa nga deputetët më të rëndësishëm në kuvendin e asaj kohe, mes të cilëve edhe Rama, Meta, Vangjel Dule apo Saimir Tahiri, por edhe demokratët Lulzim Basha, Astrit Patozi e Sokol Olldashi.

Dorëheqja e Likës sot, nuk bën gjë tjetër veçse sjell në kujtesë një histori aspak paqësore të politikës me shërbimet sekrete, që me sa duket janë gjithmonë një “patate e nxehtë” për dyshen qeveri-presidencë, ndaj secili përpiqet t’i qaset me kujdes.

Historia pluraliste e Shërbimit Informativ nis në vitin ‘91, kur në krye të tij u vu Irakli Koçollari, i cili në fakt vinte nga një përvojë e mëparshme me sigurimin e shtetit. Ai u arrestua nën akuzën e gjenocidit, por fitoi pafajësinë dhe lirinë mbas ngjarjeve të vitit 1997.

Bashkim Gazidede, një emër jo pak i përfolur dhe i implikuar në histori të dhunshme mori drejtimin e SHISH në vitin 1992. Njeriu i afërt i Berishës u lakua madje edhe për vrasje politike, veçanërisht gjatë vitit 1997, kohë kur ai u largua pa lënë gjurmë nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në Turqi.

Vendin e Gazidedes e zuri juristi Arben Karkini, që në fakt qëndroi vetëm disa muaj në këtë detyrë.

Në vitin 1997 në krye të shërbimeve sekrete vjen Fatos Klosi. Profesori i fizikës erdhi si një emër i ri, me një imazh krejt të ndryshëm nga ai i paraardhësve, por iku me dhunë. Pasi kishte mbijetuar një herë nga tentativa për t’u shkarkuar nga Kryeministri Majko, Klosi u largua ne vitin 2002 si pasojë e një marrëveshjeje mes Nanos dhe Berishës.

Kujtim Hysenaj ka drejtuar institucionin për një periudhë të shkurtër, por ndarja nga jeta e ka ndërprerë aktivitetin e tij në vitin 2005.

Në këtë kohë në krye të SHISH erdhi Bari Shaqiri, i cili qëndroi në këtë detyre për një kohë më të gjatë se paraardhësit, pavarësisht se në vitin 2010, Berisha tentoi ta largojë. Shaqiri e ka lënë detyrën në vitin 2012 me firmën e presidentit Nishani. /Opinion.al

Share: