Home KRYESORE Tension në Katalonjë/ Presidenti gati të shpallë pavarësinë, forcat speciale pritet t’a...

Tension në Katalonjë/ Presidenti gati të shpallë pavarësinë, forcat speciale pritet t’a arrestojnë

Presidenti i Katalonjës pritet të shpallë pavarësinë e njëanshme të rajonit në ora 19:00 në parlamentin katalanas. Seanca ishte planifikuar të niste në ora 18:00, por është shtyrë me një orë.

Dyshohet se Madridi ka urdhëruar një skuadër të forcave speciale posaçërisht për të arrestuar presidentin katalanas, Carles Puigdemont, nësi ai shpall pavarësinë në parlament.

Më herët qeveria e Madridit i bëri thirrje presidentit për të mos ndërmarrë asgjë të pakthyeshme.

“Dua t’i kërkoj Puigdemont që të mos ndërmarrë asgjë të pakthyeshme, që të mos nisë asnjë rrugë pa kthim, që të mos bëjë asnjë deklaratë të njëanshme për pavarësi dhe që t’i rikthehet ligjshmërisë”, deklaroi për mediat zëdhënësi i qeverisë kombëtare, Inigo Mendez de Vigo.

Policia katalanase ruan parlamentin rajonal dhe dhjetëra traktorë janë parë jashtë këtij institucioni. Në Barcelonë është prezente edhe policia kombëtare spanjolle si dhe mijëra njerëz.

Situata në Katalonjë mbetet e tensionuar prej disa ditësh. Më 1 tetor, rajoni mbajti një referendum për pavarësinë. Rreth 90% e popullsisë i thanë “Po” shkëputjes nga Spanja. Ky referendum u shpall jo ligjor nga Gjykata Kushtetuese Spanjolle, dhe u kundërshtua nga Kryeministri, Marianjo Rajoy dhe Mbreti i Spanjës. Për rrjedhojë forcat speciale spanjolle ushtruan një dhunë të paprecedent ditën e votimit. Qindra katalanas mbetën të plagosur. Kundër pavarësisë së Katalonjës është shprehur edhe Bashkimi Europian.

Mbetet për t’u parë nëse Puigdemont do të shpallë pavarësinë e njëanshme dhe nëse policia spanjolle do t’a arrestojë atë, veprim që mund të iniciojë sërish dhunë në rajon dhe të krisë edhe më shumë marrëdhënien mes indipendistëve katalanas dhe qeverisë së Madridit. /LAPSI.AL/

Share: