Janë zbardhur akuzat e Prokurorisë në kërkesën që i kanë dorëzuar Kuvendit për arrestimin e ish-ministrit, Saimir Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzohet për trafik droge në bashkëpunim në grup të strukturuar dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Saimir Tahiri, çka do t’i hapë rrugë hetimit për akuzat e ngritura ndaj tij si pjesë e një trafiku ndërkombëtar narkotikësh.
Ndërkohë, në media është bërë publik edhe emri i Prokurorit që ka firmosur kërkesën drejtuar kuvendit. Letra mban emrin dhe firmën e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ndërkohë që kjo kërkesë pritet të shqyrtohet sot në Këshillin e Mandateve.
Më tej, miratimi i saj do të dërgohet për votim në parlament dhe është ky i fundit që do të vendosë fatin e deputetit Tahiri dhe hapjen rruge te veprimeve të metejshme të Prokurorisë.