Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas akuzave të PS kundrejt PD se ka fshehje të shpenzimeve në fushatë. PS thotë se PD ka paguar 1 milionë dollarë për lobbing në SHBA përmes kompanive offshore pak para fushatës elektorale.
Në një deklaratë, KQZ thotë se raportet financiare te partive politike të dorëzuara në KQZ janë të verifikueshme dhe të aksesueshme në faqen e internetit nga të gjithë.
Deklarata e KQZ:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron opinion publik se raportet financiare te partive politike të dorëzuara në KQZ, në zbatim të ligjit “Për partitë politike “i ndryshuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 90/2017, datë 22.05.2017, janë publikuar në faqen zyrtare të internetit që në datën 13.11.2017. Ky fakt është bërë i njohur publikisht edhe përmes një deklarate për mediat të zëdhënëses së institucionit, ku është njoftuar se raportet sgjenden në faqen e internetit dhe janë lehtësisht të aksesueshme për të gjithë të interesuarit.
KQZ ka ofruar transparencë maksimale dhe ka publikuar raportet e të gjithë partive politike që e kanë dorëzuar, madje ka bërë apel çdo subjekti që ka pretendime lidhur me informacionin që vetë partitë politike kanë deklaruar në raporte, ti paraqesë ato në KQZ, së bashku me provat dhe faktet që mbështesin peretendimet e paraqitura.
Publikimi nga KQZ i raporteve financiare të partive politike është lehtësisht i verifikueshëm edhe nga gazetarët të cilët në postën e tyre elektronike gjejnë emailin e deklaratës së bërë në datën 13.11.2017, dhe mediat audiovizive të cilat disponojnë deklaratën e KQZ me zë dhe figurë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e garanton opinion publik se ka respektuar Kodin Zgjedhor dhe ligjin për paritë politike duke i publikuar raportet financiarë ashtu siç janë dorëzuar nga vetë partitë politike.