Home KRYESORE E mbyti gruan nga xhelozia, dëshmitë rrëqethëse të motrave të saj i...

E mbyti gruan nga xhelozia, dëshmitë rrëqethëse të motrave të saj i bëjnë ”gropën” biznesmenit

Shteti u ka afruar statusin e dëshmitareve të mbrojtura dy grave në Shkodër, që janë motrat e Suela sulës e gjetur e mbytur në tualet nëntë muaj më parë.

I akuzuari kryesor është bashkëshorti i të ndjerës, Sadetin Sula, një biznesmen në fushën e mobilerisë, i cili prej nëntë muajsh refuzon të ketë lidhje me krimin.

Por dy motrat e viktimës, Flutura Shpori dhe Tatjana Hyseni dëshmuan kundër 47-vjeçarit në një proces me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Të dyja gratë u sollën me forca policie, pasi siç vlerësojnë autoritetet atyre u rrezikohet jeta, përderisa pak kohë më parë ndaj Flutura Shporit është organizuar një atentat për ta vrarë.

Flutura Shpori i tha gjykatës se ish-kunati e dhunonte prej kohësh Suelën, por ajo heshti me shpresën se bashkëshorti do të ndryshonte.

“Ai ishte xheloz. Nuk e linte kurrë vetëm, madje më e tmerrshmja, e akuzonte se 3 fëmijët nuk ishin të tijtë. Një natë dimri e përzuri nga shtëpia dhe unë e gjeta time motër në strehën e portës. Më tregoi se grindja e radhës ishte hapur për njërin nga punëtorët e mobilerisë”, dëshmoi Flutura.

Dëshmitaret treguan se Sula kishte tentuar ta vriste edhe herë tjetër Suelën, në një rast sipas tyre ajo ka shfaqur shenja helmimi. Rrëfimi i dëshmitarëve është shoqëruar me buzëqeshje nga i pandehuri.

Prokurori e pyeti Flutura Shporin nëse ka frikë.

“Po kam frikë nga Sadetin Sula. Ai është i rrezikshëm. Pas ngjarjes, nuk doja që tre fëmijët e tyre të përfundonin në duart e shtetit, ndaj edhe hapa gjyqin për kujdestarinë. Gjykata e Shkallës së Parë më dha të drejtë, por ditën kur do të shkoja në Apel më qëlluan me armë. Kam frikë të shkoj në Apel. Nuk dua ta di çfarë vendimi do të japë gjykata. Unë do t’i rris fëmijët e motrës edhe pa vendim gjykate”, deklaroi ajo.

Për këtë dosje do të rrëfejnë me video-konferencë edhe fëmijët e çiftit, të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë dhunës.

Prokurori Henrik Ligori i kërkoi ndërkohë gjykatës që të thërrasë dy ekspertë për të vlerësuar disa regjistrime të kryera prej viktimës me telefonin e saj në çaste dhune./tch

Share: