Visar Zhiti ka botuar një libër të ri, me titullin “Si na erdhi ai, i ndaluari…”
“Të të tregoj për një bërtitje të Edi Ramës për mua, e kam futur edhe tek libri ‘Ferri i çarë”, shkruan Visar Zhiti në librin e ri.
Zhiti kujton kohën kur sapo ishte liruar nga burgu dhe punonte në fabrikën e tullave në Lushnjë.
Ishte ende diktaturë dhe Zhiti kujton se në atë kohë ishin të paktë ata që i vinin në shtëpi.
“Edi më vinte… mbrëmjeve vonë…lexoja poezi të miat, nga të fshehtat, dhe Mondi thotë se e ka parë të përlotej…”, shkruan Zhiti në librin e ri.
Por nuk është vetëm ky moment që Zhiti kujton në raport me Edi Ramën.
Në atë kohë, Edi Rama bënte një afresk në murin e muzeut të qytetit….
“…Pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit prapë më ishte qepur keqas dhe donte të më bënte bashkëpunëtor…
Unë nuk po pranoja vendosmërisht.
Dhe një paradite, teksa po pinim kafe andej nga “Blerimi”, Bujari, Mondi, Edi, Ladi më kishin marrë edhe mua, ‘me biografi të keqe, armikun’, isha ndërresa e dytë, pasdite duhej të shkoja në fabrikë ku u shfaq operativi i Sigurimit të Shtetit, ai që më përndiqte, u ul diku përballë, që ta shikoja dhe të më shikonte, ngultas si në filmat sovjektikë, sikur donte të më hakërrehej; eeej, e njeh veten ti, i porsadalë nga burgu, me kë rri, çdo këtu?….
Dhe u ngrita rrëmbimthi, ika befas nga bari.
-Ç’pati? – kishte pyetur Edi, më tregon më pas.
-Shiko andej, i treguan operativin.
Dhe, i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit:
-Çdo këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?…”, shkruan Zhiti në librin më të fundit.
Pjesë nga libri i Zhitit, ku përmendet Rama:
…Të të tregoj për një bërtitje të Edi Ramës për mua, e kam futur dhe te libri “Ferri i care”. Sapo isha liruar nga burgu dhe punoja si skllav në fabrikën e tullave në Lushnjë, ishte ende diktaturë… të paktë ishin ata që guxonin të rrinin me mua e më të paktë ata që më vinin në shtëpi… Edi më vinte… mbrëmjeve vonë… lexoja poezi të miat, nga të fshehtat, dhe Mondi thotë se e ka parë të përlotej…
Në këtë kohë, Edi bënte një afresk në murin e muzeut të qytetit, si Pikaso, thoshin, moderniste. Ata të partisë, veteranët, kërkonin të shembej muri, ka sjellë liberalizëm, atje në Tiranë, ku është pedagog në arte, le të bëjë si të dojë ai, po jo këtu, apo u bën qejfin të internuarve, nejse, pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit prapë më ishte qepur keqas dhe donte të më bënte bashkëpunëtor. Metoda sovjetike, staliniste, tortura psikologjike, kërcënime, s’e di a kishte ndonjë poezi me këtë temë Jevtushenkoja. Unë nuk po pranoja vendosmërisht.
Dhe një paradite, teksa po pinim kafe andej nga “Blerimi”, Bujari, Mondi, Edi, Ladi, më kishin marrë dhe mua, “me biografi të keqe, armikun”, isha ndërresa e dytë, pasdite duhej të shkoja në fabrikë, kur u shfaq operativi i Sigurimit të Shtetit, ai që më përndiqte, u ul diku përballë, që ta shikoja dhe të më shikonte, ngultas si në filmat sovjetikë, sikur donte të më hakërrehej: eeej, e njeh veten ti, i porsadalë nga burgu, me kë rri, ç’do këtu?… dhe u ngrita rrëmbimthi, ika befas nga bari.
Ç’pati?, kishte pyetur Edi, më tregon më pas. Shiko andej, i treguan operativin.
Dhe ai, i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit: ç’do këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?
Vonë, tani afër, do të më jepej rasti të bisedoja me Edi Ramën për Shën-Peterburgun, ku ai kishte qenë për një vizitë me familjen e tij, kërkonin një grua, një lidhje e hershme… dhe kishte mbetur i mahnitur nga “Venecia e Veriut”. Çfarë qyteti, më tha, sa art, sa shije, sa poezi ka ai vend…
Edhe Moska… Isha përzishëm, ndërkaq arrija të ndiqja rrëfimin e tij, po më fliste si mik, si dikur, nuk më shikonte, teksa lëkundej mbi poltronën kryeministrore, vazhdonte të vizatonte, sigurisht mbi ndonjë shkresë, shkëmbente ngjyrat, edhe tonin në të folur, ishte dhe s’ishte aty, skica po përplotësohej, mbase ishte gati tani për të shkuar pas të tjerave në ndonjë ekspozitë në Berlin a Firence, ndërsa në gazetat e huaja dilnin titujt… vizatimet e një Kryeministri… dhe m’u nëpërmend, s’di se si, se pikërisht ai për mua kishte bërtitur prapë./Tema