Home KRYESORE Do të sugjeroja avv. Ass. Prof. Jordan Daci si kandidaturë për Prokuror...

Do të sugjeroja avv. Ass. Prof. Jordan Daci si kandidaturë për Prokuror të Përgjithshëm

Nga Artur Nura

Këto ditë po diskutohen emra të mundshëm për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Si gjithmonë në mes të këtyre çështjeve me rëndësi të madhe Kushtetuese, është politike me forcën e saj për të kontrolluar dhe për të monopolizuar institucionet. Teknikisht misioni i partive politike duhet të jetë i mbaruar në lidhje me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, një institucion kaq shumë i rëndësishëm dhe i pavarur në të njëjtën kohë. Por forca e Partive Politike përdoren në arritjen e numrave parlamentar për zgjedhjet e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kam parë të qarkullojnë shumë emra dhe nuk dua të gjykoj asnjërin prej tyre, sepse çdo shtetas shqiptar që plotëson kriteret kushtetuese, ka të drejtë të konkurrojë për një detyrë kaq të rëndësishme shtetërore. Fjala konkurrencë duhet të qëndrojë nëse me të vërtetë do të kemi një garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk do të kemi të njëjtën situatë të ngjashme me atë të AP, që kushtetuta është shkelur fillim e mbarim dhe askush nuk pati kurajën ta thoshte publikisht një gjë të tillë. Shkelja e Kushtetutës në rastin e Zgjedhjes së AP të popullit kishte të bënte me mos respektimin e afateve kushtetuese e po në të njëjtën kohën edhe me shkeljen e procedurave parlamentare për zgjedhjen e tij.

Në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, për momentin Politika është në dilemë nëse duhet të zgjedh një prokuror të ri me procedura Kushtetuese për një mandat të plotë, ose nëse duhet të vendoset një prokuror i posaçëm. Normalisht sipas të drejtës Kushtetuese dhe rasteve të ngjashme, nëse mandati i Prokurorit aktual ka mbaruar, janë të gjithë elementët që të zgjidhet një Prokuror i Ri me mandat të plotë kushtetues. Nuk jemi në kushtet e një emergjence shtetërore, që institucionet nuk mund të kryejnë në formë të plotë procedurat e zgjedhjes së një prokurori të ri më mandat të plotë.

Pra, personalisht dhe duke menduar situatën e përgjithshme të drejtësisë në vend të përfshirë në çështje te rëndësishme të Vettingut dhe po ashtu edhe të çështjeve të tjera të rëndësishme me luftën kundër Krimit të Organizuar, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, mendoj se është domosdoshmëri një prokuror me mandat të plotë, me besueshmëri të plotë nga institucionet, sepse vetëm me një Prokuror të Përgjithshëm të fortë në aspektin institucional dhe procedural, mund të kemi rezultate pozitive jo vetëm për institucionin e akuzës, por në gjithë sistemin e drejtësisë.

Do të doja që në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm të ndiqej parimi Kushtetues, Pavarësia dhe ekuilibri i institucioneve, duke përjashtuar ndërhyrjet politike për interesa të pushtetit. Në këtë drejtim do të ishte pozitive që emri i prokurorit të Përgjithshëm të mos vinte nga radhët e institucioneve aktuale të drejtësisë duke pasur parasysh se janë të përfshirë në procesin e Vettingut. Kështu një prokuror i besuar dhe i dobishëm për sistemin e drejtësisë do të ishte dikush që vjen nga radhët e angazhimeve profesionale si të avokatisë, mësimdhënies dhe me një vlerësim e background ndërkombëtar.

Në lidhje me mënyrën e zgjedhjes dhe kriteret për Prokurorin e Përgjithshëm duhet t’i referohemi nenit 148 të Kushtetutës (Ndryshuar me ligjin nr. 7672016, datë 22,7,2016). Neni 148/a, pika 1. (Shtuar me ligjin nr. 7672016 datë 22.7.2016 nënvizon se: “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7 vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”. Pika e tretë e këtij neni përcakton kriteret për kandidaturat dukë nënvizuar se: “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional që kanë mbaruar Magjistraturën ose kanë gradë shkencore në Drejtësi.

Jordan Daci, ka një CV mjaft të pasur që plotëson kriteret Kushtetuese për të qenë kandidat. Ai ka më shumë se 15 që është jurist, avokat, që ka dhënë vazhdimisht mësimdhënie, nuk ka mbaruar Magjistraturën, por ka gradën Shkencore Profesor i Assocuar.

Jordan Daci ka edhe eksperienca të rëndësishme në nivel ndërkombëtar në fushën e Drejtësi duke bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare ku ka marrë edhe vlerësime maksimale. Background i z. Daci si në planin profesional në sistemin e brendshëm të drejtësisë me role të rëndësishme ndër vite në procesin e reformimit të tij, po ashtu edhe për shkak të vlerësimeve e angazhimeve ndërkombëtare do e bënin një figurë të spikatur për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Diçka tjetër me vlerë që i e forcon akoma edhe më shumë rolin e tij në këtë institucion për të forcuar pavarësinë e tij, është fakti, se z. Daci nuk vjen nga radhët e politikës dhe nuk njihet si person që ka bashkëjetuar në sallonet e politikës.

Kush është Jordan Daci

Jordan Daci, ne ushtrimin e profesionit te tij njihet për profesionalizëm, ndershmëri dhe integritet maksimal. Ai ka marre vlerësime maksimale në çdo lloj angazhimi profesional që ka bërë një karrierë relativisht të gjatë, 15 vjeçare në fushën e së drejtës.

Përkushtimi dhe angazhimi fushën e të Drejtave të Njeriut për Jordan Daci është jo vetëm një dëshirë dhe orientim profesional, por edhe një pasion jete, të cilin e ka ushqyer që në kohën e studimeve në Fakultetin e Drejtësisë, gjatë studimeve në master, po për të Drejtat e Njeriut e me radhë. Pra, pjesën më të madhe në formimin e tij akademik e profesional e zënë pikërisht të Drejtat e Njeriut

Nëse i referohemi CV-së se Jordan Daci do të vërejmë një karrierë profesionale dhe akademike brenda dhe jashtë vendit duke numëruar rreth 15 vite përvojë pune si jurist. Përveç shkollimit, gradave shkencore dhe titullit akademik “Profesor i Asociuar”.
Jordan Daci ka kryer edhe kurse të shumta kualifikimi dhe kurse studimi pasuniversitare afatshkurtra dhe afatgjata, një pjesë e mirë e të cilave janë në pikërisht në fushën e të drejtave të njeriut, çështjeve gjinore etj.

Në kuadër të kësaj përvoje mund të përmendim: disa vite si këshilltar ndërkombëtar pranë Qeverisë së Kosovës. Pedagog dhe së fundmi profesor edhe me titull që nga viti 2004 i lëndës së të Drejtave të Njeriut, i të Drejtës Kushtetuese dhe i disa lëndëve të tjera. Autor dhe këshilltar i jashtëm reformës legjislative për sistemin e inspektimit të vitit 2012 në RSH (Projekti BERIS), ku ne rolin e specialistit ka ndryshuar 80 ligje, projektet e të cilëve janë miratuar nga Kuvendi i RSH pas asnjë ndryshim. Ka shërbyer edhe si Këshilltar i Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe i Ministrit të Financave, avokat në të gjitha shkallët duke përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Jordan Daci është autori dhe bashkautor i disa raporteve ndërkombëtare për sistemin e drejtësisë si JRI 2008 (ABAROLI mbështetur nga USAID), Raportues për Gjyqësorin për Shqipërinë OSBE-ODIHR 2009, Raportin e Vlerësimit të Reformës së të Drejtës Penale ABAROLI (mbështetur nga USAID) Regional Rule of Law Network shtator 2016.

Jordan Daci është fitues i konkursit ndërkombëtare të JucticeMakers të organizatës ndërkombëtare Internatinal Bridges to Justice për vitin 2014 me një projekt për të Drejtat e Njeriut.

Jordan Daci është autor i librit universitar për lëndën e të Drejtave të Njeriut me të cilët studiohet kjo lëndë në të gjitha universitetet e Shqipërisë, Shkollën e Magjistraturës dhe në disa universitete në Kosovë.

Jordan Daci është autor i një monografie tjetër në proces botimi dhe i 36 kumtesave në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare të universiteteve të mirënjohura si ai i Goethe University ne Frankfurt, Universitetit të Pragës, Akademisë së Shkencave të Moldavisë dhe Austrisë, Universitetit të Nova Goricës, etj.

Jordan Daci është autor i 34 punimeve të botuara në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.

Punimet e z. Daci në pjesën më të madhe janë në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe janë cituar nga shumë autor nëpër botë.
Kjo gjë vërtetohet lehtësisht me një kërkim në Google Scholar apo nëpërmjet platformës “Web of science”.

Jordan Daci është njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, Italiane dhe njohës shumë i mirë i gjuhës Turke dhe ka njohuri bazë të gjuhës Serbo-Kroate.

Jordan Daci, ka moshën, energjinë dhe motivimin e duhur që të jete mbi palët dhe në nivelin e duhur të detyrës për ta shndërruar AP në një institucion model në RSH.

Z. Daci ka dëshmuar që di të shkëlqeje dhe të mos dështojë në përmbushjen e detyrave profesionale qe i janë dedikuar në një periudhë relativisht të gjate me angazhime të rëndësishme profesionale si brenda dhe jashtë vendit.

Share: