Home KRYESORE Erdogan kërkon takim me Merkel për të…

Erdogan kërkon takim me Merkel për të…

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka shprehur dëshirën e tij për t’u takuar personalisht me kancelaren gjermane, Angela Merkel për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve, deklaroi diplomati i lartë turk, Mevlut Cavusoglu.

Gjatë një takimi me gazetarët gjermanë në qytetin e Antalias dje në mbrëmje, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu njoftoi se Erdogan ka shprehur dëshirën e tij për të ftuar kancelaren gjermane, Merkel në Turqi sapo të përfundojnë negociatat e saj të koalicionit , ose nëse është e mundur të zhvillojë vetë një vizitë në Gjermani.

Marrëdhëniet gjermano-turke janë përçarë pas përpjekjes së grushtit të shtetit të vitit 2016 kundër Erdoganit.

Turqia ka akuzuar Gjermaninë se ka strehuar mbështetësit e Fethullah Gulen, një predikues në mërgim dhe ish-aleat i dyshuar për organizim të grushtit të dështuar kundër qeverisë turke.

Turqia ka kryer arrestimin e disa shtetasve gjermanë të akuzuar për lidhje me organizatat terroriste dhe ka akuzuar politikanët gjermanë se kanë shfaqur sjellje të ngjashme me nazistët, pas ndalimit të ministrave turq për të zhvilluar mitingje në Gjermani, vitin e kaluar.

Por kohët e fundit, Turqia ka shprehur vendosmërinë e saj për të normalizuar marrëdhëniet me Gjermaninë dhe fundjavën e kaluar , ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel ftoi homologun e tij turk Cavusoglu për të zhvilluar një vizitë në Berlin.

“Gjithashtu, kohët e fundit Erdogan ka zhvilluar disa herë biseda telefonike me kancelaren, Merkel dhe presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier”, njoftoi diplomati turk, Cavusoglu.

“Ne duhet të vazhdojmë dialogun”, tha Cavusoglu.

Çështja kyçe e mosmarrëveshjeve midis Berlinit dhe Ankarasë ka qënë arrestimi i gazetarit me shtetësi gjermane, Deniz Yucel, i cili u mbajt nën arrest për gati 11 muaj pa një akuzë zyrtare.

Sipas Gjermanisë, arrestimi i Yucel ishte politikisht i motivuar, një akuzë kjo që është mohuar nga Cavusoglu.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu shprehu respektin e tij ndaj kancelares gjermane, Merkel duke shtuar se ajo ka qenë liderja e vetme në Evropë gjatë pesë, gjashtë viteve të fundit.

Lidhur me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi edhe për tre muaj, Cavusoglu tha se ai shpresonte se do të ishte hera e fundit që do të merrej një vendim për zgjatjen e saj./360grade.al

Share: