Home KRYESORE Mediat dhe Fejsbuku, fundi i një dashurie

Mediat dhe Fejsbuku, fundi i një dashurie

Nga Franklin Foer

Mark Zuckerberg lëvizi me shpejtësi, dhe në pak kohë shkaktoi një pështjellim të madh.

Ka tronditur botën e gazetarisë, duke reduktuar në mënyrë radikale vlerën e reklamave digjitale, nga e cila varet tashmë mbijetesa e mjeteve të informimit. Ka ndikuar thellë në zakonet e leximit të lexuesve të tij, pra kavieve të laboratorit të eksperimentit të tij të madh, duke i manipuluar në mënyrë konstante dhe duke i ushqyer me një fluks të vazhdueshëm “llozhurash”, për t’i bërë të qëndrojnë më shumë në faqe. Në një farë mënyre ka dëmtuar edhe demokracinë në SHBA, duke bërë sikur asgjë nuk po ndodhte, ndërkohë që një armik i huaj përdorte platformën e tij për të krijuar një instrument efiçient, për të përhapur gënjeshtra dhe propagandë politike. Dhe tani, me vendimin për të hequr një pjesë të mirë të lajmeve nga newsfeed, ka vendosur të pështjellojë edhe faqen e vet.

Ky transformim radikal është një pranim i humbjes. Në një pikë të caktuar të ngjitjes së rrjetit social, që ka më shumë se dy miliard përdorues, Zuckerbergut do i ketë ardhur një zbulesë: në këtë moment, Fejsbuku është botuesi më i madh në botë. Në fillim ishte e qartë për të gjithë, përveç se për Fejsbukun, që ndoshta ka bërë gjoja sikur nuk kuptonte. Kompania përshkruhet si një instrument i thjeshtë dhe këmbëngul se nuk ka asnjë rol në organizimin e lajmeve që përhap – a thua nuk ishte duke imponuar vlera e veta në newsfeed, a thua nuk po impononte një hierarki për gjërat që donte të shfaqte. Ky pozicion, që donte të theksonte neutralitetin e Fejsbukut, nuk mund të qëndrojë përballë një analize të vëmendshme. Dhe pas zgjedhjes së Donald Trump, analiza të tilla ka patur shumë.

Por Zuckerbergu ka shfrytëzuar gjithmonë kapacitetin për të transformuar faqen, kur është momenti. Menjëherë pas zgjedhjeve, përballë kritikave shumë të forta, Fejsbuku ndryshoi strategji. Filloi të sillet sikur të donte të merrte përgjegjësi, dhe bëri të besohet se do të ndryshonte algoritmet e veta, për të zgjedhur më me kujdes përmbajtjen që do të shfaqte. Do të fillonte duke ndarë lajmet e rreme nga realiteti.

Bëhej fjalë për një ndryshim të rekomandueshëm të politikave të tij. Lajmet e rreme janë një plagë e vërtetë, kështu që, kishte kuptim që Fejsbuku të merrej seriozisht. Por kishte një rrezik evident, në faktin që Fejsbuku sillej si një gazetë. Fejsbuku boton opinionet e përdoruesve të vet, dhe nuk është e thjeshtë të gjykosh në mënyrë objektive opinionet. Askush nuk dëshiron të besojë se po përhap lajme të rreme. Dhe Fejsbuku nuk ka interes t’u thotë përdoruesve të tij besnikë, se zjedhjet e tyre politike bazohen në gënjeshtra dhe broçkulla.

Por Fejsbuku kishte edhe një tjetër problem. Kompania thotë se misioni i saj është që të shtojë komunikimin në botë. Fakti është që, bota është e mbushur me shtete autoritare. Nëse do të fillonte të seleksiononte opinionit dhe të hiqte përmbajtje mbi bazën e besueshmërisë, do të humbiste mbrojtjen e vet parësore kundër presionit të diktaturave. Qeveritë do të donin që Fejsbuku t’i jepte fund disa bisedave të rrezikshme. Por Fejsbuku u rezistoi këtyre presioneve, në emër të neutralitetit. Një ndryshim i politikave të tij, marrja e përgjegjësive të reja, do u jepte krerëve më të këqinj të shteteve në botë, shansin për t’i kërkuar Fejsbukut që të eleminonte “gënjeshtrat” që përhapen prej disidentëve.

Nuk ka mënyrë për të fshirë dëmet që Fejsbuku ka bërë në vitet e fundit. E megjithatë, Mark Zuckerberg ka marrë një vendim: të rikthejë kompaninë e tij në origjinë, një rrjet social pa përmbajtje gazetareske dhe propagandë politike. Fejsbuk do të rikthehet të merret mbi të gjitha, me vuajtjen që provokon banaliteti i pushimeve tona, mediokriteti relativ i bijve tanë, dhe do të na shtyjë të ndajmë gjithnjë e më shumë informacione private. Por kostoja sociale e ankthit që shkakton Fejsbuku, është më e ulët se sa kostoja politike që buron nga një informacion i filtruar.

Zuckerbergu do e konsiderojë të padrejtë, që të mos marrë të gjithë elozhet që ai mendon se meriton. Në ditët e adhshme do të jetë shënjestra e mjeteve të informimit. Shumëkush do të dënojë aktin kapriçioz të vendimit të tij. Dhe disa prej këtyre kritikave do të përmbajnë një pjesë të së vërtetës.

Fejsbuku ka inkurajuar mjetet e informimit që të jenë të varura nga platforma. Kur u propozoi që të përdorin Instant Articles, ato e bënë. Kur i inkurajoi të prodhojnë video, e bënë, duke përdorur para për këtë qëllim. Dhe tani, pasi shfrytëzoi besimin e tyre, Fejsbuku u kthen shpinën. Duke i dhënë më pak hapësirë gazetarisë në newsfeed, do të reduktojë ndjeshëm trafikun dhe paratë drejt mjeteve të informimit.

Për mediat do të jetë një goditje e fortë, por do të jetë edhe një gjë e mirë. Dhe në një farë kuptimi, shtypi është i vetëdijshëm. Mbulimi armiqësor ndaj Silicon Valleyt në këta muajt e fundit është refleks i një lloj psikodrame. Për vite të tërë gazetat kanë qenë të varura nga Fejsbuk dhe Google, pa shfaqur shumë pendesë. Me zgjedhjen e Trumpit, i gjithë zemërimi që për një kohë të gjatë ishte orientuar tek gazetat, gjeti një valvul shfryrjeje. Papritur, ishte e pranueshme t’i turreshin Fejsbukut dhe Google.

Por në vend që të hidhen sërish kundër Fejsbukut, mjetet e informimit duhet ta falënderojnë. Fejsbuku sapo u bëri një nder të madh. I detyroi të pranojnë faktin se reklamat dhe trafiku në internet nuk do të mbajnë kurrë gazetarinë, mbi të gjitha nëse ai trafik vjen nga kompani që duan të mbajnë për vete të gjitha paratë që vijnë nga reklamat. Gazetat nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet, por nuk duan të bëjnë përpjekjet që burojnë nga ky tranzicion. Dhe kanë të vështirë të heqin dorë nga ideja për të shfrytëzuar Fejsbukun, që të kenë më shumë dukshmëri. Tani Zuckerbergu e përmbysi edhe këtë, duke i çliruar mjetet e informimit nga një iluzion, prej të cilit duhej të kishin hequr dorë shumë kohë më parë. / Burimi: The Atlantic – Bota.al

Share: