Bashkimi Europian ka lehtësuar barrën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël duke ulur normën, por edhe duke thjeshtuar procedurat.
Përmes një direktive të posaçme, Komisioni Europian u ka dhënë vendeve anëtare të drejtën për të ulur TVSH-në mbi bizneset e vogla, dhe paralelisht ka miratuar procedura më të thjeshta për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së për të ulur koston e këtyre bizneseve.
Sipas përllogaritjeve të bëra publike në direktivën e re, përmes ndryshimeve të reja kostoja e deklarimit dhe pagesës së TVSH për bizneset e vogla do të ulet me 18 për qind në vit.
Komisioni Europian deklaron se kjo masë synon të stimulojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë 98 për qind të numrit të bizneseve në Bashkimin Europian.
Lëvizja vjen vetëm dy javë pasi qeveria shqiptare ka bërë të kundërtën, duke futur të gjitha bizneset e vogla me xhiro mbi dy milionë lekë në vit në skemën e TVSH-së.
Sipas draftit të ri, të gjitha bizneset e vogla edhe ato të mbijetesës do të paguajnë taksë në masën 20 për qind për çdo të ardhur që realizojnë nga shitja e produkteve apo shërbimeve të tyre.
Masa pritet të çojë në mbylljen e shumë bizneseve të vogla, pasi taksa e re do të rrisë kostot e tyre në treg duke i bërë jo konkurruese./360grade.al