Nga Enver Bytyçi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot nga Prishtina hodhi propozimin e tij të radhës që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. E thënë kjo në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës tingëllon si një ide inovative, patriotike, madje me konotacione të një propozimi “historik”.
Nuk do ta merrja në dorë këtë temë, nëse nuk do të kisha vënë re se njerëz të ditur dhe politikanë të majtë e të djathtë e shohin propozimin e Edi Ramës si kreativ e si një gjetje vërtet interesante. E di se dikush do të inatoset e do të më thotë “Ti kundërshton çdo ide të Edi Ramës”, por heshtja do të më bënte bashkëfajtor për pasojat e rrezikshme të një propozimi të tillë. Madje do të ketë prej atyre që do më thonë “Spiun I Serbisë”,, sepse “nuk dashkam bashkimin kombëtar”!
Dhe e deklaroj hapur: Bashkimi Kombëtar duhet të vijë si vullnet i vetëdijes së shqiptarëve i shprehur në referendum, vetëm pasi Kosova ta ketë të drejtën të shprehet për këtë, dmth vetëm kur ajo të jetë subjekt juridik shtetëror ndërkombëtar me vendin e saj në OKB, NATO, BE e të gjitha organizmat ndërkombëtare! Çdp përpjekje për të djegur këtë etapë është shërbim që i bëhet Beogradit me vetëdije ose jo për të realizuar ndarjen e territorit të Kosovës! Unë jam kundër një bashkimi me koston e humbjes së territoreve shqiptare, edhe kështu të rrudhura!
Shqipëria e Kosova mundet që brenda ditës së nesërme të krijojnë një shoqatë të përbashkët dhe në krye të saj po nesër të zgjedhin një president shoqate e ta quajën atë “President të përbashkët” për të dy vendet. Por modalitet tjetër kushtetues e të bazuar në Kartën e OKB-së nuk shoh.
Nëse e pranojmë se Kosova është shtet dhe Shqipëria e ka njohur atë ditën e shpalljes së pavarësisë së saj, atëherë do të shkojmë te krijimi i një realiteti të rremë për pasjen e një presidenti të përbashkët për dy shtete. Ose le të deklarohet qeveria shqiptare se e tërheq njohjen e shtetit të Kosovës dhe atëherë të lansojë zgjidhjet e saj! Unë e njoh historinë e qeverisjes dhe të civilizmeve në botë nga koha e Hamurabit të Babilonisë e deri më sot. Nuk ka ndodhur kurrë që du shtete, dy subjekte shtetërore ndërkombëtare të kenë një president të përbashkët. Nuk mund të ndodhë as sot.
Por është e mundur që një gjë e tillë të jetësohet praktikisht?
E zëmë se dy parlamentet tona, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, zgjodhën një president të përbashkët! Si do ta përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare!? Si do të ishte protokolli i sjelljes dhe prezantimit me homologët e tij në botë?! Çfarë emërtimi do të kishte, sepse të gjithë presidentët e botës do talleshin e do thoshin, kë përfaqëson ky,, cilin shtet, Kosovën a Shqipërinë?! Në emër të kujt do të flasë, në emër të Kosovës apo të Shqipërisë?! Një lëmsh i paparë, një precedent që do na bënte gazi i botës?!
Ndërkohë për këtë duhet ndryshuar kushtetuta e të dy vendeve. Sepse kushtetuta është në themelin e shtetit! A nuk është i vetëdijshëm zoti Rama se lista serbe në Kosovë nuk do ta votonte një ndryshim të tillë kushtetues?! Nëse do ta votonte, atëherë ajo do ta bënte këtë për një arësye madhore. Po cila është kjo arësye madhore?
Nëse e pranojnë deputetët serbë këtë ndryshim kushtetues, atëherë do të thotë se Serbisë i konvenon një iniciativë e tillë. Dhe a ka gjasa që Beogradi të jetë i interesuar që Kosova dhe Shqipëria të kishin një president të përbashkët?! Unë mendoj se po. Lind përsëri pyetja, pse?
Sepse Beogradi do ta kishte këtë fakt si argument të pakundërshtueshëm për të miponuar një marrëveshje midis Kosovës e Shqipërisë, e cila do të çonte në ndarjen e Kosovës, në këmbim të pranimit në OKB. Do t’u thoshte ndërkombëtarëve se “Shteti i Kosovës nuk ka jetëgjatësi, sepse këta shqiptarët e kanë ndërmend të bashkohen. Sot kanë një president të përbashkët, nesër do të zgjedhin edhe një parlament të përbashkët e për rrjedhojë do të dalë një qeveri e përbashkët”! Ja ku u bë bashkimi. Madje pa referendum, thjesht me ndryshimin e disa neneve kushtetuese!
Në këtë rast do të vinte në tryezë ajo që quhet “zgjidhje e konfliktit shqiptaro-serb”, e cila ka si kosto ndarjen e Kosovës. Automatikisht ndarjen e Kosovës. Me këtë kosto nuk na duhen propozime të këtij lloji. Por më e pakta që do të bëjë Beogradi në rastin e zgjedhjes së një presidenti të përbashkët është që t’i bind vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos e bëjnë këtë as në të ardhmen.
Thjesht do t’u thotë: “E patë, ata kanë një president të përbashkët, pse doni të njihni një shtet i cili ka kurorën e mbretit të një shteti tjetër”?! Kështu që çdo vend serioz do të ndalohej e do thoshte: “Vërtet pse të ngutemi, të shohim e të bëjmë”! Kështu Kosova do të vuante edhe më tej plagën e mosnjohjeve ndërkombëtare!
Dhe së fundi, askush nuk e di sesi do të përfaqësonte vullnetin politik të dy shteteve një president i përbashkët, kur këto shtete kanë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor të ndarë madje edhe ligje të ndryshme!
Ajo çfarë ka mundur e mund të bëjë kryeministri i Shqipërisë është të njësojë ligjet me Kosovën deri te ligjet e tarifave doganore dhe ato të taksave. Të angazhohet për njohjen e shtetit të Kosovës, sepse deri më sot nuk njoh ndonjë iniciativë serioze të diplomacisë shqiptare për këtë qëllim. Qeveria shqiptare mund të negocionte me Athinën në paketë njohjen e Kosovës dhe jo heqjen e emërtimit Çamëria nga harta gjeografike, ose tema të tjera me interes për Athinën, siç është deti. Qeveria dhe diplomacia mund ta atashojë ministrin e jashtëm si të deleguar gati të përhershëm në Bukuresht, Bratislavë, Nikozia e Madrid me qëllim që këto vende ta njohin Kosovën. Propoziim për president të përbashkët, vetëm se le në hije dështimet e diplomacisë shqiptare në këto drejtime!
Tiranë 11.02.2018