Home KRYESORE I akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, regjistrimi i biznesmenit: E mbys nëse...

I akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, regjistrimi i biznesmenit: E mbys nëse më merr pasurinë

Sadetin Sula, biznesmeni nga Shkodra, i cili është vënë nën akuzë për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij, ka dhënë dëshminë e tij ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Sula nuk e ka pranuar porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij, Suela Sula. Ai, madje, ka thënë se me të ka shkuar gjithnjë mirë dhe nuk ka pasur konflikte. Ndryshe nga dosja hetimore, e cila thotë se çifti ishte në proces divorci, Sadetini nuk e ka përmendur këtë gjë në dëshminë e tij.

Ai mbajti më së shumti një fjalim para trupit gjykues ditën e djeshme, duke hedhur poshtë akuzat. Biznesmeni ka akuzuar ish-kunatat e tij, se i kanë marrë fëmijët dhe kërkojnë të përfitojnë ekonomikisht prej tij. Dëshmia e tij vjen një seancë pasi i dyshuari si ekzekutor i krimit, Fatjon Karameshtna, refuzoi të dëshmojë përpara trupit gjykues. “Kemi shkuar shumë mirë bashkë, nuk kemi pasur probleme të mëdha”, ka thënë Sadetin Sula para trupit gjykues.

Në lidhje me audioregjistrimet dhe mesazhet me Karameshtnën, ku të dy planifikojnë t’i bëjnë magji viktimës, Sadetin Sula tha se ato regjistrime janë bërë rreth një vit para ngjarjes dhe se nuk i kujton të gjitha.

“Sa për regjistrimet audio, unë nuk e di nëse janë të vërteta. Nuk i mbaj mend, por ato janë bërë rreth 300 ditë para ngjarjes tragjike. Kështu që edhe po t’i marrë të mirëqena, do të thosha që janë bërë në një moment dobësie nga ana ime. Njeriu ndonjëherë ndihet i dobët edhe flet shumë gjëra, por ato biseda janë të kota. Nuk kam menduar ndonjëherë ta heq qafe Suelën as me magji dhe as ndryshe”, ka thënë ai në Gjykatë.

DËSHMIA E PLOTË

Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, në familjen time ka ndodhur një tragjedi, siç edhe ju e dini. Unë dhe Suela u martuam në vitin e largët 1999. Ajo ka qenë mësuese matematike. Pas martesës, në jetë erdhën edhe fëmijët tanë, ndërsa në vitin 2005 bashkë me Suelën vendosëm që ajo të shkëputej nga puna për shkak të fëmijëve, por edhe të angazhimeve që kemi pasur te biznesi ynë i mobilierisë.

Kur Suela u shkëput nga puna si mësuese matematike, të dy filluam t’i kushtonim më shumë kohë biznesit tonë. Na ka ecur shumë mirë. Që në vitin 2009, ne kemi qenë bashkë në çdo vend dhe pothuajse në çdo gjë si çift.

Çdo gjë që e bënim, e bënim bashkë dhe kështu vazhdoi deri në fund. E kujtoj edhe sot, kur Suela më thoshte se pse unë nuk bëhesha xheloz për të. “Unë bëhem gjithmonë xheloze për ty kur ti shkon në panaire, po ti pse nuk bëhesh asnjëherë xheloz për mua?”, më thoshte ajo gjithmonë.

Unë i përgjigjesha që nuk kisha pse të ndihesha xheloz sepse e dija shumë mirë se kush ishte ajo dhe se nuk do të binte kurrë në ato nivele. Dua të them që gjatë gjithë kohës ne kemi pasur mbështetje nga prindërit e mi. Ata e dinin që ne ishim të zënë me punët e biznesit dhe me shtëpinë, punët, apo edhe fëmijët, merreshin ata, në mënyrë që të na lehtësonin neve. Së bashku me Suelën, 50 ditë para ngjarjes kemi qenë në një panair mobiliesh në Kinë, ndërsa fëmijët i kanë mbajtur prindërit e mi.

Të gjitha çiftet kanë debate dhe zënka, por ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Kemi qenë miq të mirë, bashkëshortë dhe ortakë të njëri-tjetrit. Suelën e kam dashur sepse ishte gruaja ideale për mua.

Ajo më ka dhënë pasurinë më të mëdha që mund të kem, 3 fëmijët e mi. Për marrëdhënien që kishim, e gjithë Shkodra na kishte zili. Na merrnin si shembull. Sa për regjistrimet audio, unë nuk e di nëse janë të vërteta. Nuk i mbaj mend, por ato janë bërë rreth 300 ditë para ngjarjes tragjike. Kështu që, edhe po t’i marr të mirëqena, do të thosha që janë bërë në një moment dobësie nga ana ime. Njeriu ndonjëherë ndihet i dobët dhe flet shumë gjëra, por ato biseda janë të kota.

Nuk kam menduar ndonjëherë ta heq qafe Suelën, as me magji, as ndryshe. Sa për Fatjon Karmeshtnën, e njoh në cilësinë e punonjësit në firmën time. Unë nuk kam paragjykime dhe i mbaj të gjithë pranë. Nuk bëj dallime të racës apo ngjyrës së lëkurës. Për mua, njerëzit janë të gjithë njësoj.

Por nuk kam ndonjë marrëdhënie shumë të ngushtë me të gjithsesi. Ndërsa sa për tezet e fëmijëve të mi, kur u kujtuan ato për fëmijët e mi?! Ato më parë nuk i blinin asnjëherë as edhe një akullore. Unë kam 700 ditë në paraburgim dhe nuk i kam parë fëmijët. Ato i morën fëmijët nga prindërit e mi, nga një shtëpi ku i kishin të gjitha kushtet dhe i çuan në një shtëpi ku ata nuk kanë ku të flenë.

Tezet i kanë marrë fëmijët e mi për të përfituar ekonomikisht. Unë jam viktimë e kunatave të mia. Nuk e di se ku i kam fëmijët. M’i kanë marrë në ditën me diell. Jam duke vuajtur shumë. Gjysmën e zemrës ma ka marrë Suela, gjysmën fëmijët. Dëshmitë e fëmijëve janë marrë shumë vonë dhe ato kanë pasur kohë t’i manipulonin për situata që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.

Bisedat e regjistruara, nuk e di sa të vërteta që janë, por ato janë regjistruar shumë kohë para se të ndodhte ngjarja. Ne kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Dhe në fund, dua të them se unë nuk e kam bërë krimin dhe nuk e kam porositur krimin. Dua të kapen autorët dhe të vihen para drejtësisë.

Përgjimi, Sula: E mbys nëse më merr pasurinë

Përgjime rrëqethëse janë shfaqur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, rreth një muaj më parë. Sipas përgjimeve, biznesmeni i frikësohej divorcit për përgjysmimin e pasurisë dhe akuzonte bashkëshorten për tradhti. Sula dhe Karameshtna flasin për magji ndaj viktimës dhe në një moment Sadetini thotë se më mirë e mbyt me duart e tij se sa ta lejonte Suela Sulën t’i merrte gjysmën e pasurisë.

PËRGJIMET

Sadetin Sula: Nuk e kam hiç mirë marrëdhënien me Suelën.

Fatjon Karameshtna: A do të shkosh në Gjykatë me Suelën?

Sadetin Sula: Jo, nuk kemi shkuar, duhet të bëjmë diçka në lidhje me këtë. Nuk e kuptoj se pse sillet ashtu.

Fatjon Karameshtna: Do ta rregullojmë. Kam folur me një person që i mbyll këto muhabete. I thashë që për çdo gjë, do të kontaktosh me mua.

Sadetin Sula: Do flasësh me numrin që të kam dhënë unë?

Fatjon Karameshtna: Po, e kam regjistruar.

Sadetin Sula: Aty flasim më lirshëm. (Sipas prokurorit, i pandehuri ka frikë mos përgjohet). I pandehuri me shtetasin e identifikuar si Fatjon Karmeshtna udhëtojnë me makinë drejt Tiranës për të blerë dy qypa për magjinë. Gjatë kësaj kohe, ai i tregon Fatjonit se gruaja e kërcënon me Gjykatë.

Fatjon Karameshtna: Me këtë që do të bëjmë, do ta hedhim në shtrat. Sado, e pashë vetë si ishte bërë. I fola atij personit dhe është e bërë më tha.

Sadetin Sula: Aishja (e ëma e Suelës) i bën të gjitha pisllëqet, ajo i bën. Ndërsa Suela ka marrë të gjitha karakteristikat e së ëmës.

Fatjon Karameshtna: Keni folur këto kohë?

Erald Deliu , Panorama 

Share: