Home KRYESORE Fred Abrahams: “Lobimi rus” i Bashës nuk e ndihmon dot Ramën nga...

Fred Abrahams: “Lobimi rus” i Bashës nuk e ndihmon dot Ramën nga kritikat

Fred Ambrahams autori amerikan i librit Shqipëria Moderne-Nga Diktatura në Demokraci drejt Europës, në një intervistë për Shqiptarja.com kalon në skaner zhvillimit më të fundit politike në Shqipëri, përfshirjen e mundshme të Rusisë duke paguar në favour të një lobimi të PD në Washington. Abrahams në analizën e tij përmes përgjigjeve shprehet se jemi përpara mungesës të mekanizmave të efektshme raportuese se si mbulohen fondet politike si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA.

Abrahams të cilit iu deshëm plot 15 vite kërkime dhe intervista të pafundme për librin e tij, pagesën e dyshuar ruse në lobimin që favorizon në PD në Washington, shpreh mendimin se e gjithë kjo është e rrezikshme për Shqipërinë pasi kjo e çon ndarjen blu-të kuq në terma të dyzuara: Perëndimi kundër Lindjes, demokracia kundër autokracisë. “Realiteti është më i ndërlikuar” thotë ai. Abraham mbërrin në përfundimin se shqiptarët nuk duhet ti shikojnë gjërat bardhë e zi pra Basha më i keqi në këtë histori një “djallë” dhe Edi Rama një “engjëll”. Nëse pagesat ruse do të rezultojnë të vërteta atëherë kjo do të vërtetojë një gabim fatal të Bashës. Megjithatë Abrahams është i mendimit se nuk duhen mbyllur sytë përballë influencës indirekte të Turqisë e cila vjen përmes ndërtimit të xhamive apo investimeve aq shumë të lavdëruara nga kryeministri Edi Rama.

Fred Abrahams duke u ndalur në rolin aktual të Sali Berishës e shikon ndikimin e tij si një mjet për të mbrojtur interesat e familjes. “Ai mund të mobilizojë mbështetës të zjarrtë kur ja duan interesat” thekson ai.

Kush ishte reagimi tuaj i parë pasi lexuat investigimin e Mother Jones mbi mënyrën e lobimit të PD-së në Uashington?

As u surprizova, as u shokova. Kjo histori nxorri detaje të reja, por ne e dimë se si punojnë në hije partitë politike dhe lobistët në Shtetet e Bashkuara, duke dhënë e marrë para për qëllime të caktuara. Ajo nxjerr në pah mungesën e transparencës së përshtatshme në sistemet politike të të dy vendeve. Shpresojmë që vrulli i sulmeve kundër PD-së nuk e mbron Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nga kritikat e ligjshme. Pavarësisht se sa keq luan një palë, kjo nuk mund të lejojë që pala tjetër t’ia hedhë pa u lagur. Dhe, ndëse shohim në mënyrë kritike marëdhëniet e jashtme, atëhere duhet të shqyrtojmë edhe rolin e shteteve të tjera, të tilla si Turqia e Erdoganit.

Sipas pikëpamjes tuaj, ka prova se Rusia ka paguar kompaninë lobuese Muzin Capitol Partners në favor të PD-së?

Konstatoj disa të dhëna shqetësuese, të cilat duhet të ndiqen dhe të investigohen – natyrisht nga gazetarët dhe ndoshta edhe nga autoritetet gjyqësore. Artikulli ngre pikëpyetje lidhur me qendrime, si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA dhe me mungesë të mekanizmave të efektshme raportuese që të mbulojnë fondet politike. Ky investigim krijoi një furtunë të madhe politike në Shqipëri. Sa e dëmton e gjithë kjo PD-në? Të paguash lobistë jashtë vendit, kjo është një praktikë që ndiqet prej kohësh nga të gjitha partitë në Shqipëri dhe në rajon, por me të vërtetë afrimi i Rusisë është diçka e re, për më tepër për një vend që ka lidhje të ngushta me Amerikën pas Luftës së Ftohtë. James Baker do të shokohej nga veprimi i një partie që ai, presidenti Bush dhe shumë të tjerë e mbështetën me aq entusiazëm. Por dëmi më i madh është për Shqipërinë, pasi kjo e çon ndarjen blu-të kuq në terma të dyzuara: Perëndimi kundër Lindjes, demokracia kundër autokracisë. Realiteti është më i ndërlikuar.

A mendoni se zoti Basha dhe PD kanë qenë kaq naiv sa të përfshiheshin në gjithë këto duke marrë mbështetje nga Rusia?

Si të gjitha partitë, PD po përpiqet ta përshtatë veten në aspektin strategjik me tendencat politike. Rama doli kundër Trumpit, kështu që Basha kërceu nga ana tjetër. Sipas meje, skandali tregon se shqiptarët duhet t’u bëjnë një pyetje kritike të gjithë udhëheqësve të tyre politikë: kush ua financon fushatat tuaja politike, aktivitetet tuaja, pushimet tuaja?

A mendoni se Departamenti i Drejtësisë i SHBA, bazuar mbi atë çka ka publikuar Mother Jones, do të investigojë mbi këtë çështje?

Këtë nuk e di, por mbeten pyetje serioze, duke përfshirë atë pse Muzin nuk e raportoi me hollësi që në fillim aktivitetin e vet. Do të shtoja, sidoqoftë, se kjo nuk është hera e parë që raportohet në mënyrë të pasaktë për punën e vet në favor të interesave të huaja. Për shembull, në vitin 2006 Berisha pajtoi ish-sekretarin amerikan të Sigurisë së Brendshme Tom Ridge si konsulent me 480 mijë dollarë në vit, për ta ndihmuar të fitonte anëtarësimin e plotë në NATO. Ridge nuk e regjistroi kontratën 21 muaj, duke shkelur ligjin, dhe e bëri këtë vetëm pas një investigimi.

Në rast se Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe FBI do ta investigojnë më tej këtë çështje, sa do të dëmtonte kjo zotin Basha dhe PD-në?

Kjo varet nga çfarë do të gjejë investigimi. Pse përpiqet kaq shumë Rusia të depërtojë në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, pas tentativave për të ndikuar në Malin e Zi dhe Maqedoni? Aktiviteti i Rusisë në Shqipëri dhe në rajon pasqyron synimet e saj të përtëritura të pushtetit gjithandej në botë. Kjo është një përpjekje për të ushtruar ndikim në një pjesë strategjike të Evropës dhe për të penguar zgjerimin perëndimor. Në të njejtën kohë, avancimi i Rusisë mbush një boshllëk të lënë nga Perëndimi. Rënia e interesit, investimet e pakta të huaja, përçarjet e brendshme dhe procesi i ngadaltë i integrimit në BE kanë hapur derën për atë, që vodka të zëvendësojë verën. E njëjta gjë vlen për Turqinë, që Erdogani dhe familja e tij e kontrollojnë fort. Kur ai financon xhamitë, ndërton aeroportet apo fton kryeministrat nëpër dasma, ndikimi i tij mbi Shqipërinë dhe Kosovën është i fuqishëm dhe kërkon vëmendje. A keni informacion rreth rrugëve të tjera që përdor Rusia për të qenë sa më e pranishme në Shqipëri edhe duke ndërhyrë në jetën politike? Nuk është sekret se Rusia ka intensifikuar aktivitetet e saj në Ballkanin Perëndimor vitet e fundit, duke përfituar nga tërheqja e Perëndimit dhe zhgënjimi i njerëzve nga demokracia. Kjo përfshin një fushatë propagande dhe dizinformimi, sidomos duke vënë në objektiv serbët, që nxit teori konspirative dhe ushqen tensionet ndëretnike. Përpjekja në Shqipëri duket më e kufizuar, nisur nga demografia dhe historia e vendit, por sidoqoftë ka një Sazanizim konstant.

Si e shihni garën mes Bashës dhe Ramës për të bërë foto me presidentët amerikanë?

Më parë ishte Rama që bëri një foto me Obamën dhe tani Basha me Trumpin. Pse e gjithë kjo? Kjo të sjell ndër mend ato makineritë që bëjnë fotografi në rrugë: fut monedhën dhe del fotografia. Por publiku ka të drejtën të dijë se e kujt është kuleta.

Ju jeni autor i një libri shumë interesant “Shqipëria Moderne”. A i ndiqni dhe si i shikoni zhvillimet më të fundit në Shqipëri?

Jam i shqetësuar në dy drejtime: lokal dhe rajonal. Lidhur me të parin, më shqetëson lidhja negative mes biznesit dhe politikës që gërryen institucionet themelore që janë aq thelbësore për një shtet demokratik. Në radhë të parë dhe kryesisht e kam fjalën tek Gjyqësori, por edhe media nuk mbetet pas. Një raport i rëndësishëm nga BIRN dhe Reporters Whithout Borders, që u prezantua këtë javë tregoi, se në ç’masë të madhe zotërohet media nga pak familje. Publiku nuk gjen informacionet për të cilat ai ka nevojë për të marrë vendime dhe për të akuzuar politikanët.

Socialistët po tolerohen për shkak të qendrimeve të këqia të PD-së. Por Rama nuk ka bërë sa duhet për të prerë lidhjet biznes – kriminalitet – parti – qeveri, madje ai ka gjetur mënyra për t’i përdorur ato në favor të vet. Sa i përket çështjes së dytë, Ballkani është bërë një zonë e rrezikshme. Flirtimi me Evropën është bërë i vështirë, ndërkohë që erdhi ngritja e Rusisë; Turqia dhe vendet islamike i kanë hedhur benzinë zjarrit. Çështjet e pazgjidhura në Bosnje, Kosovë dhe Maqedoni janë terren për t’u shfrytëzuar. Evropa është më pak e bashkuar për t’i përballuar ato në mënyrë koherente dhe administrata e Trumpit duket se kënaqet duke vendosur taksa doganore dhe duke ndërtuar mure.

Ç’mendim keni për liderin e ri të PD-së Lulzim Basha?

Kam patur vërejtje për të, që kur iu ngrit padi rreth caktimit të kompanisë Bechtel-ENKA për të ndërtuar Rrugën e Kombit, e cila më pas u rrëzua. Tani duket sikur e gjithë PD-ja po kthehet kundër tij. Gjithnjë e kam pyetur veten se kush do të mund ta mbante të bashkuar PD-në kur të ikte Doktori. Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i kreut të Partisë Demokratike. Si e shihni ju rolin e tij tani në politikën shqiptare? Një kardiolog kujdeset për zemrën e tij. Por unë mendoj se shqiptarët dhe ndërkombëtarët e dinë që Berisha e ushtron ndikimin e tij për të mbrojtur interesat e familjes. Ai mund të mobilizojë mbështetës të zjarrtë kur ja duan interesat.

Si e shihni mënyrën e qeverisjes së vendit nga Edi Rama në mandatin e dytë si kryeministër?

Fitorja e tij e fuqishme elektorale i dha një mundësi, por edhe një risk. Nga njera anë, atij iu dha mundësia që politika të ecë përpara pa pengesa. Nga ana tjetër, ky pushtet ushqen një aspekt negativ të kulturës politike shqiptare: tendencën drejt autokracisë dhe kontrollit. Kjo, e bashkuar me institucionet e dobëta, përbën një rrezik të madh dhe Rama nuk i rezistoi aq sa duhet tendencës. Sa i përket politikës së jashtme, më shqetëson marrëdhënia e tij e pacipë me Erdoganin. Megjithëse Rama u ngrit kundër komunizmit kur ishte profesor tek Artet dhe u rrah nga banditë anti-demokratikë më 1997, ai përfundon në strofkën e një autokrati turk, i cili nuk ka respekt për të drejtat e njeriut. Rama nuk mund të flasë për lirinë e fjalës, në rast se hesht për burgosjen në shkallë të gjerë të gazetarëve dhe akademikëve turq. Ai nuk mund të dënojë torturën, pa komentuar abuzimin sistemik në burgjet e Turqisë. Dhe ai nuk mund të flasë për paqe dhe siguri rajonale, pa dënuar shkeljet nga ana e Turqisë në dëm të kurdëve. Në rast se ai shkon edhe në një dasmë tjetër, atëhere duhet të pyesë për fatin e Taner Kiliç, kreun e Amnesty International për Turqinë, që kaloi tetë muaj pas hekurave. Kush është, sipas jush, aspekti më shqetësues në Shqipëri sot? Kur kujtoj demonstratat e studentëve të vitit 1990, grevat e punëtorëve dhe rrëzimin e monumenteve, pyes veten nëse vërtet këtë Shqipërinë e sotme kishin ndërmend shumë nga ata njerëz trima.

Mendoni se shqiptarët, politikanët dhe e gjithë shoqëria po bëjnë sa duhet për t’u afruar me BE-në?

Besoj se kjo është mënyrë e gabuar për ta shprehur qëllimin. Synimi i rëndësishëm është, jo të bashkohesh me BE-në, por të ndërtosh shtyllat politike, ekonomike dhe kulturore ku mbështetet një shtëpi e fortë. Kjo shtëpi mund të qendrojë në një lagje të Brukselit, po të jetë në interes reciprok, por mund qendrojë edhe kudo tjetër. Por duhet të ketë themele të shëndosha të bazuara në ligje të drejta, mure të trashë për të zbatuar ato ligje dhe një çati të padepërtueshme, që të mos lejojë hyrjen e ndikimeve malinje nga vendi apo nga jashtë.

Abrahams: Ja si Sali Berisha më bëri agjent të UDB-s

Ish kryeministri Sali Berisha në Dhjetor 2016 në emisionin Tonight të gazetares Ilva Tare lëshoi akuza të rënda për Fred Abrahams. Berisha deklaroi se dy themeluesit e Fondacionit Soros në Shqipëri punonin për shërbimin sekret serb. “Dy njerëzit e parë të Soros në Shqipëri, Fron Njazi dhe Fred Abrahams u përgjuan nga SHISH si agjentë të Beogradit që në vitin 1992”, tha Berisha. Për këto akuza ish kryeministri nuk dha asnjë provë mbështetëse. Fred Abrahams, shtetas amerikan i cili punoi 15 vjet për të shkruar librin “Shqipëria Moderne: “Nga Diktatura në Demokraci në Evropë”. Disa ditë pas kësaj deklarate të Berishës, Fred Abrahams i tha gazetës Dita se i cilësonte të pabaza deklaratat e bëra nga Berisha, teksa shtonte se nëse ai ka fakte, duhet t’i paraqesë ato para autoriteteve amerikane, pasi kjo do të përbënte edhe shkelje të ligjit amerikan. Sa i përket Fron Nahzi, Abrahams pohoi se ai ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Berishën në 1991 dhe 1992, por ishte ndër njerëzit e parë që pranoi se Berisha përdorte taktika të kohës komuniste për të ushqyer frikën. “Nëse Sali Berisha ka dëshmi se kam punuar për një shtet të huaj, atëherë i bëj thirrje t’ia paraqesë ato autoriteteve të SHBA-së, pasi kjo do të përbënte një shkelje të ligjit amerikan. E njëjta gjë vlen për akuzat ndaj Fron Nahzi, edhe ky një qytetar amerikan dhe drejtori i parë i Fondacionit Soros në Shqipëri. Nahzi ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Berishën në 1991 dhe 1992, gjatë tranzicionit kritik, por ishte ndër njerëzit e parë që pranoi se Berisha përdorte taktika të kohës komuniste për të ushqyer frikën, shkatërruar kritikët dhe për të promovuar veten. 25 vjet më vonë, pak ka ndryshuar”, theksonte Abrahams. /Shqiptarja.com

Share: