Home KRYESORE “Kosova ka të drejtë të formojë ushtrinë” irriton serbët e rusët

“Kosova ka të drejtë të formojë ushtrinë” irriton serbët e rusët

Deklarata e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Wess Mitchell, në Beograd, ku tha se “Kosova ka të drejtë të themelojë forcën e saj ushtarake, e cila nuk do të përbënte kurrfarë kërcënimi për serbët”, ka nxitur reagime në Serbi dhe jashtë saj.

Pas takimit që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili e kundërshton themelimin e ushtrisë së Kosovës, Mitchell theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa preku edhe njëherë çështjen e shumëdiskutuar të ushtrisë.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, që deklaroi i cituar nga “Tanjug” se, “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, që është ajo paqeruajtëse e KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

“Përderisa ky i fundit nuk e ndryshon vendimin e tij, e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë”, u shpreh Vulin. Ushtria e Kosovës, sipas tij mund të formohet vetëm me “forcë brutale”.

“Krijimi i formacioneve të tilla të paligjshme të armatosura përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, ka thënë ministri serb.

Kundërshtimit të Beogradit për Forcat e Armatosura të Kosovës iu bashkua edhe Moska zyrtare. Mediet serbe citojnë zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Маria Zaharova të deklarojë se “krijimi i Ushtrisë së Kosovës do ta ashpërsonte edhe më shumë situatën, edhe kështu të tendosur”.

Share: