Home KRYESORE Lojrat politike të politikës me administratën tatimore! Nga Kasem Seferi

Lojrat politike të politikës me administratën tatimore! Nga Kasem Seferi

Pesëmbëdhjetë vjet përvojë me disa ministra që prej Genc Rulit te Shkëlqim Cani kanë qenë një “paradë” emërimesh që mund të cilësohen nga të merituar, të pranueshëm, “rroskopë kontrapedalë”, batakçinj dei tani te fundi (që qoftë i fundit) të pacipë dhe pafund të paaftë për të administruar legjislacionin tatimor.

Kjo është yllësia/konstelacioni i politikës shqiptare me administratën tatimore, që për hir të etikës personale nuk ia lejoj vetes të përmend emra të përfolur, madje edhe atyre të diskretuar dhe të dënuar gjatë “mbretërimit” Rama 1 dhe 2, anëtarë të një “komiteti për reformën në administratën tatimore dhe doganore.

Po argumentoj përsenë e kësaj gjendje nisur nga shqetësimi qytetar për atë që ngritëm me thonj dhe që ka rënë poshtë, duke na shkaktuar dhimbje.

Tek e fundit shteti mbahet nga tatimet dhe doganat!

Korrupsioni në administratën tatimore ndikohet negativisht nga kompleksiteti i legjislacionit tatimor, fuqia, ose monopoli i pushtetit që përcakton maturinë e zyrtarit tatimor, pamundësia e monitorimit dhe mbikqyrjes totale të zyrtarëve tatimorë, mungesa e gadishmërisë së biznesit për të paguar detyrimet fiskale, sjellja e lidershipit politik dhe mjedisi i përgjithshëm i qeverisjes.

Të punësuarit në admnistratën tatimore, rregullisht, kanë marrë më pak se sa të punësuarit në sektorin privat.

Prandaj pagat e ulta në administratën tatimore, as mund të joshin dhe as mund të mbajnë punonjës me cilësi të lartë dhe këto dukuri nga shumë individë kompensohet nga aftësia e tyre për ta përdorur informacionin që marrin gjatë kohës që punojnë në administratën tatimore në mënyrë të dobishme në sektorin privat, ose punojnë fshehurazi për të mabtur llogaritë dhe bilancet e tatimpaguesve.

Pikërisht për këtë arsye administrata tatimore është inefiçente, inkompetente dhe e korruptuar.

Një dukuri e tillë ka çuar në uljen e të ardhurave të mbledhura dhe në rritjen e kostove të tatimpaguesve, të cilët duhet të mbajnë një barrë shtesë.

Asnjë prej proçeseve kryesore të kryera nga administrata tatimore nuk mund të gjykohet i imunizuar kundrejt korrupsionit, duke filluar nga regjistrimi dhe çregjistrimi i bizneseve në regjistrin kombëtar, mbledhja e detyrimeve tatimore, identifikimi i detyrimeve tatimore, kontrolli dhe hetimi i shkeljeve të legjislacionit tatimor.

Funksionimi i mirë i administratës tatimore është themelor për promovimin e veprimtarive të bizneseve formale, investimin dhe rritjen ekonomike dhe për këtë arsye nuk duhet harruar se komuniteti i biznesit administratën tatimore e sheh si çelës shtrëngues për të bërë biznes.

Keqadministrimi tatimor është ai që ngre kostot e biznesit në lidhje me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, gjë që ka çuar në marrëveshje të fshehta ndërmjet zyrtarëve të administratës tatimore dhe bizneseve, si në nivel mikro ashtu dhe në nivel makro gjë që ka krijuar shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet qeverisë Rama 1 dhe 2 dhe komunitetit të biznesit.

Qeverinë Rama 1 dhe 2 mekanizmat jotransparente të marrjes në punë dhe të shpërblimit e çuan në nivel të ulët të aftësive profesionale në administrim, mungesë të integritetit dhe etikës profesionale dhe në konflikt interesi, pa lënë mënjanë kontrollet të pamjaftueshme nga ana cilësore të administratës tatimore.

Një administratë tatimore e dobët inkurajon korrupsionin nga i cili përfitojnë si zyrtarët tatimorë ashtu dhe bizneset në kurriz të të ardhurave të përgjithshme tatimore.

Korrupsioni është veprim grabitqar i zyrtarëve tatimorë që bëjnë pre mbi bizneset që bëhen viktima.

Në këtë situate që është krijuar tatimpaguesit janë të gatshëm të japin mitë/rentë në qoftë se u zvogëlohet pagesa e tatimit dhe kursehet koha e përfshirë në kontrollin tatimor.

Barra e lartë tatimore e kostos së përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor e ka keqësuar situatën e administrimit.

Për tatimpaguesit mbetet e pashmangshme pyetja: “Përse duhet të paguaj tatim?”.

Në mungesë të ndonjë përfitimi të prekshëm të shpenzimeve publike, tatimpaguesit nuk e ndjejnë të paguarit e tatimve një obligim civil, duke besuar se të ardhurat e tyre tatohen për të paguar pagat e punonjësve të korruptuar publikë.

Prandaj, tatimpaguesit vendosin të mos hyjnë në mosmarrëveshje me administratën tatimore.

Korrupsioni i administrates tatimore ka lidhje me ekonominë informale dhe kjo tregon përse ekonomia informale është e përhapur dhe domethënëse, gjë që konfirmohet gjithashtu nga vlerësimet ekzistuese.

Për shembull, gërryerja e bazave të tatimit dhe kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore kanë shkaktuar defiçite shumë të mëdha buxhetore dhe politikat tatimore të bazuara në tregues të pabesueshëm të madhësisë së ekonomisë informale i kanë bërë këto politika joefektive.

Përgjigja e natyrshme e tatimpaguesve për politikat tatimore të qeverisë i ka detyruar të shkojnë në ekonominë informale duke humbur në mënyrë publike të gjithë përfitimet e siguruara, duke treguar qartë marrëdhënien potenciale ndërmjet korrupsionit (keqsjelljes së qeverisë në përgjithësi) dhe ekonomisë informale.

Ekonomia informale është plotësuese për korrupsionin, sepse në këtë rast, tatimpaguesi bën marrëveshje të fshehtë me inspektorin tatimor me qëllim që ky i fundit të zvogëlojë detyrimin e tij tatimor në këmbim të një mite/rente.

Ekonomia informale përfshin të gjithë prodhimin e ligjshëm të mallrave dhe shërbimeve të bazuar në treg që, në mënyrë të paramenduar, u fshihet autoriteteve publike për të shmangur:

pagimin e tatimit mbi të ardhurat, TVSH – në dhe tatime të tjera;
pagimin e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore;

zbatimin e legjislacionit të punës;
zbatimin e proçedurave administrative.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: