Home KRYESORE Neranxi: Qeveria fut shumë thellë duart në xhepat tanë, ja sa herë...

Neranxi: Qeveria fut shumë thellë duart në xhepat tanë, ja sa herë po e paguajmë Rrugën e Kombit!

Nga Nikollaq Neranxi*

Kam lexuar këto ditë në rrjete sociale indinjatën e madhe të shqiptarëve nga të dy anët e kufirit të Morinës, për pagesën 10 euro dhe natyrisht kanë shumë të drejtë. Por kjo pagesë është vetëm maja e ajsbergut. Qeveria e Edi Ramës ka vendosur që ta rrjepë mirë këtë popull të lodhur nga varfëria, me pagesa dhe taksa absurde.

E para, Autostrada Milot – Morinë u bë me paratë e buxhetit të shtetit, pra nga taksat tona dhe kushtoi mbi 1 miliardë euro. Duke patur parasysh se borxhi publik është rritur frikshëm vitet e fundit, me 71.5 % të PPB, i bie që për këtë shifër po paguajmë ne, por do paguajnë edhe brezat që do vijnë sepse qeveria është e zhytur në borxhe pavarësisht se na rrjep nga taksat.

E dyta, në çmimin e karburatit është futur edhe taksa e qarkullmit. Drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin, me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

E treta, në përgjithësi kur rruga jepet më konçesion, paratë e mirëmbajtjes i siguron vetë privati, pasi ai po vjel taksën e rrugës, në këtë rast 10 euro vajtje-ardhje për makinat e vogla. Por qeveria do japë përsëri para të tjera për privatin që ka fituar të drejtën e mirëmbajtjes së rrugës.

Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar se qeveria shqiptare do të subvencionojë me 64.9 milionë euro konsorciumin që është shpallur fitues për të administruar me koncesion Rrugën e Kombit. Përveç taksës që do të marrë nga automjetet, koncesionarit do t’i paguhet kjo vlerë në 13 vitet e para të kontratës si pagesë direkte nga buxhetit i shtetit, si një kompensim për trafikun e munguar në autostradë. Edhe për këtë shumë, Rama do fusë duart në xhepat tanë.

Konkluzioni? 4 herë do paguajmë për të njëjtën rrugë!!

Pra, këto janë argumenta të mjaftueshme për të kuptuar se kjo është një grabitje e hapur dhe Rama me Rrugën e Kombit po vulos Turpin e Kombit. Në këto kushte mendoj se nëse nuk reagohet që të refuzohen këto praktika qeverisjeje, gjërat do shkojnë më keq në këtë vend.

*Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës së Tregtarëve dhe sipërmarrës

Share: