Home I pakategorizuar Përplasje mes PD dhe shoqërisë civile? Ja çfarë thotë Arben Ristani

Përplasje mes PD dhe shoqërisë civile? Ja çfarë thotë Arben Ristani

Qytetarët vijojnë protestën maratonë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për lirimin e banorëve të arrestuar të Kukësit që prej mëngjesit të ditës së dielë.

Protestuesit bëjnë thirrje për lirimin e atyre që mbahen brenda duke pretenduar se edhe arrestimi edhe sjellja në Tiranë, janë kryer në mënyrë të paligjshme.

Aktivistëve të shoqërisë civile, familjarëve të të arrestuarve, qytetarëve të ndryshëm që i janë bashkuar kauzës së protestës së dhunshme por të drejtë, u janë bashkuar që prej mbrëmjes së djeshme edhe deputetët e Partisë Demokratike.

Numri i protestuesve ka ardhur në rritje, ku jo vetëm aktivistë të shoqërisë civile por edhe qytetarë të ndryshëm po bashkohen përpara hyrjes së Drejtorisë së Policisë në sensibilizim kundër arrestimeve të qytetarëve të Kukësit, raporton Faxweb.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani i pyetur për Fax News thotë se PD është në mbështetje si të të arrestuarve, sipas tij në mënyrë banditeske, por edhe të familjarëve të tyre, të protestuesve dhe të të gjithë shqiptarëve që “vuajnë nga banda e Ramës”.

“Arrestimet janë kryer pa dokument, në tre të natës dhe janë lënë pa bukë dhe pa ujë dhe këto janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit, i cili I ka raportuar të gjitha. Në mesin e të arrestuarve që ndodhen në Drejtorinë e Policisë, ka dhe të moshuar që vuajnë nga zemra. Vetëm pas raportimit të avokatit të popullit, të arrestuarve u është dhënë ushqim”, tha Ristani.

Në lidhje me përplasjen e pretenduar nga mediat mes shoqërisë civile dhe deputetëve të opozitës, ditën e djeshme, Ristani ka theksuar se nuk ka pasur asgjë të ngjashme.

“Nuk ka pasur përplasje mes deputetëve të PD dhe protestuesve, por vetëm anti-mitingashë të porositur nga Edi Rama për të përdorur dhimbjen e familjarëve të të arrestuarve duke qenë se janë të pashpirt po aq sa është Edi Rama i pashpirt”, u shpreh Ristani.

Share: