Home KRYESORE Njerëzit…. Nga Evgenij Aleksandrovic Evtusenko

Njerëzit…. Nga Evgenij Aleksandrovic Evtusenko

Përktheu: Elona Caslli

Të gjithë njerëzit në botë janë interesantë.
Fatet e tyre janë si historitë e planeteve.
Çdo fat është i ndryshëm
dhe një planet nuk i ngjan një tjetri.

Dhe nëse dikush jetonte në hije
dhe e kishte fort për zemër
të mos ish i rëndësishëm,
pikërisht se nuk ish me rëndësi
ishte interesant mes njerëzve.

Çdo njeri ka një botë të fshehur brenda vetes.
Tek kjo botë për një çast është i lumtur
dhe për një orë i tmerruar.
dhe ne nuk dimë asgjë.

Kur vdes një njeri,
bashkë me të
vdes dëbora e tij e parë,
puthja e tij e parë,
dhe lufta e tij parë.
Të gjitha i merr me vete.

Mbeten librat, urat,
makinat, tablotë e piktorëve.
Sigurisht, shumë gjëra mbesin gjithmonë
edhe pse diçka ikën gjithmonë.
Është ligji i një loje mizore.

Nuk vdesin njerëzit, por botët e tyre.

Kujtojmë njerëzit, tokësorët dhe mëkatarët.
Ç’dinim vallë për ta?
Ç’ dimë për vëllezërit dhe miqtë?
Po për gruan që kemi në krah?

Dhe për babain edhe pse dimë gjithçka
nuk dimë asgjë.

Njerëzit ikin dhe nuk kthehen më.
Nuk lindin më botët e tyre të fshehura.

Dhe gjithmonë dua t’i ulëras
këtij fati të pakthyeshëm.

Share: