Home KRYESORE Tensionet mes SHBA dhe Iranit ndihmojnë Rusinë

Tensionet mes SHBA dhe Iranit ndihmojnë Rusinë

Nga Bernard Guetta

Gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës, por vizita e Emmanuel Macron në Rusi, e caktuar për në 25 maj, mund të ndryshojë reagimin zinxhir të ngjarjeve që po ndodhin në botë.

E gjitha filloi më 8 maj, kur Donald Trump njoftoi tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e firmosur në vitin 2015 me Iranin, nga fuqitë e mëdha. Aleanca e Atlantikut është ndarë, sepse evropianët – duke filluar me Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar – e kanë dënuar vendimin e Uashingtonit dhe janë gjendur në mospërputhje të plotë me aleatin e tyre amerikan, dhe më pranë Rusisë, Kinës e madje edhe Iranit, me vullnetin e tyre për të mos braktisur kompromisin e vitit 2015.

Një ndarje e thellë

Në të kaluarën, Franca ishte në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara dhe aksi franko-gjerman kishte bërë një front të përbashkët, për të kundërshtuar aventurën e Xhorxh Bushit në Irak, por një çarje totale mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës: kjo është një risi absolute. Asgjë e tillë nuk ishte parë ndonjëherë. Ndër të tjera, kjo është një ndarje të thellë, për shkak se amerikanët (dhe e përsëritën më 21 maj) kanë për qëllim të ndalojnë kompanitë europiane, që të vazhdojnë tregtinë me Iranin, duke kërcënuar me sanksione.

Përveç pasojave mbi NATO-n, deklarata e Donald Trump ka pasur pasoja të mëdha në Lindjen e Mesme, duke bërë që Arabia Saudite të bëhet aleate me amerikanët dhe izraelitët, ndërsa Irani e ka mirëpritur zgjedhjen kundër rrymës të evropianëve.

Udhëheqësit e Iranit jo vetëm që kanë frikë të përjashtohen nga tregtia ndërkombëtare, por mes reshtave lënë të kuptohet që, nëse Evropa do të sfidojë bllokadën e SHBA mund të jenë të gatshëm për të hapur, siç është kërkuar nga Franca, negociatat e reja mbi raketat, krizat rajonale dhe të ardhmen e marrëveshjes bërthamore, që do të skadojë në vitin 2025.

Vështirësia e Teheranit është e dukshme dhe e vë Rusinë në një pozitë, për të marrë më shumë lëshime nga Irani, në kushtet e një marrëveshjeje paqeje në Siri. Donald Trump, në thelb, e forcon pozitën e Putinit në Lindjen e Mesme. Por kjo nuk është e gjitha.

Le të kthehemi në Evropë. Kontinenti i vjetër, i udhëhequr nga Franca, mund t’i tregojë Putinit se ka ardhur koha për të hapur një proces stabilizimi në Lindjen e Mesme me evropianët, suksesi i të cilës do të mund të rikthente besimin midis Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse, duke i sjellë dy fuqitë, një ditë, drejt një marrëveshjeje sigurie dhe bashkëpunimi, të tilla si ato që ekzistonin midis Bashkimit Sovjetik dhe perëndimorëve.

Gjërat nuk ndryshojnë nga njëra ditë në tjetrën, por tridhjetë orët që Emmanuel Macron do të kalojnë në Shën Petersburg, do të duhet të ndiqen me vëmendje. / Bota.al

Share: