Kreu i Partisë Demokratike ka mbledhur drejtuesit e partisë dhe të grupit parlamentar pas lajmit për survejimin e paligjshëm nga policia të kreut të opozitës dhe familjes së tij.
Mësohet se në takim janë nënkryetarët e partisë Edmond Spaho, Edi Paloka dhe nënkryetarët e komisionit të ligjeve dhe sigurisë, Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka si dhe deputetët Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji.
Në mbledhjen e Bashës me përfaqësuesit e nivelit të lartë në parti është vendosur se nënkryetari Edi Paloka, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Flamur Noka dhe kryetari i Komisionit Tahiri, Enkelejd Alibeaj do të shkojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për të marrë detaje rreth këtij skandali.
Personalitet mbrohen nga Garda e Republikës dhe jo nga Policia e Shtetit. Partia Demokratike, pritet të reagojë për këtë akt të paligjshëm të policisë nën urdhërat privatë të Fatmir Xhafës.
Burime për Opinion.al nga mbledhja bëjnë me dije se ky është konsideruar një akt banditësh.
Lulzim Basha dhe familjarë e të afërm të tij po mbahen në survejim nga segmentet e policisë operacionale.
Burimet konfirmuan se çdo lëvizje e kreut të PD dhe familjarëve të tij prej disa kohësh monitorohen 24 orë në segmente të caktuara të policisë operacionale.
Survejimi i plotë i familjes Basha ka ardhur menjëherë pas denoncimit në media nga opozita i audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Sipas “Panorama” rezulton se brenda strukturave të policisë nuk konfirmohet urdhëruesi i këtij survejimi.
I kontaktuar vetë edhe zoti Basha, kreu i opozitës as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi këtë informacion, por pavarësisht kësaj Basha siguroi se do të vijojë aksionin e tij opozitar.
“Në çdo rrethanë do vijoj aktivitetin tim opozitar”, është shprehur kreu i PD, Lulzim Basha.
Afro një vit më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, u mor në mbrojtje pas informacioneve që Agjencitë e Sigurisë Kombëtare dhanë një informacion për eliminimin fizik të tij. Ndaj Bashës u përforcuan masat e sigurisë dhe ekzistencën e një rreziku real e konfirmoi edhe Kryeministri Rama.
“Ka pasur një informacion që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se gjithë ekspertiza tregon se informacioni nuk është mjaftueshmërisht i besueshëm dhe burimi është kontradiktor, janë marrë të gjitha masat njësoj sikur kjo të ishte diçka realisht e vërtetë, sepse patjetër që siguria e të gjithë njerëzve, pa diskutim dhe e kryetarit të Partisë Demokratike, është prioritet numër një, nëse kërcënohet”, deklaroi Rama.
Ndryshe nga rasti i një viti më parë, kur për Bashën agjencitë ligjzbatuese kishin informacione për një kërcënim real ndaj tij, këtë herë mbeten të paqarta arsyet që jo vetëm kreu i opozitës, por edhe familjarët e tij po survejohen 24 orë në 24./Opinion.al