Home KRYESORE Irma Kurti e ftuar në Festivalin Interkultural në Riva del Garda, në...

Irma Kurti e ftuar në Festivalin Interkultural në Riva del Garda, në Itali

-Prezanton romanin: “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve)

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti, në kuadrin e Festivalit Interkultural është e ftuar në Riva del Garda në komunën e Trento-s për të prezantuar romanin në gjuhën italiane: “In assenza di parole”(Në mungesë të fjalëve). Ky është prezantimi i radhës pas shumë të tjerëve në biblioteka të qyteteve të ndryshme në Itali. Së fundi, në bordin e anijes Grimaldi Lines, gjatë udhëtimit letrar “Një anije me libra”, autorja shqiptare prezantoi këtë vepër si dhe firmosi kopje të saj në Barcelonë.

“Është libri më i dashur për mua”- shprehet Irma, “sepse i dedikohet jetës me dritëhije të babait tim, Hasan Kurti, i cili punoi me përkushtim si mjek radiolog në qytetin e Elbasanit duke lënë mbresat dhe përshtypjet më të mira tek mijëra pacientë. Historia i pasionon lexuesit, sepse në të gjen eksperiencat dhe përjetimet emocionale të një familjeje në emigracion, një realitet që ndeshet shpesh në të përditshmen tonë. Por ai është më tepër se kaq: përqendrohet në raportet si dhe në komplikimin e marrëdhënieve njerëzore përballë situatave të papritura, si përshembull një sëmundjeje të rëndë”.

Festivali i madh Interkultural ka lindur në vitin 2015 me iniciativën e disa të rinjve nga Trento. Dita e parë do të hapet me shpalosjen e kostumeve kombëtare shqiptare dhe të kombësive të tjera; në Piazza Garibaldi do të organizohen veprimtari të ndryshme që do të finalizohen me koncertin e madh me pjesëmarrës nga Amerika Latine, Ekuadori, Italia, Shqipëria etj.

Ditën e dytë, përveç pranisë së autores Irma Kurti dhe prezantimit të librit, do të jepet edhe shfaqja “Burrnesha” me regji të Valbona Xibrit interpretuar nga Teatri ballkanik.

Presidenti i organizatës “Rinia” si dhe drejtuesi i Festivalit Interkultural Erio Korini, me pasion e dëshirë i dedikohet kësaj iniciative të rëndësishme që i shërben njohjes dhe shkëmbimit të vlerave e traditave kulturore. Mijëra të ardhur nga zona të ndryshme të Italisë dhe jashtë saj, po ashtu turistë të shumtë do t’i japin aktivitetit përmasa të vërteta ndërkombëtare dhe do t’i falin qytetit gjallërinë që rrallëherë ndeshet në ditë të tjera.

Share: