Lubonja gazetës austriake: Jemi narko-shtet, Rama ka nevojë për ultimatum, jo për hapje negociatash

    Analisti Fatos Lubonja ka publikuar një opinion te gazeta e njohur austriake, Der Standard, në prag të vendimit për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Lubonja shkruan se në kushtet ku është Shqipëria, hapja e negociatave nuk do ishte diçka e mirë për vendin. Sipas tij, Shqipëria është një narko shtet.

    “Shqipëria, nën udhëheqjen e elitës politike dhe ekonomike, nuk ka bërë asgjë këto 25 vite, vetëm hapa të ngadalshëm në drejtimin e duhur. Madje mund të thuhet e kundërta. Si rezultat, Shqipëria nuk është bërë një shtet kushtetues evropian, por një shtet i dështuar, i qeverisur nga krimi i organizuar dhe oligarkët, prandaj etiketohet si narko-shtet”.

    Ai sulmon ashpër kryeministrin Edi Rama në shkrimin e tij. “Opozita frikësohet vazhdimisht dhe çdo zë kritik ndaj qeverisë dhe Brukselit shihet si një pengesë ndaj aspiratave shqiptare për anëtarësim, madje kritikuesit etiketohen si anti-shqiptarë dhe armiq. Mjafton të shihet se si kryeministri Edi Rama u përgjigjet akuzave të opozitës për kanabizimin e vendit dhe pasojat tragjike, duke iu referuar ‘ndërkombëtarëve’. “Nëse janë të vërteta akuzat, përse nuk flasin ambasadorët e SHBA dhe BE”. Hapja e negociatave për anëtarësim do të lejojë Ramën që të mohojë dhe shmangë çdo kritikë. Si pasojë akoma më e keqe, ai do kishte një dorë edhe më të lirë për të shfrytëzuar shtetin e drejtuar prej tij për interesat personale dhe të oligarkëve dhe krimit të organizuar, me pasoja të pariparueshme për ekonominë, demokracinë dhe lirinë”. Si shembull se hapja e negociatave nuk është gjithmonë në të mirë të një shteti, Lubonja sjell rastin e Turqisë.

    Gazeta austriake shkruan se Lubonja është shkrimtari dhe intelektuali më i rëndësishëm në vend. “Sipas meje, për realitetin shqiptar dhe evropian, Rama dhe mbështetësit e tij kanë nevojë për ultimatume përpara se të jetë tepër vonë dhe jo për inkurajim dhe legjitimitet në një situatë të pasigurtë”./Lapsi.al

    https://derstandard.at/2000081744580/Bruessel-und-Albanien-Ein-Ultimatum-waere-gut

    Share: