Home KRYESORE Basha akuza të forta: Ndërkombëtarët të shqetësohen, Rama ka vënë në rrezik...

Basha akuza të forta: Ndërkombëtarët të shqetësohen, Rama ka vënë në rrezik të drejtat e shqiptareve

Përplasja për “Drejtësinë” vazhdon dhe mes PS e PD është ndezur lufta, këtë herë për disa ndryshime të propozuara nga qeveria për Ligjin e Statusit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas kreut të PD, Lulzim Basha, “ndryshimet e propozuara nga Edi Rama sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër”.

PD e konsideron propozimin një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi.

“Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së. Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK”, shkruan Basha në Facebook.

Lideri i opozitës në fund i drejton një thirrje BE dhe SHBA që të reagojnë për gjendjen në të cilën ka përfunduar reforma në drejtësi.

“Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri”, thotë Basha.

Basha duke iu referuar indirekt ambasadorëve, pasi kanë qenë ata që kanë folur për arrestime të peshqve të mëdhenj, thekson se kredibiliteti i tyre ka rënë në sytë e shqiptarëve pasi i kanë sjellë drejtësinë që kriminelët i mban jashtë qelisë.

“Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtësi”, nënvizon kreu i PD.

Share: