Ia dorëzoj trupin tim erërave
Që fryjnë e futen mes poreve
E përmes vrimave
Ku janë e s’janë
I përshkojnë ato tejpërtej
Me fishkëllimën e tyre drithëruese
Ia dorëzoj trupin tim ujërave
Të lumenjve e oqeaneve blu
I lejoj ato të rrjedhin e gurgullojnë
Lugjeve… kodrinave
Duke shkumëzuar
Tek futen thellë në guvë
Ia dorëzoj trupin tim
Fushave e lëndinave
Dhe i lejoj lulet e majat e barërave
Ta përkëdhelin e gicilojnë
Mbi e nën lëkurë…
Dhe në fund fare
Ta dorëzoj trupin tim
Ty
Bëj ç’të duash me të
“Perversi” im i dashur
Me fantazi te rrallë.