Nga Bujar Nishani
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në Raportin më të fundit denoncoi një dëm shkaktuar nga korrupsioni, buxhetit të shtetit prej 1,2 miliardë euro. Një dëm financiar i përmasave të tilla do kishte shkaktuar një tërmet politik fundosës në çdo vend demokratik perëndimor. Kaq shumë para të grabitura nga xhepat e varfër të shqiptarëve mund të bënin vërtet “çudira” në ekonominë drejt rrënimit të vendit apo në infrastrukturën e mjerueshme të rrugëve, spitaleve, shkollave, ujsjellësve, etj etj. Por çudia në fakt qëndron në anën tjetër të medaljes.
Çudia qëndron se si ky dëm, ky korrupsion, kjo dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë as nuk hetohet, as nuk dënohet e për pasojë as nuk korrigjohet e rregullohet. Në pamje të parë dhe të përciptë duket sikur çështja qëndron thjesht tek korrupsioni i pushtetarëve, apo tek lidhjet e shkurtëra dhe të ngushta të qeveritarëve me krimin, apo tek niveli mjeran i civilizimit apo qytetarisë së vendimarrësve. Duket sikur qëndron tek lobimet e korruptuara të disa koridoreve ndërkombëtare, apo tek ndarja e parave që pastrohen me oligarkët e pushtetit, e kështu me rradhë. Por fakti po duket çdo ditë e më shumë të jetë krejt tjetër.
Viti 2013, solli ndryshimin politik të maxhorancës qeverisëse. Nga e djathta tek e majta. Ndryshimi ishte normal. Brenda logjikës politike të pluralizmit dhe funksionit të demokracisë. Në këtë logjikë vijuese ishin dhe pritshmëritë e qytetarëve për angazhime, projekte dhe dinamika të reja. Shumë shpejt zhgënjimi ndaj pritshmërive u bë evident.
Skandalet pasonin njëri tjetrin, xhepi shqiptarëve varfërohej çdo ditë e nga pak, institucionet e shtetit degradonin në çdo dimension, shpresa e njeriut fluturonte përtej detrave. Ne të gjithë (jo pa të drejtë) u mbërthyem në debatin e skandaleve të ditës, që ishin aq të shpeshtë sa nuk arrihej të konsumohej as si debat publik pasi vinte tjetri, deri sa u duk sikur u krijua një model i psikozës imune të shoqërisë ndaj skandalit.
Sot pas pesë vitesh të modelit “rilindas” të 2013-ës duket sikur më në fund dërrasa po del mbi ujë. Sot po qartësohet gjithmonë e më shumë që kërcënimi ndaj Perëndimit “se Shqipëria ka oferta dhe opsione të tjera, përtej BE-së”, nuk është thjesht një retorikë dhe as provokim i çartur.
Më shumë se një mesazh “kercënimi” ndaj Perëndimit është një konfirmim i asaj përkatësie politike dhe angazhimi që u jetësua në përpjekjet antishqiptare për të eleminuar shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj nga proçesi i paqtimit shqiptaro-serb, megjithëse padrejtësitë, paudhësitë, krimet dhe sakrificat më kryesore shqiptare ishin luajtur dhe paguar pikërisht në Kosovë. Kjo ishte në fakt edhe kolona e parë që u zbulua nga modeli “rilindas”.
Ky model politik duket sikur problemin kryesor e ka tek akti rrugaçëror që “gangsterri me brek leshi” i adresoi Presidentes së vendit mik tek i shkelte syrin ndërsa e kishin ftuar në Aulën e Parlamentit. Jo jo, ai thjesht përpiqej të imitonte “shefin superior”.
Thelbi qëndron tek modeli i gradimit që “kryerilindasi” i bën idividëve anonim pa kurrfarë formati kontribues, individëve nga bota e krimit, trafikut, hajdutërisë dhe vrasjeve që zëvendësuan në imazh, hierarki, kulturë dhe kapacitete, profesorët, akademikët dhe njerëzit e librave të llojit E. Ruka, V. Leskaj, A. Malaj, M. Lakrori, N. Dokle etj, që të paktën tentuan një reformim socialdemokrat të së majtës në Shqipëri. Ky model shkon përtej penalizimit dhe degradimit të familjes së vet politike. Shkon tek shkatërrimi dhe varfërimi i ekonomisë së çdo familje shqiptare. Synimi i thellë në fakt nuk është thjesht varfërimi i 90% të shqiptarëve dhe fryrja me vujatjen e tyre të thesit të një grupimi oligarkësh.
Të dhëna serioze tregojnë që disa nga oligarkët në Shqipëri janë përfshirë në bisnese të përbashkëta me bisnesmenë të dyshimtë nga vende të treta duke i ndihmuar ata në pastrimin e parave në Shqip?ri, të autokratëve të vendeve të tyre. Kjo kryesisht në fushën e ndërtimit, karburanteve dhe hotelerisë. Ata jo rastësisht janë “PPP” i blerjes së pushtetit në të ashtuquajtura zgjedhje në Shqipëri. Kjo ishte dhe KOLONA e dytë e zbuluar në modelin “rilindas”. Meqënëse, punë nuk kishte për t’u dhëne shqiptarëve. Spitale normale jo e jo. Rrugë, ujësjellësa, shkolla të reja, as që guxon ti mendosh.
Në këtë dështim të madh, qeveria u premtoj shqiptarëve se do angazhohej për një “Reformë në Sistemin e Drejtësisë”. Një ofertë që u mirëprit dhe u shpresua shumë prej tyre. Pas një viti që “shpata e Demokleut rilindas” ka nisur vringëllimën, shqiptarët panë qysh në kërcitjet e para, se halli nuk kishte qenë tek drejtësia për popullin por tek hakmarrja për pushtetin e “kapos”.
Një prokurore e Shkodrës ndëshkohet se paskësh mundur të blejë një fuoristradë të përdorur ndërsa një supergjyqtar gradohet se ka mundur të blejë jo një por disa prona në bregdet !!!
Një prokuror i ri me karrierë të saponisur ndëshkohet për një gjysëm papafingo të legalizuar prej prindërve pensionistë ndërsa një superprokurore gradohet për një pronë të tërë të ndërtuar pa leje !!!
Një gjyqtar penalizohet se vendosi të bëj drejtësi me votat e ndershme të hedhura në kuti nga qytetarët e Tiranës ndërsa një supergjyqtar ka si sekser për të tokur “suksesin” oligarken kryesore të “kryerilindasit”.
Pas një viti shpresa e shqiptarëve për reformë në drejtësi është e tradhëtuar.
Pas një viti proçeset gjyqësore janë më t? korruptuara se më parë.
Pas një viti qytetarët në dyert e gjykatave janë më të zhgënjyer se një vit më parë.
Por synimi i thellë i “rilindjes” ishte edhe në këtë rast akoma më ndryshe.
Tashmë që po pregatitet copëtimi i ri i territoreve të Jugut të Shqipërisë, nuk duhej të kishte asnjë pengesë për të.
E vetmja pengesë ishte Gjykata Kushtetuese, ndaj e ashtuquajtura “reformë në drejtësi” paskësh qenë objektivi kryesor për asgjesimin e çdo pengese për copëtimin e ri të territoreve shqiptare.
Kjo ishte dhe Kolona e tretë, që u zbulua e modelit të “rilindjes”.
Këto tre Kolona në fakt përbëjnë thelbin dhe arsyen e ardhjes në pushtet të qeverisjes prej “rilindjes”.
Modeli dhe praktika qeverisëse, që e ka justifikuar plotësisht investimin e bërë nga SPONSORIZUESIT e pushtetmarrjes prej saj.
Në përballjet me qytetarët e vendit, gjatë skandaleve të shumta, kjo qeverisje ka investuar shumë spekulim se ajo gëzon mbështetje ndërkombëtare, jo thjesht për të grabitur dhe varfëruar qytetarët e këtij vendi, jo vetëm për të shitur çdo interes dhe të drejtë të ligjëshme kombëtare, por edhe të asgjesoj çdo normë demokratike në funksion të pushtetit të pafundëm e të pakontrolluar.
Në fakt, shqiptarët shohin herë pas here disa ndërkombëtarë të kërkojnë angazhim dhe marrje përgjegjësish nga opozita për reformën në drejtësi por që çuditërisht nuk artikulojnë asnjë fjalë për pavarësinë e procesit, transparencën e tij si dhe nuk dënojnë rastet kur i ashtuquajturi “veting” herë herë kthehet në “gjueti shtrigash” ndaj gjyqtarëve që kanë dënuar aferat korruptive të “rilindësve” apo herë herë si “bono garancie” për super të korruptuarit që i kalçifikojnë si kamikazë politik në sistem.
Historia e regjimeve abuzive na mëson se nuk duhet shqetësuar shumë nga mbështetja e këtyre zyrtarëve dhe politikanëve të caktuar të huaj për një qeveri të korruptuar e me disa segmente të saj të inkriminuara. Kjo është dytësore. Tek e fundit, Shqipëria nuk është as i pari rast e nuk do të jetë as i fundit në këto modele.
I papranueshëm është fakti i krijimit të perceptimit tek disa ndërkombëtar dhe trajtimi i shqiptarëve prej tyre “si qytetarë të kategorisë së dytë”.
Kjo, thellë-thellë, nuk është faji i këtyre individëve të huaj, por përgjegjësia e shqiptarëve.
Ditën që shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si “qytetar të kategorisë së dytë”, atëhere do marrë fund edhe lobimi i këtyre lloj ndërkombëtarësh për këtë lloj qeverisjeje që kemi në Shqipëri.
Kjo është beteja e shqiptarëve nëse duan ta bëjnë !