Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
Qasjet psikoanalitike në kritikën letrare, tw pwrdorura për interpretimin e jetës dhe veprës të autores amerikane Sylvia Plath kanë pësuar transformime të rëndësishme në dekadat pas kohws kur shkrimtarja amerikane e shkroi veprën e saj poetike dhe nw prozw. Leximet e para psikanalitike, si ato të Edward Butscher “Silvia Plath, Metoda dhe Çmenduria” (1976) dhe të David Holbrook “Silvia Plath, Poezia dhe Ekzistenca” (1976), sot janë nën akuzën se analizojnë shkrimtaren dhe jo veprën. Kështu p.sh Butscher, në përmbledhjen e botuar prej tij në vitin 1977, paraqet një portretizim të Plath si “një tjetër vajzë e vogël e dhunuar, një tjetër viktimë fatkeqe e kompleksit të Edipit”.
Më vonë ai e diagnostikon atë si të “shtypur dhe të ndrydhur”, ose të “depresuar”, “skizofrenike dhe melankolike”. Këtë tezë Butscher u përpoq ta demonstronte për herë të parë në biografinë e shkruar prej tij “Metoda dhe Çmenduria” (1976), ku ai “diagnostikoi” “furinë e saj neurotike”, “obsesionin me të atin” dhe “xhindosjet e brendshme”, personalitetin e saj të ndarë ndërmjet narcisizmit dhe “psikozës së fshehur”. Bazuar në një lexim tejet problematik të prozës së saj “E djelë tek Mintonët”, ky autor e “diagnostikon” poeten si “narciziste” nisur nga reprezentacioni që ajo u bën dy personazheve, Henry dhe Elisabeth Minton.
Paradigma dyjare e Butscher (metodë përkundrejt çmendurisë, perëndeshë përkundrejt kurvës), e shoqëruar me paragjykimin dhe përbuzjen e brendshme kuptimore ndaj femrave, me të cilin janë të ngjyrosura disa nga interpretimet e tij (duke filluar nga mohimi që ai i bën ndikimit të Plath në lëvizjen feministe, dhe deri tek skepticizmi qw i shfaq mbi skenën e përdhunimit tek “Kwmbana prej Qelqi”), e bëjnë portretizimin psikoaanalitik të Plath-it prej tij me kufizime të rëndësishme.
Megjithatë, pavarësisht se në fillimet e tyre përqasjet paikoanalitike në interpretimin e veprës së Plath nuk ishin të mbara, të tjerë kritikë i përdorën me sukses shqyrtimet dhe procedimet psikoanalitike, për të nxjerrë prej tyre lexime të vlefshme të veprës së saj. Vepra e Axelrod “Sylvia Plath, Plaga dhe Kura e Fjalëve”, kombinon retorikën psikoanalitike me retorikën e kritikës letrare, për të dhënë një vlerësim të shkrimeve të autores nëpërmjet detajeve të individualizuara, në marrëdhënie me faktorë tw njohur qw e ndikuan jetën e saj, dhe, ndoshta në njw mënyrë më frytdhënëse, në marrëdhënien ndërmjet veprës së saj me një kontekst më të gjerë letrar dhe kulturor. Kthimi i vëmendjes drejt kontekstit kulturor dhe letrar është tipari më domethënës i kohëve më të fundit në studimet mbi Plath.
Libri i Axelrod gjurmon disa nga preokupimet dhe zërat në veprën e Plath, duke sugjeruar paralelizma, aty ku ato janë me vend, ndërmjet veçantive të shkrimeve të Plath me motive dhe modele të marra nga tema më të gjera psikoanalitike. Tema të tilla përfshijnë marrëdhënien e subjektit me të atin, marrëdhënien e subjektit me nënën, konstitutimin e subjektit në marrëdhënie me të tjerët (objektet e jashtme) dhe me gjuhën. Kapitulli i fundit i librit të Axelrod “Ka dy në mua tashmë” merr dhe përdor konceptin e të panatyrshmes dhe të mistershmes të përpunuar nga Zigmund Frojd, ose mbi veprën e Jacques Lacan dhe esenë e Otto Rank “Mbi të dyfaqshmen” (1925), duke kërkuar të gjurmojë në veprën e Sylvia Plath modelet psikanalitike të humbjes, dëshirës, dhe reprezentacionit, dhe duke ofruar njëkohësisht në këtë mënyrë mundësinë e leximit plot finesë të veprës sw saj, gjetjen aty të motiveve vetë-refleksive të dyjëzimit të shpirtit, pasqyrimit, hilesë dhe mashtrimit. Për Axelrod është marrëdhënia ndërmjet subjektivitetit dhe gjuhës preokupimi i vërtetë për hulumtimet e kritikës letrare psikoanalitike, dhe jo patologjitë e hamendësuara të autores.
Kritikë si Axelrod, Rose, Al Strangeways (në veprën “Sylvia Plath, T’u japësh formë Hijeve”), si dhe Bundtzen (në veprën “Mishërimet e Sylvia Plath”), ofrojnë lexime sugjestive, të vlefshme, dhe qw dhurojnw plot kënaqësi shpirtërore të veprës së saj. Ata fokusohen në çfarë thonë tekstet e saj letrare, dhe nuk shfaqin interes të veçantë për vetë Plath dhe eksperiencat e saj jetësore, por për tema me interes më të gjerë si dëshira, humbja, ankthi, melankolia dhe kështu me radhë. Këto lexime na ndihmojnë të rimendojmë autencitetin në dukje dhe kuptimësinë referenciale të fjalës në “poezinë konfesionale”, duke kuptuar njëkohësisht sesa komplekse janë proceset e kondensimit dhe zhvendosjes që i japin formë asaj.
Rose, p.sh vëzhgon “proceset psikike” që janë të dukshme në poemat e saj, pa i përdorur ato kundër autores për të ndërtuar “çështjen/rastin Sylvia Plath”. Më konkretisht, në librin e saj “Përhumbja e Sylvia Plath”, Rose adreson çështjen e asaj se çfarë të shkruarit nuk është në gjendje të na e tregojë; “paqartësinë” e tij dhe “narracionin e heshtjes”. Rose nuk shfaq interes në leximin e “Plath”, por të reprezentacioneve të saj. Dhe reprezentacionet në vetvete duhen kuptuar si komplekse, shpesh edhe kontradiktore, me plasaritje të brendshme, dhe si të tilla rezistente ndaj çdo përpjekjeje për t’i kqyrur ato si itenerarin që të shpie në drejtim të ndonjë të vërtete të veçantë.
Lexuesit nuk kanë akses tek Sylvia Plath e vërtetë, ajo që ka jetuar realisht; ata kanë akses në tekstet dhe “entitetet tesktuale” që i shoqërojnë ato. Prej këtej, Rose na kërkon ta marrim si të mirëqenë pohimin e saj se Sylvia Plath është një “fantazi”. Duke e lexuar Plath nën dritën e këtij postulati, ne mundemi të deshifrojmë pasurinë dhe forcën sugjestive që ka vepra e saj, si dhe vendin që ajo zë në kulturën tonë.
Libri i Britziolakis (1999) “Sylvia Plath, dhe Teatri i Zisë” është i interesuar për proceset komplekse nëpwrmjet të cilave gjinia (seksi) dhe subjektiviteti fitohen, mbahen, shfaqen dhe interpretohen. Ashtu si Axelrod, ajo merr në shqyrtim përdorimin që u bën Plath motiveve të pasqyrimit dhe eksplorimit të marrëdhënieve famlijare, veçanërisht në mënyrën sesi ato dalin në pah në reprezentacionet e borxhit familjar, influencës dhe tehuajësimit. Ajo adreson format e ndryshme në të cilat Plath evokon feminilitetin spektakular, duke vënë re se “ndër imazhet femërore që shfaqen më shpesh në poetikën e Plath janë ato të prostitutës, të femrës që argëton audiencën, dhe të gruas mekanike”. Ajo shtjellon gjithashtu konceptetet e negacionit dhe tw melankolisë të pranishme në veprën e Plath. Filli që I përshkon dhe lidh sëbashku këto procese është prirja e autores kah vetë-refleksioni, tashmë i përmendur edhe më lart. Në shpjegimin e Britzolakis, kjo prirje shndërrohet specifikisht në procedurat dhe narracionet e psikoanalizës. ”Kjo vetë-reflektueshmëri vazhdimisht e komplikon dhe ndërhyn në mundësinë për leximin psikanalitik të Plath. Plath e merr në pyetje psikoanalizën pikërisht në momentin kur psikoanaliza shfaqet duke pretenduar dhe u përpjekur ta pyesë atë”.
Së fundmi, ajo çfarë shquan në leximet më të fundit psikoanalitike, si ato të Rose dhe Britzolakis, duke i dalluar nga ato më të hershme, si p.sh të Butscher, është se këto punime të fundit të kritikës psikanalitike ofrojnë një mundësi më shumë drejt hapjes sesa mbyllljes kuptimore të tekstit. Për Britzolakis, njohja e rrethanave personale dhe historike të procesit të të shkruarit është e vlefshme, por ajo nuk përfaqëson rrëfimin e plotë, apo të vetmin rrëfim mbi to.”Ndërsa trauma, humbja, dhe puna në zi e vënë në skenë me shkrimet, nuk munden kurrë të shpleksen nga narrativa e jetës dhe vdekjes së saj, krijimtaria e shkrimtares, megjithatë, është shumë më e lartë sesa personalizimi i biografisë së saj”