Dy ushtarakët grekë, të arrestuar në fillim të marsit pasi kishin hyrë disa metra brenda kufirit turk, janë kthyer në atdhe me avionin e kryeministrit Alexis Tsipras, tashmë të lirë pas 167 ditësh në burgun e Edirnesë në Turqi.
Ata janë pritur në Aeroportin e Selanikut rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, nga ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos dhe nga familjarët e tyre, ndërsa i jashtëzakonshëm ka qenë interesi i medieve vendase dhe atyre të huaja.
Dy ushtarakët janë liruar pasi kanë dalë për herë të 6 para prokurorit turk në Edirne, e me anë të avokatëve të tyre kanë ripërsëritur se hyjra e tyre në tokën turke ishte bërë për shkak se ata kishin ngatërruar rrugën.
Lirimi i tyre vlerësohet se ka ardhur si rezultat i përpjekjeve diplomatike të bëra nga ana e Athinës dhe ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë.
“Ky zhvillim hap perspektiva të reja për forcimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon”, ka deklaruar zv.ministri i Jashtëm grek, Georgios Katrougalos.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, i cili pak ditë më parë akuzoi presidentin Erdogan se kishte organizuar rrëmbimin e dy ushtarakëve grekë, ka thënë se dy vendet mund të jetojnë bashkë në mënyrë paqësore dhe të ndërtojnë të ardhmen duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
“Në emër të kryeministrit, qeverisë dhe popullit grek i mirëpresim ushtarakët tanë në atdhe dhe shpresoj se lirimi i tyre do ta bëjë ditën e sotme të festës një ditë të shënuar për marrëdhëniet greko-turke”, tha Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.
Udhëheqja politike turke, shpeshherë kohët e fundit kishte aluduar se do të mund të shkëmbente dy oficerët grekë me 8 ushtarakët turq, që u arratisën pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit.
Ndërkohë, Ankarasë i është bërë presion nga BE-ja e Parlamenti Europian, ndërsa edhe vet kryeministri Tsipras i ka kërkuar presidentit Erdogan lirimin e tyre, në takimin që pati me të në samitin e fundit të NATO-s.
Në analizat e para vlerësohet se, me këtë veprim, Ankaraja kërkon të rivendosë urat me BE-në, në një përpjekje për të gjetur mbështetje ndaj luftës ekonomike, siç thekson qeveria turke, që kanë hapur ndaj saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Top Channel