Home KRYESORE Një replikë miqësore me mikun tim të mirë, Dr. Afrim Fanda rreth...

Një replikë miqësore me mikun tim të mirë, Dr. Afrim Fanda rreth Shën Naumit

Nga Erion Dasho

Dr. Afrimi me një etikë perfekte komunikimi (që nuk haset aq shpesh ndër ne shqiptarët) replikoi sot me disa nga komentuesit në statusin tim të mëngjesit rreth Shën Naumit. Tezat e tij kryesore ishin dy: 1) Maqedonasit e kanë ruajtur Shën Naumit vetëm sepse ka domëthënie fetare për ta; dhe 2) Shqiptarët nuk e mbrojnë aq sa duhet imazhin e vendit (kjo e dyta e nënkuptuar nga ana ime dhe jo direkt e shprehur). Unë kam një mendim paksa të ndryshëm.

Së pari, maqedonasit janë gjithmonë në kërkim të historisë. Ata janë kapur pas çdo figure dhe situate historike që sado pak lidhet me ta, p.sh. Aleksandri i Madh, Nënë Tereza dhe Shën Naumi në fjalë. Sikur të kishin patur ndonjë kala ilire në trojet e tyre me siguri do ta kishin ndriçuar (siç kanë ndriçuar kalanë e Ohrit të ndërtuar nga Filipi, i ati i Aleksandrit të Madh). Ndërkohë ne, shqiptarët, as dimë ta promovojmë dhe as ta mbrojmë trashëgiminë tonë. Flas pasi kam vizituar gjatë javës së kaluar të paktën 5-6 muze të shkëlqyer dhe në asnjë prej tyre nuk na u ofrua as edhe asistenca më e vogël. Në Berat, shtëpitë e Mangalemit dhe Goricës ishin hirosur se, ndoshta, nuk janë lyer prej kohësh. Etj. Etj.

Së dyti, krahasimi midis Tushemishtit dhe Shën Naumit është katastrofik. Në Shën Naum është ruajtuar manastiri, hoteli dhe restoranti (të gjitha në numrin njëjës). Në Tushemisht, kushdo ka bërë ç’ka dashur dhe e ka bërë në një mënyrë aspak estetike dhe funksionale. Në Tushemisht gropat e rrugës janë sa makina, në Shën Naum ka kalldrëme dhe rrugë të shtruara. Në burimet e Tushemishtit ka plehra, në burimet e Shën Naumit uji mund të pihet. Në Tushemisht ka mbi-popullim dhe çdo pëllëmbë tokë “asht e xanun”, në Shën Naum ka pyje, lëndina, kodra, etj. Në Tushemisht sheh shumë hekur dhe beton, në Shën Naum sheh vetëm gur dhe dru. Më e keqja është se në këto rreshta Tushemishtin mund ta zëvendësosh me Durrësin, Vlorën, Shëngjinin, Sarandën, Lurën, etj. dhe të mos kesh nevojë të ndryshosh asgjë fjalë tjetër…

Së fundi, unë NUK gëzoj që Shën Naumi ju dha jugosllavëve dhe më vonë e trashëguan maqedonasit (pavarësisht se Maqedonia për ca vjet do të bëhet shteti i tretë me shumicë shqiptare në Ballkan). Por as edhe nuk jam dakord që të stimulojmë një patriotizëm fals, kur me vendin dhe mjedisin sillemi si plaçkitës dhe vandalë. Çfarë e mire na vjen nga të qënët “pasardhës të ilirëve”, kur “pasardhësit e sllavëve” ngjitur me ne e trajtojnë vendin dhe mjedisin me një respekt shumëfish më të lartë se ne?!

Share: