(NOCIONI ESENCIAL I SHTETIT – QYTETARI AKTIV NË PËRBALLJE ME DREJTËSINË E KAPUR)
Më 4 tetor 2017, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, jam përballur me një situatë tepër specifike: segmente me ndërgjegje profesionale e kombëtare brenda AKI-së më paralajmëronin për planin që kishte hartuar policia për të më arrestuar dhe njëkohësisht më sugjeronin të largohem për disa muaj.
Një zyrtar i AKI-së, i prezantuar si koleg i dy ish studentëve të mi, më drejtohet duke mbajtur larg shikimin, me këto fjalë: “Profesor, jeni në rrezik jete! Të githë skenarët janë të hapur: nga ai i Astrit Deharit, deri tek ai i vëllezërve Kiçina! Ju sugjerojmë të largoheni për disa muaj!”
Ky ishte mesazhi që ma komunikoi zyrtari i shtetit tim, që ka vite është peng i krimit institucional dhe u largua kokëulur, me dhembjen që i lexohej në sy.
E pranoj: Pas atij çasti, për mua dramatik, isha plotësisht në panikë. Nuk më bënin punë dijet e shestimet mbi shtetin dhe drejtësinë, por as edhe gjakimet për mundësitë e puçjes së drejtësisë me të drejtën, për të cilat ideale kisha flijuar një pjesë të rinisë sime në vitet e 80-ta dhe isha detyruar të jetoj në mërgim plot 14 vite të tjera.
Diku nga fundi i qershorit 2017, një mik i imi, bashkëveprimtar sa isha pjesë e LPK-së, më pat njoftuar se si i ishte bërë me dije atij nga një aktivist i PDK-së nga Ferizaji, lakimi i emrit tim dhe Emrush Xhemajlit, Xhevat Bislimit, madje në zyrat qendrore të PDK-së.
Lajmësi më bënte me dije se rrëfimin e përjetonte thellë si element hakmarrës, prandaj shpërtheu në ngulëshitje dhe vaj. Ai nuk mund ta merrte me mend se hakmarrja politike, që burimin e kishte së paku te maji i vitit 1998, kohë kur ishte kryer puçi brenda LPK-së/UÇK-së, po merrte tash këtë trajtë të persekutimit politik.
Ndërlidhja e Shoqatës “Lëvizja” me “Syrin e Popullit”, ne një pjesë e kryesisë së Shoqatës që ishim ish shokë të vjetër të ilegales dhe tutje aktiv në jetën politike në Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht se na dukej absurde dhe inkriminuese, nuk na bënte edhe aq përshtypje. Madje, në periudhën pasuese, sidomos kur mësuam emrat e listës së famshme, të cilën e pat tundur në ajër Hashim Thaçi, disi si Llazar Mojsovi… duke e njohur gjendjen shëndetësore të Murat Jasharit dhe jemi tallur herë pas herë, megjithëse në ndërdije personalisht, më shkonte mendja se çmendia e krerëve të PDK-së mund të jetë e përmasave irracionale dhe aspak më e “butë” nga ajo e kryesisë së LKJ më 1981. Ndërkohë gjatë korrikut më ftoi një mik tjetër, ish-bashkëveprimtar në UNIKOMB, dhe më njoftoi se ishte ftuar në polici dhe se polici hetues M.K. e kishte pyetur për mua, duke më ndërlidhur me rastin “Vllasi”!.
Nuk kam fare të bëjë me rastin në fjalë dhe përgjithësisht, ti e din se unë jam kundër dhunës, ia dhashë përgjigjen mikut, duke e mbyllur këtë çështje.
Edhe në disa rrethe të gazetarëve, kryesisht të frymës titiste, isha informuar se emri im ishte lakuar si person që mund të ketë nxitur veprime të dhunshme, sidomos përmes shkrimeve dhe komenteve të veçanta që kisha publikuar!
Sidoqoftë, meqë nuk kisha të bëja fare me projeksione të natyrës së dhunshme, e aq më pak me të ashtuquajturën organizatë-fantom “Syri i Popullit”, që për gjykimin tim duhet të jetë fiktive, as nuk më shkonte mendja të largohesha nga atdheu.
Vazhdova punën me studentët e mi në UBT, por edhe një betejë të re politike – atë me islamin politik, që po më rezultonte si fenomen shumë i rrezikshëm për interesat tona kombëtare në rrafshin strategjik dhe afatmesëm.
Pas reagimit që pata me rastin e defilimit të islamit politik përmes shtruarjes së iftarit në sheshin e qytetit që mban emrin e heroit të kombit Metush Krasniqi, në Dardanën time, duke e vlerësuar atë si akt antihistorik dhe të rrezikshëm, beteja ime politike u shpërqendrua plotësisht.
Përballja me sulmin e përqendruar linçues nga aktivistët e partisë “Fjala” dhe jo vetëm nga ata, ishte e ashpër, por edhe e dhimbshme. Përmasat e ndjeshmërisë në këtë betejë politike për mua u bënë më të dhimbshme, sidomos pas publikimit të distancimit nga ana e Vetëvendosjes, respektivisht deklaratës së zëdhënësit të VV, Shkodran Hotit.
Në vend të shpjegimit detajues dhe kërkimfaljes, kryetari i atëhershëm i VV, Visar Ymeri, në njërën prej pauzave të mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm, pas insistimit tim për të mësuar se kush qëndron prapa distancimit, u mjaftua duke më pohuar se ai distancim ka qenë i pa koordinuar me kryesinë e VV. Sidoqoftë, meqë isha deri diku i informuar për gjendjen brenda strukturave të larta të VV, sidomos mbi ndikimin e Sekretariatit mbi organet formale drejtuese dhe përplasjen mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliçajt, por edhe për shkak se hapësira ime e veprimit brenda VV ishte vazhdimisht e ngushtuar, unë u përqëndrova tutje në jetën akademike dhe po vazhdoja të thelloja dijet mbi islamin politik. Produkt i këtij studimi ishte analiza e gjatë prej diku 22 faqesh, që më është botuar më 9 tetor në revistën shkencore mjaft prestigjioze amerikane “Euroasiarewy” në Çikago, bashkëpunëtor i jashtëm i së cilës jam që prej fillimit të vitit 2016.
Krahas kësaj kisha përgatitur dhe dorëzuar tek Këshilli botues akademik në UBT, kumtesën që do ta lexoja në Konferencën shkencore ndërkombëtare, bashkëorganizator i së cilës ishte UBT dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në fund të nëntorit 2018.
Por në kulmin e fushatës zgjedhore (11 qershor 2017), Naser Vllasi, nipi i Azem Vllasit, kishte publikuar në disa gazeta dhe në profilin e tij në Facebook insinuata e shpifje të ulëta në adresë timen, për çka diku nga mesi i verës e ushtrova padinë në Gjykatën përkatëse për shpifje dhe cënim të integritetit tim moral, prej atdhetari dhe akademiku.
Në shtator 2017, teksa prisja ftesën për përballje me Naser Vllasin në Gjykatën Themelore të Gjilanit – Dega në Dardanë, postieri ma solli ftesën për paraqitje në Prokurorinë Speciale më 9 tetor dhe atë si i dyshuar për dy vepra penale! Pas tri ditësh, ftesën me akuzën e Prokurorisë Speciale, e publikova të shoqëruar me një koment, i cili është potencuar pjesërisht edhe në aktakuzë, çka dëshmon për shpirtin hakmarrës të prokurorit, për çka edhe më ka mbajtur në paraburgim. Ndërkaq qëndrimi i prokurorit përballë policëve hetues (të njohur tash më si pjesë e klanit “Pronto”), gjatë atyre dy përballjeve tona (më 9 tetor 2017 dhe 5 janar 2018), ishte përulës, siç dëshmohet tash më edhe me deklaratat e montuara të dëshmitarëve A2 dhe A3, që duhet të jenë pjesë e atij mekanizmi. Në fakt dëshmia e dëshmitarit A3, respektivisht pjesët e shkëputura të saj, është më se e venerueshme se është e konstruktuar dhe e shkëputur nga konteksti i bisedës së lirë për dy tema krejt të ndryshme:
Për rrëfimin tim për rastin e Kumanovës (9 maj 2015) dhe për rrëfimin tjetër
Për takimin tim me ish Këshilltarin e Presidentit (Rexhep Meidani), dr. Sabit Brokaj me rastin e dorëzimit të një sasie të madhe barnash që i kisha siguruar nga Ushtria Zvicerane (vlera prej diku 1.5 milion Frangash Zvicerane), e të cilën e kishte marrë në pranim me insistimin tim Shaip Muja.
Takimi im me Dr. Brokajn kishte të bënte me sigurimin e rrugëve për dërgimin e barnave për Krumë. Ai më pat pritur në zyrën e tij, ndërkaq në tavolinë kishte librin e Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, për çka biseduam gjatë.
Pjesa e fundit e dëshmisë është tërësisht shpifje dhe montim i pastër me prapavijë politike. Teksti i kësaj akuze si tërësi dhe tetë faqet që kanë të bëjnë me mua në veçanti, nuk më lënë hapësirë për të ushqyer iluzione për fuqinë e mundshme të drejtësisë me të drejtën gjatë dhe në përmbyllje të këtij procesi tragji-komik.
Sidoqoftë, siç shprehet Ukshin Hoti, individi, përmes fjalës së tij të mbrojtjes, jo më kot mendon se “mund të ndikojë, jo aq në vendimin eventual të gjyqit, sa në kompleksitetin e rrethanave dhe të situatave që mund t’i shkaktojnë gjykimit” (U. Hoti, 1996).
Në përputhje me këtë rezon logjik, institucionin gjyqësor të fjalës së mbrojtjes e vlerësoj shumë serioz dhe rrjedhimisht, në rastin konkret, jo krejt formal, meqë kjo “ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko-juridik.” (U. Hoti, vepra e cituar).
Gjykata do të duhej ta deshifronte qartë këtë aktakuzë si përpjekje për të imponuar perceptimin e saj si të vërtetën reale, duke u mësuar me mendimin se ai, pra perceptimi, është shumë herë më i rëndësishëm se realiteti. Ky perceptim, respektivisht kjo këmbëngulje për ta imponuar atë si vetë realitetin, do të thotë qartë se po insistohet edhe në zhbërjen e këtij dinjiteti dhe vrasjen e drejtësisë. Këtë insistim irracional gjykata nuk duhet ta lejojë assesi.
Përndryshe, sado me keqardhje, kjo qeverisje po shkon drejt shndërrimit të Republikës në një vend ku burgu , siç do të shprehej Henri Dejvid Thoro, do të mbetet “shtëpia e vetmuar në të cilën mund të banojë me nder një njeri i lirë…) (M. Rouzën, “Mendimi politik”, fq. 79).
Në faqen 4 të aktakuzës, pika 2, potencohet: Të pandehurit: Murat Jashari….Sadri Ramabaja…..” pra përfshi emrat e që të tetë personave që PS na përfshin në këtë aktakuzë, se “më datë 15.05. 2015 si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit” me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, diku në një shtet europian, kanë marrë vendim që në mars të viti 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme…”
“Me këtë kanë kryer veprën penale përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144, paragrafi 4, lidhur me nenin 136 të KPRK-së”.
Tek po e lexoja këtë pjesë të aktakuzës, se si më erdhi në mendje aktakuza që kishte prof. Ukshin Hoti dhe ndërlidhjen që ia bënte Gjykata serbe, duke e shfrytëzuar mbledhjen konsultative të LPK në Kollare të Kërçovës (1993), e njohur për vendimet e saj për riorganizimin e LPK-së që do t’ia vinte themelet UÇK-së, siç e dijmë ne ish bashkëveprimtarët e profesor Hotit, ka qenë i ftuar edhe ai. Nuk është vendi të sillen arsyet përse prof. Hoti nuk morri pjesë në atë mbledhje.
Por për gjykatën serbe ishte i mjaftueshëm ky fakt që prof. Hotin ta akuzonin dhe dënonin si anëtar dhe ideolog të LPK-së, meqë nuk e dënonin dot si krytar të UNIKOMB-it, derisa ajo forcë legale ishte e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë si edhe forcat tjera politike që vepronin atëbotë në Kosovë.
Unë kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk kam marrë pjesë në takimet e të ashtqujaturës organizatë “Syri i Popullit”, rrjedhimisht as në takimin e 15.05. 2015, të cilën e potencon prokurori në aktakuzë.
Në faqen 21 të aktakuzës ku potencohet se bazuar gjoja në ekzaminimin e provave “shihet struktura e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, në paragrafin e katërt thuhet: “Përgjegjës i SHQ – Sakati (që vërtetohet se është i pandehuri Murat Jashari) dhe zëdhënsi i tij Besniku (që është vërtetuar se është i pandehuri Sadri Ramabaja)”;
Tutje në paragrafin pasues thuhet: “Përgjegjës i grupit politik Besniku dhe zëvendësat (7 veta) përgatit komunikatat dhe sipas nevojës edhe reagimet”
Konstatimi se unë gjoja qëndroj prapa “Besnikut” nuk mund të provohet me asnjë fakt. Madje edhe vet ekzistenca e këtij far grupit politik, siç pretendohet në aktakuzë, përveç në iluzionet e Murat Jasharit, nuk rezulton të ketë ekzistuar. Si arsyetohet nënshkrimi i komunikatës së parë nga i ashtuquajturi shtab organizativ, nëse do të ekzistonte ky farë grupi politiik?
Komunikata e dytë, siç potencohet në aktakuzë, na qenka publikuar vetëm te portali Expres(?!) Mos vallë edhe autorët e komunikatës së parë, që qenka publikuar më 14.03.2017, ditën që unë kam qenë në Durrës (ky fakt mund të provohet me fakte materiale dhe me dëshmitarë), duhet kërkuar te qarqet e Expresit!?
Konkulzioni i prokurorit se unë paskam qenë në krye të këtij grupi politik, nuk ka të bëjë fare me frymën dhe logjikën juridike.
Një përfundim i kësaj natyre, kaq absurd, i ngritur e bazuar në një dokument të hartuar nga një person me diagnozë të qartë si i papërgjegjshëm penalisht për shkak të shëndetit të tij mendor tërësisht të dëmtuar, nuk do ta bënte asnjë prokuror serioz.
Ndërkaq çfarëdo gjykate kredibile në rrafshin profesional, do ta rrëzone pa kurrfarë hezitimi që në seancën e parë.
Insistimi i mëtejshëm i prokurorit për t’i shfrytëzuar si prova materiale shkresat e Murat Jasharit, dhe për t’më implikuar mua me organizatën fiktive “Syri i Popullit’, flet për logjikën e njejtë antihumane mbi të cilën bazohet Prokuroria, për të cilën ka dhënë shpjegimin e duhur Alain Badio (filozof francez) tek është marrë me çështjen e antihumanizmit “si pikën kulmore të shekullit.”
Shih paragrafin e dytë të faq. 27:
“Nga shikimi i ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë forenzike të Kosovës, i datës 22. 09. 2017 nga i cili konkludim del se i ekzaminuari Murat Jashari vuan nga çrregullimi skizoafektiv – tipi manjakal që në klasifikimin ndërkombëtar të çrregullimeve mendore kodohet në shifrën F25.0 (ICD10).
Duket qartë se dominimi i frymës antihumane kur është hartuar kjo aktakuzë, e ka ngulfatur dhe mbytur racionalitetin juridik.
Për një kohë të gajtë i kam jetuar në kurriz politikat antihmane të SHIK-it/alias PDK-së. Kjo luftë qe ashpërsuar duke më larguar nga Universiteti publik i Prizrenit, fill pas aderimit tim në VV. Largimi nga UPZ ishte sinjal i qartë se tani e tutje duhet të pajtohesha ose të jetoja “brenda domenit natyror”, e të vegjetoj “sipas natyrës, dmth. sipas kafshës: pa veprim mohues… duke përfillur në përpikmëri urdhërin ditor: ushqehuni dhe jini i kënaqur” ose ta pranoja flijimin si akt politik. Ata nuk mund ta pranonin autoritetin tim moral, qëndrimin vetikal, ngritjen time permanente akademike dhe njëkohësisht angazhimin politik brenda VV, ndërkaq si pretekst shfrytëzojnë parathënien e librit të M.Jasharit dhe identitetin tim shqiptar “Besnik Berisha”, të cilin prisja ta bëja publik më 17 janar 2018 në Konferencën e dytë shkencore të radhës, që do ta shfrytëzonim si shoqatë për ta inicuar aksionin për shqipërimin e emrave dhe mbiemrave, duke marrë në konsideratë 550 vjetorin e Gjergj Kastriotit.
Vizatimi i kopetinës së numrit të parë të revistës “Acephale” i bërë nga Andre Massoni dhe që shërbente si embemë e “Përbetimit të shenjtë” të kuridsur nga Bataillei dhe një grup i ngushtë miqësh, paraqiste figurën e një njeriu lakuriq, të cilit i mungonte koka (G. Agamben:2005).
Kjo shpërfaqje së fundmi me një kokë madhështore kau, flet qartë për aporinë e thellë që shoqëron gjithë projektin teorik të Bataille-it. Çka mund të thuhet nga studiesit e ardhshëm, pasi ta kenë lexuar aktakuzën e nënshkruar nga prokurori Sylë Hoxha, për sistemin politik pasi të bien maskat dhe çdo gjë të shfaqet lakuriq. Ishte e qartë që në start të kësaj farse gjyqësore se “Syrit të Pipullit” i mungonte “koka”, prandaj klani “Pronton”, përmes Prokurorisë Speciale, si superinstrument politik , ishte vënë në kërkim të kokës.
Në fillim atë e kërkonin, siç kam mundur ta vë re nga pyetjet e policisë hetuese, tek Kryesia e shoqatës “Lëvizja”. Por me kalimin e kohës , sigurisht edhe për shkak të presionit politik, duket se tek unë kanë shenjuar Leviatanin për ta sakrifikuar në përputhje me doktrinën gnostike. Natyrisht, kalemxhinjtë e klanit “Pronto” mund të kenë harruar t’ia sqarojnë kokave të klanit që qëndrojnë drejpërdrejt prapa urdhërit për arrestimin tim, që sipas traditës rabinike, të drejtët , pra ata që sakrifikohen, janë e ardhmja e Izraeilit./ alias Shqipërisë dhe rrjedhimisht shenjojnë vetqenien e saj tash më të përjetshme në këtë garë të egër të homosapiensit për piktakim në origjinë, kush rezulton humbës: Murat Jashari me shëndet të rrënuar, më iluzionist somnabull i llojit të vetë, apo Prokuroria Speciale, alias kokat e krimit në Kosovë. Nuk po flas tutje për “anëtarët” e kësaj kuaziorganizate që i ka sjellë kjo prokurori para gjykatës, meqë më rezultojnë vetëm statist aksidental, ngjashëm me viktimat e aksidentit “kolateral” të NATO-s në Krushën tonë gjatë Luftës (1999), ndërkaq sakrifikimi im duket qart se është një hakmarrje politike sui generis, në themel të së cilës është puna si redaktor i librit “Lufta e pambaruar”, është parathënia e atij libri që prokurori ia ka kushtuar plot katër faqe në aktakuzë; Është libri im “Federata Shqiptare”, (një platformë e qartë politike mbi rrugët që duhet të ndiqeshin në ecjen drejt bashkimit të dy Republikave shqiptare); Është recensioni im për librin e Bedri Islamit “Lëvizja – një lindje e përgjakur – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”. Një varg analizash të publikuara në gjithë hapësirënshqiptare dhe mbi të gjitha paralajmërimi im se jam duke punuar në projektin e ri që do të dalë si libër, pas përmbylljes fillimisht të një cikli ligjëratash mbi historinë politike të Kosovës.
Supozimi themelor i filozofisë së moralit është se njerëzit, sipas Robert Pol Ulfit, janë përgjegjës për veprimet e tyre. Shkencat juridike-penale e kanë përvetësuar këtë postulat, por i kanë liruar nga përgjegjësia njerëzit e sëmurë mental.
Kafeja që kisha pirë në vilën ‘Panorama’ më 11 mars 2017 me Murat Jasharin, për mua edhe sot mbetet si akt i mirësjelljes dhe respektimit të kulturës e qytetërimit shqiptar, pavarësisht se ka pas pasoja të tmerrshme për mua dhe familjen time.
Me të drejtë djali im, Taulanti, e ka vlerësuar se ajo kafe ishte në kohë jo të duhur dhe në vend jo të duhur. Pavarësisht kësaj, si akt nuk ka të bëjë asgjë me teoritë makiaveliste të klanit “Pronto”. Përkundrazi, ai akt (për mua) mbetet edhe më tej shenjuesi dhe “privilegji i pandalshëm i fisnkërisë” (G.Agamben:40), respektivisht një lloj dëshmie e “mbijetesës së njeriut dhe e njerëzores”, diçka e ngjashme me aktin e ceremonisë së pirjes së çajit tek japonezët.
Për mua ai ishte i dyti, nëse nuk e llogaris takimin dhe përshëndetjen që kisha me M. Jasharin gjatë të pames për Astrit Deharin, që de facto ishte një ritakim pas plot 20 viteve.
Mua më 11 mars 2017 më mjaftuan ata 10-15 minuta që të vija në përfundim që kishin ardhur paraprakisht neurologët zviceran dhe ndërkohë edhe neurologët tanë në QKUK për shëndetin mendor të M. Jasharit. Për këtë, gjithsesi, u ndjeva shumë keq, pavarësisht se për gjendjen e tij shëndetësore, vite më parë më kishin njoftuar ish bashkëveprimtarë tanë të LPK-së.
Duke lexuar aktakuzën, dëshminë e ekspetizës, por edhe dëshmitë e atyre që e kanë njohur nga afër M. Jasharin, përfshi edhe udhëheqës të institucioneve, vetvetiu shtroja pyetjen: Si ka mundësi që Prokuroria edhe tash pasi i ka në dorë raportet e mjekëve, dëshmitë e tyre… t’i përdor shkresat e M. Jasharit si “dëshmi” dhe “fakte materiale” për ngritjen e kësaj akuze?!
E kam të qartë se pse e ka të vështirë ta bëjë deshifrimin e përballimit mes asaj që ndodhë me “ngarkesën shtazore të njeriut në post-histori dhe snobit japonez, respektivisht trupit të tij, por edhe mes këtij trupi dhe “krijesës së pa kokë të përftuar nga intuita e Batailleit. (G. Agambeni: 43) për çka fola më lartë. Në këto rrethana për Prokurorinë Speciale përparësi merr jo jeta dhe shëndeti i njeriut, por përkujdesi për jetën e vet shtazore, në të cilën jeta natyrore bëhet qendra e ushtrimit të atij që Foucault e ka quajtur biopushteti.
Në paragrafin e dytë të aktakuzës në faq. 27 potencohet tekstualisht:
“Nga shikimi i ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i datës 22.09.2017, nga i cili konkludim del se i ekzaminuari Mura Jashari vuan nga çrregullimi skizofrenik – tipi maniakal, që në klasifikimin ndërkombëtar të çrregullimeve mendore kodohet me shifrën F25-0 (ICD10). Ky çrregullim ka karakter të përhershëm me psikosimptomatologji të shkallës nga mesatarja në të rëndë!!”.
Kjo dëshmi do të ishte e mjaftueshme që Prokuroria Speciale mos të binte në këtë nivel të absurditetit dhe të ngrejë akuzë ndaj cilitdo prej nesh si gjoja bashkëpunëtorë të M. Jasharit.
Shih për këtë përfshirjen time në këtë farsë gjyqësore, e vlerësoj edhe si fyerje të intelegjencës sime.
Se unë jam redaktor i librit nuk ka pasur nevojë të konfirmohet nga palë e tretë, meqë këtë e kam pohuar që në përballjen time të parë me prokurorin, madje duke shtuar se pas aktit të M. Jasharit ndaj Azem Vllasit kam analizuar edhe gazetat dhe portalet ku janë publikuar letrat e përmbledhura në libër dhe jam interesuar të siguroj informacione se pse janë publikuar pikërisht në ato gazeta dhe portale që kanë pas qëndrim të njohur anti-UÇK. Madje kam shprehur gatishmërinë time në këtë rrafsh për të vënë në dispozicion njohuritë e mia profesionale për hetim të kësaj çështjeje.
Ndërkaq këmbëngulja e prokurorit për ta përfshi emrin tim në kontekst të fajit që paskam bërë si redaktor i librit , është abuzim i pastër dhe me motive politike. Personalisht dhe në prani të policëve hetues dhe avokatit tim, kam pohuar se jam redaktor i librit dhe autor i parathënies. Lidhur me emrin Dr. Besnik Berisha kam dhënë shpjegimin se ai është identiteti im të cilin kisha planifikuar ta bëja publik më 17 janar 2018, në Konferencën e dytë shkencore që e kishim paralajmëruar si shoqatë mbetet dhe atë si fillim i aksionit për shqipërimin e emrave dhe mbiemrave, duke e ndërlidhur këtë iniciatëve me vitin e Gjergj Kastriotit, në këtë 550vjetor.
Në pargrafin e tretë – faq. 74 – të aktakuzës, prokurori sikur ta shkruante aktakuzën diku në vitet 1981 – 1989, potencon:
“I pandehuri Sadri Ramabaja gjatë mbrojtjes ka tentuar t’i ikë përgjegjësisë juridiko-penale, duke mos e shkruar emrin dhe mbiemrin e vet si redaktor i librit “Lufta e pambaruar.”
Ky konstatim flet shumë për përcaktimin politik absurd dhe mungesën e dinjitetit profesional të prokurorit. Çfarë përgjegjësie juridiko-politike është redaktimi dhe shkrimi i një parathënie të një libri, çfarëdo qoftë ai?!
Para dy viteve është publikuar në shqip (por edhe në qindra gjuhë të botës) libri i Adolf Hitlerit “Mein Kampf” (“Lufta ime”) dhe sipas logjikës irracionale të prokurorit Sylë Hoxha, redaktori i atij libri na paska përgjegjësi penalo-juridike!
Sylë Hoxhës edhe mund t’i ketë ngelur ora në vitet 1984…. 1986… por gjykata nuk duhet të lejojë këtë sjellje e qasje kaq joprofesionale të drejtësisë së Republikës për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë.
Duke e lexuar romanin autobiografik të mikut tim Bedri Halimi “Ecje në furtunë”, më bëri përshtypje një fragment i tërë në faq. 76.
“Në këtë sistem të çoroditur, antishqiptar, kush pyeste për rregullsi. Këtu nuk merren vesh kush ishte hetuesi, kush prokurori a hetuesi. Ndarja ishte vetëm formale, të gjithë prokurorë dhe të gjithë gjykatës.”
Por duke vazhduar leximin e romanit në fjalë, në faqen pasuese (77) trishtimi im merr përmasat e groteskut politik, vallë në ç’kohë jetoj?! Si preambulla e akuzës edhe fjalia e fundit, janë pothujajse identike me akuzat serbe që na i bënte UDB-ja në vitet e tetëdhjeta!
Ja se pse:
“Akuza është e provuar dhe në ligj e bazuar”. (fq. 75)
Para cilës Prokurori jam: asaj serbe të vitit 1984, apo Prokurorisë së Republikës sime ?!
Është tepër e qartë: Prokuroria Speciale, policia hetuese, klani ‘Pronto’ që ka kapur sistemin e drejtësisë, e ka shfrytëzuar fatkeqësinë (sëmundje mendore) e Murat Jasharit për skenar makabër politik, ndërkaq mua personalisht, duke keqpërdorur iluzionet dhe projeksionet fatnazmagorike të një të sëmuri, pretendon t’ia arrij qëllimit: T’më likuidoj nga jeta publike, akademike e politike.
Në paragrafët e parë në faq. 27 të aktakuzës, prokurori sjell shikimin e ekspertizës nga Instituti i Psikaitrisë Forenzike të Kosovës dhe diagnozën reale të Murat Jasharit.
Ndërkaq në paragrafin e fundit, prokurori vazhdon:”Gjatë hetimeve në këtë çështje penale duke shtjelluar dhe analizuar shkresat e lëndës e kemi siguruar një ekzemplar të librit “Lufta e pambaruar” të pandehurit Murat Jashari, botuar në Prizren më 2016.”
Libri ka qenë në shumë librarit gjithandej, pra edhe në Prishtinë. Nuk besoj se ka pas nevojë të humbas kohë Prokuria speciale që ta gjejë. Ndërkaq, siç e theksova më lartë, që në përballjen e parë me prokurorin, unë e kam pohuar se unë jam redaktor i këtij libri dhe për rrjedhojë nuk ka pasur nevojë për insinuata as prokurori e as policia hetuese, që ta konfirmonin se Dr. Besnik Berisha, pra redaktori, jam unë.
Insinuatat dhe pandehmat këtu nuk kanë vend, zoti Prokuror! Pavarësisht këtij fakti, ju në aktakuzë më tej shkruani se:
“Nga kjo vërtetohet se i pandehuri Sadri Ramabaja me qëllim dhe plan të detajuar i ka ikur publikimit të emrit të saktë si redaktor i librit dhe e ka shkruar emrin dhe mbiemrin tjetër. Me këtë i ka ikur identitetit të vërtetë pasi që është i involvuar direkt në organizimin, planifikimin e planeve të organizatës “Syri i Popullit” në terren si dhe në shkresat operative si përgjegjës i grupit politik (Besniku), i cili ka pas për detyrë të lëshojë komunikata, njoftime dhe sipas nevojës edhe reagime.” (faq. 27)
Supozimi se qenkam i involvuar “direkt në organizimin, planifikimin etj. të organizatës “Syri i Popullit”, mbetet tërësisht supozim, pa mbulesë dhe pa të vetmin fakt juridik.
Cilat nga “shkresat operative” qenkan shkruar nga unë? Nga kush janë lëshuar komunikata? Pse komunikata nuk qenka nënshkruar nga “Grupi politik”, por siç rezulton nga mediat, nga “Shtabi operativ”!?
Bazuar në të famshmin “Plan operativ” në të cilin thirret prokurori, si intervistues të personaliteteve të UÇK-së na qenkan angazhuar të jenë: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Gafurr Elshani dhe Emrush Xhemajli, ndërkaq në cilësinë e ekspertit kushtetues – Mazllum Baraliu. Dhe në fund fare, për të përmbushur ëndërrën e tij (iluzionet) në atë “Plan operativ” na vije “Këshilli inicues” për formimin e LPK (e shekullit 21)! në krye të të cilit ai (M.J) sheston ta ketë Albulenë Haxhiun mbesën e heroit të popullit, Ahmet Haxhiu!
Në dëshmitë e tyre, asnjëri nga këta persona, siç shihet, nuk ka qenë fare i informuar paraprakisht për këtë farë “Plani operativ” dhe për “detyrat” që ua ka përshkruar M.Jashari.
Këtë e besoj plotësisht, meqë edhe mua në asnjërin nga ato takime që kam pas me Muratin (në janar dhe mars 2017), nuk më është zënë në gojë kurrfarë “platforme operative” apo “Grupi politik”, natyrisht as organizata fantom “Syri i Popullit”. Ende, edhe sot e gjithë ditën nuk kam njohuri se kur paska arritur t’mi ndaj “detyrat” M. Jashari? Në fakt, për këto “detyra” ishte kujdesur të më informojë prokurori Sylë Hoxha, ndonëse krejt këto ishin fantazira që s’kishin kurrfarë pikëtakimi me realitetin. Pra, po del se atë që nuk kishte arritur ta kryej iluzionisti M. Jashari, tani me njëfarë zelli të pashpjegueshëm po e kryente prokurori Hoxha, por me një qasje dhe format aspak dinjitoz për pozitën e tij në sistemin e drejtësisë.
Nëse pohimet e të gjithë ish bashkëveprimtarëve të mi që zura në gojë më lartë, janë të sakta, e gjithsesi se janë, atëherë pse unë do të duhej të isha “Besniku” i iluzioneve të M. Jasharit?! Me ç’fakt relevant na e paska verifikuar prokurori apo policia hetuese?!
Insistimi i Prokurorisë në këtë rrafsh e shpërfaq de fakto “Planin operativ” të montimit të këtij procesi politik ndaj meje për qëllime të pastra “hakmarrëse” politike.
Aktakuza është e stërmbushur me dubioza të terminologjisë juridike, tipike për proceset e montuara. Është e qartë se grupimi politik që po e mban Republikën peng të llojit të vet, së paku prej vitit 2011, nga çasti i aderimit tim në Lëvizjen Vetëvendosje, më ka shënjestruar, natyrisht jo për “veprat e pakryera penale”, por thjeshtë dhe vetëm për motivet politike që ndërlidhen me oponencën time të mendimit.
Në fakt burimi i aktakuzës mund të shkojë edhe më thellë në histori: ndoshta në majin e vitit 1998, kur klani që sundon Kosovën për plot dy dekada, pati ushtruar komplotin e njohur brenda LPK/UÇK-së. Por, meqë unë atëbotë isha pjesë e UNIKOMB-it, pra nuk kisha ndërlidhje të drejtpërdrejt me rrjedhat brenda LPK-së, gjykoja deri vonë se nuk ua zija “hisen e diellit” asnjërës palë. Madje, pavarësisht se isha i informuar për ato rrjedha, unë dhe UNIKOMB-i po bënim krejt çka ishte e mundur t’i shërbejmë kauzës së lirisë dhe UÇK-së , qoftë në rrafshin e diplomacisë, logjistikës, por edhe drejtpërdrejt në terren, duke i ngjeshur radhët e UÇK-së, pa interferuar në përplasjet brenda LPK-së. Kjo është periudha kur unë e kisha shndërruar banesën time në Basel (Zvicër) në një zyrë informimi dhe komunkimi. Kisha intensifikuar kontaktet me Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, me televizionin zviceran DRS dhe me mediat e shkruara. Duke qenë ndërkohë edhe anëtar i shtabit mobilizues të UÇK-së për Zvicër dhe hartues i dokumenatcionit politik të atij shtabi, krijuam bazë të gjerë lobuese dhe forcuam fondin “Vendlindja thërret”, ndërkaq duke qenë që moti (1993) në kryesinë e Organizatës humanitare “Promentes Kosova” që e kishte inicuar miku im Christian Gieger, ndërkohë, në fillim të vitit 1999, kishim arritur të nxjerrim nga kazermat e Ushtrisë Zvicerane një sasi të konsiderueshme të barnave për terrene lufte, kryesisht barna kundër helmeve biologjike e kimike, në vlerë prej rreth 1.5 milion franka zviceran. Këtë sasi barnash e kisha orientuar për tek logjistika e UÇK-së në Tiranë, që atëbotë drejtohej nga dr. Shaip Muja, vëllai i bashkëveprimtarit tim në ilegale (1986), Shaban Muja.
Por brenda kësaj periudhe kisha kontribuar që përfaqësues të shtetit zviceran, sidomos nga Ministria e Jashtme, të fillojnë ta shikojnë e gjykojnë UÇK-në si një forcë reale politiko-ushtarake me të cilën, qoftë edhe përmes Republikës së Shqipërisë, të vihen kontakte të veçanta.
Në shërbim të këtij qëllimi, ishin edhe dy ligjëratat e mbajtura në Universitetin e Baselit, madje në të dytën duke e ftuar edhe përfaqësuesin politik të UÇK-së për Gjermani, mikun tim, Dr. Sabri Kiçmarin, tashti ambasador i Republikës sonë në Australi.
Të kësaj periudhe të ngjeshur me aktivitete diplomatike dhe të ekspertizës akademike, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, por edhe gjatë Konferencës së Rambujesë, janë përpjekjet e mia për të kontribuar për arritjen e një marrëveshjeje sa më të suksesshme për Kosovën. Analiza që i bëmë Marrëveshjes së Rambujesë, variantit të parë, tok me prof.dr. Stephan Kux, ishte, besoj një kontribut i veçantë. Atë analizë ia përcolla delegacionit tonë përmes Sherif Bilallit.
Ndërkaq vetëm katër ditë pas fillimit të bombardimeve, nga banesa ime, gazetari i DRS Andrea Muller, një mik i imi (që më mori në mbrojtje edhe tashti), përndryshe atëbotë edhe Këshilltar i zonj. Kalmy Rey, ish Presdente e Zvicrës, realizoi intervistën nga më të veçantat, me Komandantin e UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, telefonin e të cilit e kisha siguruar përmes Ahmet Isufit, bashkëveorimtarit tim të kohës së ilgales (1982….), me të cilin ishim dënuar në vitin 1984. Intervista qe emetuar jo vetëm në DRS, por edhe nga shtëpi të tjera televizive dhe agjenci lajmesh, dhe pati shumë efekt, meqë komandanti Haradinaj kishte arritur ta përcillte mesazhin shumë bindës se UÇK-ja, pavarësisht çmimit do ta vazhdojë luftën deri në liri.
Për këtë kontribut timin unë gjithsesi ndjehem krenar./koha.mk