Home KRYESORE Sulmi me armë, Klodiana Lala pyetet 1 orë e gjysmë në polici...

Sulmi me armë, Klodiana Lala pyetet 1 orë e gjysmë në polici bashkë me familjarët

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë dëshminë e saj në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në lidhje me sulmin për shkak të detyrës. Për një orë e gjysmë, ajo ka treguar rrethanat dhe dyshimet e saj në lidhje me ngjarjen përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, të Sektorit për Krimet e Rënda.

Lala është paraqitur rreth orës 15:00 në Policinë e Tiranës, ku i ka qëndruar versionit të saj, duke përjashtuar çdo konflikt personal të saj apo të familjarëve. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja është regjistruar dhe do të referohet në Prokurori si “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Po ashtu, kanë dëshmuar në Polici edhe babai dhe vëllai i Klodiana Lalës, që po ashtu kanë sqaruar se përveç ndonjë debati të rëndomtë, siç mund të ndodhë në çdo lagje të vendit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë konflikt tjetër me askënd.

Për ta, e rëndësishme është që askush nuk u lëndua nga breshëritë e plumbave që depërtuan deri në dhomën e gjumit, edhe pse në shtëpi ishin të gjithë familjarët, madje edhe dy vajzat e mitura të Klodiana Lalës.

Ndërsa kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Policia është angazhuar maksimalisht në mbledhjen e provave, zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e arrestimin e autorëve.

Ndërsa përveç provave materiale, dëshmitarëve apo verifikimeve që po kryhen nga grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, mësohet se Policia po verifikon edhe lajmet e fundit që ka raportuar gazetarja Lala, për të zbuluar autorët e këtij sulmi ndaj familjes së saj.

Burimi: PANORAMA

Share: