Home KRYESORE Injorimi i kufijve kushtetues dhe … lidershipi i njeriut të fortë

Injorimi i kufijve kushtetues dhe … lidershipi i njeriut të fortë

Nga Kasem Seferi

Në shumë vende në zhvillim dhe, veçanërisht, në vendet në tranzicion vihet re injorimi i kufijve kushtetues përsa i përket pushtetit dhe heqjes së të drejtave bazë dhe lirisë së qytetarëve, gjë që vërteton të quajturën demokraci iliberale, e cila arrihet duke krijuar forma qeverisje, që përtërijnë shkallë thelbësore të demokracisë populiste me anë të lidershipit të njeriut të fortë.

Duke e dëgjuar me vemendje fjalën e Kryeministrit Rama në ngjarjen politike të radhës së PS – së, veçanërisht, pak muaj para zgjedhjeve lokale, më erdhi ndër mendje proçesi me anë të cilit qeveritë përzgjidhen, monitorohen dhe zevendësohen.

Duke studjuar dhe duke i ballfaquar gjithë ato që kam përfituar me realitetin e djeshëm dhe atë të sotëm, më rezulton se kemi një shkallë më të ulët të përgjegjshmërisë që mat proçesin politik, më pak liri civile, të drejta politike dhe stabilitet politik që nuk shoqërohet nga mungesa e dhunës që masin perceptimet e gjasave nëse qeveria do të stabilizohet.

Më qartë dhe në mënyrën më të kuptueshme bëhet fjalë për kapacitetin e qeverisë për të formuluar dhe vënë në jetë politika të shëndosha ku efektiviteti i qeverisjes të pasqyrohet nga të mirat publike.

Ngjarjet e fundit kriminale dhe pasiguria (një prej të mirave publike të premtuara por jo të ofruara janë dëshmi negative në lidhje me këtë të mire publike.

Ndërkohë apelimi i Kryeministrit Rama për respekt ndaj qytetarëve dhe shtetit, më saktë për institucionet që qeverisin ndërveprimet ekonomike dhe shoqërore nuk tregojnë dhe nuk japin fakte dhe dëshmi se në Shqipëri sundon ligji dhe kontrolli mbi korrupsionin.

Në këtë kontekst, nuk mbetet gjë tjetër veç demagogjisë tipike populiste.

Po shkel në një fushë që e njoh mjaft mire.

Charles Adams, jurist dhe studjues me famë i tatuarit që nga lashtësia thotë: “Kur tatojmë, ne po merremi me zjarrin dhe pa kontrollet e duhura, lehtësisht, ne mund të djegim çdo gjë që kemi ndërtuar.”.

Pra, mënyra se si tatohet dhe si shpenzohet në Shqipëri ka provuar në një shkallë të madhe se nuk jemi duke lulëzuar, por jemi duke u varfëruar, më saktë nuk jemi të lirë, por jemi të skllavëruar dhe më e rëndësishmja aspak “të mirë por djaj”.

Për ta kuptuar më mirë përfundimin e mësipërm ia vlen të kujtohet tema e Konferencës së 13 – të Botërore në Berlin (17 – 20 Mars, 2016): “Qeverisje e mirë dhe Tatime të ulta”, vërteton më së miri shprehjen e njohur: “Qeveria nuk ka para. Ka vetëm paratë e tatimpaguesve.”.

Me këtë rast më vjen ndër mend thënia e Albert Einstein/Ajnshtan Jr:

“Teori është kur ju njihni çdo gjë, por asgjë nuk funksionon. Praktikë, ku çdo gjë funksionon, por askush nuk e di se si. Ne vendosim sëbashku teorinë me praktikën: asgjë nuk funksionon … dhe askush nuk e di se si.“.

Një analizë e thënies së mësipërme të çon te performanca/kryerja e detyrave të qeverisjes (sektorit publik), ose më saktë te matja e saj, ku më e prekshme ka qenë, është dhe mbetet arritja e rezultateve më të mira nga ndërhyrjet e reformës tatimore dhe administrimit tatimor, gjë që kërkon dëshmi shumë të sakta, se atë janë arritur në praktikë.

Në vendet e zhvilluara, veçanërisht, në SHBA dhe Hollandë është vërtetuar se politika e mirë tatimore plus administrimin e mirë tatimor është baras me politikën e vërtetë të qeverisë.

Në kuptim të paragrafit të mësipërm, vetëm vlerësimi i tatimpaguesve shihet si një mjet efektiv për të rritur permbushjen e e kërkesave të legjislacionit tatimor nga administrata tatimore dhe tatimpaguesit, për arsye se boshllëku tatimor (diferenca ndërmjet masës së tatimeve që duhen paguar dhe masës së mbledhur/paguar), mbetet një problem serioz shumëdimensional.

Kjo diferencë mund të zvogëlohet, por jo të eleminohet.

“Mënyra e të tatuarit ka qenë një barometër i besueshëm i rendit botëror dhe nuk ka asgjë që flet kaq besueshëm për një komb si sistemi i tij tatimor.“, arrin në këtë përfundim Charles Adams.

Pra, shoqëria shqiptare mund të vlerësohet më mirë nga të gjitha sipas asaj se kush paguan tatime, taksa, kontribute të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore dhe përse ndodh kësisoj; si vlerësohen, mblidhen dhe përdoren shumat e mbledhura.

Me pak fjalë, historia e vërtetë e lirisë njerëzore në Republikën e Shqipërisë që prej vitit 1991 e këtej ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë dhe në mënyrë të pashkëputur nga respektimi i dy parimeve bazë të të tatuarit:

të tatuarrit me miratim; dhe
parimi i barazisë

që kërkojnë zgjuarsi, e cila ka munguar, veçanërisht, vitet e fundit kur vala e dytë e krizës financiare dhe ekonomike botërore ende godet vendet e vegjël dhe në tranzicion.

Me të tatuarit nuk flitet nëpër kafene, por efekti ndihet në tryezën familjare.

Kasem Seferi

Share: