Home KRYESORE “Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”! Nga Enver Bytyçi

“Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”! Nga Enver Bytyçi

“Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”! Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në përgjigje të këmbnguljes së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të vazhduar më tej me idenë e tij të tmerrshme për ndarjen e territorit.

Po si erdhi deri te mbrojtja e kufijve të Kosovës nga rreziku që paraqet për këta kufij vetë presidenti i këtij vendi? Si ndodhi që kryeministri i Kosovës angazhohet ta mbrojë Kosovën nga rreziku qe paraqet vetë kreu i shtetit të Kosovës?! Ku është parë në nëdonjë vend në botë që kryeministri të zotohet për mbrojtjen e territorit të vendit, sepse këtë territor e rrezikon vetë shkëlqesia e tij president?!

Ne shqiptarët vërtet jemi një specie e rrallë. Jemi qenie me të cilat eksperimentohet. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, si në Shqipëri edhe në Kosovë, por nuk kishte ndodhur që presidenti i vendit të bëhej fanatik e militant i zbatimit të programeve serbe për Serbinë e Madhe!

Ky sukses spektakolar i Beogradi, që ai flasë dhe të veprojë në interes të vetin përmes presidentit të Kosovës, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë . Megjithëse Ramush Haradinaj ia thotë në sy presidentit të vendit të tij se “do ta mbrojë Kosovën dhe territorin e saj nga vetë aksioni antishqiptar i presidentit”, ky i fundit vazhdoi me skenarin e vet. Ai pas deklaratës së Haradinajt u bëri thirrje kryeministrit dhe kryeparlamentarit Veseli që ta përkrahin atë për “korrigjiin e kufijve”, dmth për ndarjen e Kosovës! Nuk ka të ndalur Hashim Thaçi! Nuk ia kanë ndërruar mendjen as qëndrimet kundër të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian!
Ndërkohë që në Beograd refuzojnë të flasin për këtë temë, Hashim Thaçi këmbngul. Kësaj i thonë: “Ose do t’i japë tokë e territor Serbisë, ose ai vdes”. Presidenti serb nga Moska u shpreh se “Kurrë nuk kishte folur për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve”.

Ndërkohë ai vazhdoi meformulën, sipas së cilës “Shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha dhe serbët t’i himbasin të gjitha”. Ndërsa sa i përket idesë së ndarjes, megjithëse mohoi ta ketë përmendur, Vuçiq nga Moska u shpreh se “Precedent ishte pavarësia e Kosovës dhe jo ndarja e saj”, duke dhënë mesazhin se qëndron në të njëjtën ide me Hashim Thaçin. Ndërsa presidenti i Kosovës e mbështet fuqishëm homologun e tij në Beograd për këtë ide, pa dashur t’ia kujtojë fushatën e masakrave serbe të dhunës e terrorit kundër popullit të tij, shqiptarëve!

Por nuk është i një mendje me presidentin e Serbisë e të Kosovës kryetari i Partisë Popullore në opozitë të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili nga Çikago tha se “Ndryshimi I kufijve midis Serbisë dhe Kosovës është një precedent i rrezikshëm për luftë në Ballkan”! Kjo do të thotë se edhe ustallarët e kanë lënë Hashim Thaçin të vetëm!

Ndërsa në Prishtinë kryeministri Haradinaj shpall se “do ta mbrojë Kosovën nga presidenti i vendit”, opozita e LDK-sëdhe e PSD-së, por me gjasë edhe ajo e Vetëvendosjes, nuk po dalin ende nga skutat e fshehta, ku Hashim Thaçi ua ka caktuar vendin! Nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë një president në shkelje të kushtetutës së një vendi normal, që ai të shkarkohet nga funksioni që mbart! Kaq të pafuqishëm janë përfaqësuesit e sovranit në Kosovë përballë një njeriu të vetë, qoftë ky dhe president i vendit?!

Iniciativa kushtetuese dhe ligjore për këtë I përket opozitës. Megjithatë Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbajë një qëndrim ekuivok, të mjergullt dhe pa përmbajtje lidhur më këtë rast ekstrem! Në vend të angazhohet e të veprojë e vendosmëri për t’ia vënë kufijtë presidentit të vendit, në vend të iniciativës për shkarkimin e tij, LDK vazhdon lojën e marrë për pushtet! Në vend që të mbështesë deri në fund kryeministrin, kryeparlamentarin e këdo tjetër që I kundërvihet idesë së presidentit, në vend që të luftojë për të krijuar një front unik kundër rrezikut Thaçi për territorin dhe Republikën, vazhdon dhe shpall si prioritet luftën politike kundër kryeministrit! Në çdo vend të botës kur kërcënohet territori i vendit, qoftë dhe nga presidenti, pozita dhe opozita bëhen bashkë.

LDK dhe Vetëvendosje duhet ta kapërcejnë ambicjen për pushtet dhe të luftojnë për territorin e për shtetin! Ndryshe LDK duhet t’ia thotë publikut në Kosovë se cili është borxhi që ia ka ende Hashim Thaçit si person e jo si president!

Share: